English

Shqipëria tashmë anëtare e Byrosë për Protokollin e Nagojës

Ministri i Mjedisit, z.Lefter Koka, merr pjesë në Konferencën e 12-të të Shteteve Palë të Konventës së Biodiversitetit për Zhvillimin e Qëndrueshëm të Biodiversitetit (CBD CoP-12) dhe Takimin e Parë të Shteteve Palë të Protokollit të Nagojës, “Për aksesin në burimet gjenetike dhe ndarjen e drejtë dhe të barabartë të përfitimeve që rrjedhin nga përdorimi i tyre”, (CoP MoP-1) të cilat po zhvillohen në Pyeongchang, Republika e Koresë. Në këtë konferencë marrin pjesë nivelet drejtuese të shteteve palë, të gjithë OJF-të mjedisore botërore, sektori akademik, privat, komunitetet Indigjene dhe vëzhgues ndërkombëtarë.

Gjatë punimeve të këtyre takimeve Shqipëria u zgjodh në Byronë e CoP MoP-1 të Protokollit të Nagojës si përfaqësuese e rajonit të Evropës Juglindore së bashku më Bjellorusinë. Ajo është një ndër shtetet e para që zgjidhet në organet drejtuese të protokollit për takimin e parë të palëve.

Në këtë mënyrë, Shqipëria është më afër vendimmarrjes për projekte të ndryshme rajonale apo globale në fushën e biodiversitetit dhe burimeve gjenetike, të cilat do të nisin për zbatimin në praktikë të këtij protokolli që hyn në fuqi. Kështu, mjedisi shqiptar po vendoset në fokus të Marrëveshjeve Mjedisore Ndërkombëtare.

Në kuadër të iniciativës LifeWeb të Konventës së Biodiversitetit, Ministria e Mjedisit ka paraqitur një projekt prej 735,000 Euro për menaxhimin e integruar të Parkut Kombëtar Lurë, projekt i cili është pranuar.

Protokolli i Nagojës është Protokolli më i ri i Konventës që hyn në fuqi më 12 Tetor 2014 pas arritjes së numrit të nevojshëm prej 50 shtetesh.

Shqipëria ka aderuar në Protokollin e Nagojës në 29 Janar 2013, pas miratimit të ligjit për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Protokollin e Nagojës për aksesin dhe ndarjen e përfitimeve nga burimet gjenetike, duke qenë një ndër 20 vendet e para që e kanë ratifikuar ose aderuar.

Gjithashtu, gjatë Konferencës së 12-të Konventës së Biodiversitetit për Zhvillimin e Qëndrueshëm të Biodiversitetit, ministri Koka zhvilloi një takim bilateral me Ministrin e Mjedisit të Austrisë z. Andrä Rupprechter. Në takim u diskutua mbi bashkëpunime në fushën e mjedisit të cilat do të vihen në zbatim së shpejti.

KOMENTE