Infeksioni i sistemit urinar fillon në rrugët tona urinare, të cilat përbëhen nga veshkat, ureteret (kanalet e urinës), fshikëza e urinës dhe nga uretra. Por si mund ta parandalohet ky problem dhe cilët persona janë më të predispozuar për tu prekur.
Infeksionet urinare tek fëmijët e vegjël janë kambanë alarmi, sepse mund të jenë shprehje e një anomalie të lindur strukturale të sistemit urinar. Të gjithë njerëzit janë të rrezikuar për tu prekur nga infeksionet e rrugëve urinare. Kështu, më të rrezikuar janë ata pacientë që kanë anomali të lindura të veshkës, si polistoza renale, që kanë gur në aparatin urinar, anomali të kanaleve urinare (megauretar), ureter shumë të përdredhur. Por dhe njerëz me rezistencë të ulët, sidomos ata që përdorin citostatikë, kortizonikë, pacientë me infeksione gjinekologjike, diabetikët numri të cilëve vjen në rritje. Në të njëjtën kohë dhe ndërhyrjet kirurgjikale që përdorin kateter, të paralizuarit që nuk arrijnë të bëjnë zbrazjen e fshikëzës dhe personat që nuk tregohen shumë të kujdesshëm në higjienën personale. Infeksionet e rrugëve të poshtme janë më të shpeshta tek gratë se të burrat, për arsye të vetë ndërtimit të
uretrës (kanalit të jashtëm) që është më i shkurtër dhe më afër anusit (kanalit të jashtëqitjes). Infeksionet urinare zënë vendin e dytë pas atyre të traktit respirator për sa i përket shpeshtësisë. Femrat ka një risk më të madh sesa burrat për të zhvilluar infeksion urinar. Infeksionet urinare tek fëmijët e vegjël janë kambanë alarmi, sepse mund të jenë shprehje e një anomalie të lindur strukturale të sistemit urinar.
Shenjat
Sistemi urinar është krijuar për të formuar, mbledhur dhe eliminuar urinën nga trupi ynë. Urina në vetvete është sterile, por prishja e mekanizmave normalë të mbrojtjes bën që mikrobet të ngjiten dhe të shumohen në fshikëzën e urinës e më lart. Infeksionet më të zakonshme të sistemit urinar ndodhin tek femrat dhe prekin fshikëzën dhe uretrën.
Infeksionet e fshikëzës (cistiti) shkaktohen zakonisht (deri 90%) nga Escherichia coli (E. coli), një lloj mikrobi që gjendet në traktin tretës. Akti seksual mund të çojë në cistit, por një femër mund të zhvillojë infeksion të traktit urinar edhe pa pasur jetë aktive seksuale. Të gjitha femrat janë shumë të predispozuara për të zhvilluar cistite falë anatomisë së traktit të tyre urinar, sidomos afërsisë së uretrës së tyre me anusin dhe distancës së shkurtër nga hapja uretrale në fshikëzën e urinës. Infeksionet e uretrës (uretriti) ndodhin kur bakteret nga zorra e trashë dhe anusi kalojnë për në uretër. Dhe veç kësaj, meqenëse uretra dhe vagina janë shumë afër, atëherë edhe sëmundjet seksualisht të transmetueshme, si herpes simplex, gonorrea dhe klamidia janë shkaktarë të shpeshtë të uretriteve. Të mos harrojmë prostatitet të cilat janë infeksione të prostatës tek burrat dhe kanë, veç shenjave shumë të theksuara (djegie gjatë urinimit, urin
ime të shpeshta në sasi të pakët, dhimbje në fund të barku), edhe irritabilitet që mund të çojë edhe deri në depresion, por janë edhe të vështira për t’u mjekuar, pasi antibiotikët penetrojnë me vështirësi në këtë ind dhe kërkojnë periudha të gjata mjekimi, deri në 6 muaj.
Komplikimet
Nëse trajtohet me kujdes dhe si duhet, infeksioni urinar rrallëherë shpie në komplikacione, po nëse lihet i patrajtuar, mund të bëhet serioz . Infeksionet urinare të patrajtuara mund të çojnë në infeksion të veshkës (pielonefrit) akut apo kronik, i cili dëmton në mënyrë të vazhdueshme veshkën.
Fëmijët dhe të rinjtë kanë një risk më të lartë për dëmtim renal pas infeksioneve, pasi simptomat neglizhohen apo ngatërrohen me kushte të tjera. Gratë shtatzëna që kanë infeksione urinare, kanë një risk të rritur për të lindur fëmijë prematurë apo me peshë të vogël (hipotrofë). Gratë të cilat kanë zhvilluar tre apo me shumë infeksione urinare, ka të ngjarë të vazhdojnë të bëjnë përsëri.
Mjekimi
Mjekimi bëhet sipas shkakut dhe duhet bërë nga mjeku, sipas një urokulture (mbjellje të urinës) e të mos përdoren antibiotikë të ndryshëm të marrë pa rekomandimin e mjekut, i cili duhet të jetë i vetmi që të bëjë vlerësimin e rastit, të përcaktojë mjekimin dhe kohëzgjatjen e tij. Mjekimi pa kriter çon në kandidozë (myk) dhe dëmtim të mëlçisë, apo rezistencë mikrobale.
Si mund të parandalohen
-Çdo individi i kërkohet të ketë një higjienë personale sa më të mirë.
-Të mos mbajë urinën, por të zbrazë fshikëzën sa herë që ndjen nevojën për të urinuar.
-Të pijë sa më shumë lëngje pa gaz.
-Të mos pijë alkool.
- Të mjekojë vatra të tjera infeksioni kudo që mund të ketë si: dhëmbë të prishur, grykët, infeksione të veshit, hundës dhe të rrugëve të frymëmarrjes.
- Të luftojë e mjekojë drejt sëmundjet e tjera favorizuese si: hipertensioni arterial, diabeti etj.
-Gratë shtatzëna duhet të bëjnë kontrolle të shpeshta me analizë urine dhe nuk është në gjendje të lëvizë.