English

Haxhinasto:Kemi qëllim të rrisim sigurinë e qytetarëve

Ministri i Transporteve dhe Infrastrukturës Z. Edmond Haxhinasto paraqiti rëndësinë e ndryshimeve në Kodin Rrugor, gjatë seancës dëgjimore së ditës së djeshme në Komisionin Parlamentar për Veprimtarinë Prodhuese, Tregëtinë dhe Mjedisin.

Amendimet e Kodit Rrugor në diskutim janë pjesë e Planit Kombëtar të Sigurisë Rrugore, të miratuar në Janar të këtij viti dhe synojnë rritjen e sigurimit në rrugë, forcimin për respektimin e ligjit dhe zbatueshmërinë e tij, mbrojtjen e pronës publike si aset të rëndësishëm për shtetin dhe qytetarët si taksapaguesë.

Ministri Haxhinasto theksoi se këto mbeten qëllimet bazë të inisiativës për të amenduar Kodin.
Ministri Haxhinasto vijoi se të gjitha këto elementë të ndërmarrë në këtë inisiativë shkojnë në drejtim të forcimit të zbatueshmërisë së ligjit, të sjelljes sonë civile në përputhshmëri me ligjin dhe padiskutim të rritjes së qytetarisë dhe të sjelljes si europianë, që po synohet të realizohet.

“Masat e parashikuara për prishjen e sinjalistikës janë të domosdoshme dhe emergjente, pasi sot përballemi me vjedhjen e sinjalistikës, prishjen e saj, ndërhyrjen nga biznesi përmes reklamave në mënyrë abusive dhe të paligjshme. Sinjalistika e dëmtuar sjell uljen e sigurisë për jetën e njerëzve”- vijoi Ministri Haxhinasto.

Gjatë interpelancës dhe pyetjeve të deputetëve të pranishëm në Komision, Ministri Haxhinasto nënvizoi: - “Ulja rreth 20% e aksidenteve me vdekshmëri krahasuar me 1 vit më parë tregon një trend pozitiv çka sjell besimin, se kjo paketë masash pas kalimit të ligjit do të përmirësojë shifrat aktuale të aksidenteve me pasojë vdekjen ose aksidenteve të rënda”. “Testi psiko-fizik për drejtuesit e ardhshëm të automjeteve, si ndryshim i propozuar është domosdoshmëri”: - vijoi në përgjigjet për deputetët Ministri Haxhinasto.

Ministri Haxhinasto theksoi në fund të fjalës së tij gjatë seancës dëgjimore: - “Nuk mund t’i referohemi kësaj pakete të propozuar në këtë ligj si ligji i gjobave. Çdo masë e propozuar për ndryshimin e këtij ligji ka qëllimin e vetëm të rrisë sigurinë e qytetarëve. Siguria rrugore nuk është një koncept abstrakt, ajo është jeta e njerëzve”.

KOMENTE