English

Rama: Shoqëria e dijes, rruga e ndryshimit

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e 20-vjetorit të themelimit të Universitetit të Vlorës, “Ismail Qemali”:

Përshëndetje të gjithëve!

Faleminderit shumë për ftesën dhe përgëzime për këtë sallë të re të universitetit, në këtë moment të rëndësishëm për universitetin, që është dhe 20 vjetori i themelimit të tij. “Të forcojmë Europën e dijes” është motoja që, ndër të tjera, ka sjellë rritjen me 70%, krahasuar me periudhën e kaluar, të buxhetit që Bashkimi Europian ia ka vënë në dispozicion kërkimit dhe inovacionit. Dhe rrjedhimisht, për periudhën 2014-2020, ky buxhet është 70 bilionë euro dhe synon që me anë të bashkëpunimeve të ndërtuara nga universitetet të zhvillojë shoqërinë e dijes. Sepse është e qartë, të zhvilluar janë ata që dinë dhe jo ata që kanë.

Historia e vendeve në zhvillim apo e vendeve tanimë të zhvilluara, ndër to edhe vendet e Bashkimit Europian, tregon se diferencën e bën dija dhe jo pasuritë natyrore që vendi i ka, apo nuk i ka. Mjafton një shembull shumë i thjeshtë, që është edhe shumë aktual në ditët e sotme. Shqipëria është vendi i dytë më i pasur në Europë për burimet hidrike dhe për fuqinë potenciale energjetike, të bazuar në burimet hidrike. Vendi i parë është Norvegjia. Sot, Norvegjia është jo vetëm vendi i parë për nga ato çka i ka falur natyra, por është edhe vendi i parë për transformimin e pasurive të natyrës në formën e fuqisë hidrike dhe të fuqisë energjetike, të bazuar në burimet hidrike. Ndërkohë që, ne jemi jo të dytët, por të parët nga fundi, për mënyrën sesi pasuritë tona në këtë drejtim nuk i kanë shërbyer transformimit në mirëqenie dhe në burim fitimi për vendin dhe për njerëzit, por janë kthyer në burim problemesh të panumërta.

E pra, diferencën nuk e bën ajo që kemi, por ajo që dimë. Dhe është me fort rëndësi që sot, ne ta adresojmë me forcë, me këmbëngulje dhe pa kompromis, çështjen e prapambetjes së thellë në fushën e dijes. Sepse tek kjo prapambetje e thellë në fushën e dijes i ka rrënjët edhe prapambetja tërësore, në raport me Bashkimin Europian, ku ne duam të integrohemi një orë e më parë.

Besoj se në këtë auditor, pas 20 vitesh pune, eksperience, suksesesh, dështimesh është vendi i duhur për të folur për domosdoshmërinë e një kapërcimi të madh, që universitetet tona duhet të bëjnë për t’u hapur karshi inovacionit nga njëra anë dhe për të qenë të hapura në raport me tregun e punës dhe me komunitetin, nga ana tjetër.

I jam mirënjohës Fate Velajt, vlonjatit nga Vjena apo vjenezit nga Vlora, që më bëri një paraqitje të detajuar të arritjeve të këtij stafi akademik dhe të ndryshimeve që kanë ndodhur në këtë universitet, në këto 20 vite. Por nga ana tjetër besoj se ajo çka na vlen më shumë nga e shkuara e afërt janë gabimet dhe jo sukseset. Ajo që na vlen më shumë nga e shkuara e afërt janë gabimet si pikë referimi për të shkuar përpara, në radhë të parë, duke mos lejuar që gabimet e së shkuarës të përsëriten në formën e gabimeve të së tashmes. Dhe në radhë të dytë, duke nxjerrë gjithë atë thesar të paçmueshëm dijeje, që përbën një histori gabimesh, për ta kthyer në një bazë që gjërat të ndryshojnë në drejtimin e duhur dhe jo thjesht të ndryshojnë.

Shqipëria e këtyre 20 viteve është padyshim, një Shqipëri e ndryshuar, por nuk mund të themi me plot gojën se në gjithçka, ndryshimi ka shkuar në drejtimin e duhur. Mjafton të kujtojmë faktin se vërtet sot, shqiptarët në tërësi jetojnë më mirë, por Shqipëria në tërësi ka paguar një kosto shumë të lartë për nivelin e sotëm të jetesës, që nuk është absolutisht ai i duhuri, krahasuar me koston që është paguar për të arritur në këtë nivel. Dhe kam parasysh këtu, se, për shembull, sot, nëse marrim thjesht strehimin, shqiptarët kanë shumë më tepër strehim dhe zotërojnë shumë më tepër metra katrorë, në formën e shtëpive apo të njësive tregtare. Me çfarë kostoje janë vënë në zotërim të kësaj pasurie të patundshme? Sa pyje, sa lumenj, sa kodra dhe sa pjesë e asetit më të çmuar që ka ky vend, që është bukuria e tij, ka shkuar dëm për të arritur të zotërojmë këtë pasuri të patundshme? Mjafton të shikosh rrugët kombëtare të vendit, për të kuptuar sesa shumë do të na duhet, sa vite do na duhen për të shëruar plagët e panumërta që ky zhvillim apo ky ndryshim, në këtë aspekt ka hapur anembanë trupit të vendit tonë.

Sidoqoftë besoj, nga ana tjetër, se jemi në kohë. Jemi në kohë për të mos lejuar që inercia e një zhvillimi të paqëndrueshëm të vazhdojë të hapi plagë në funksion të një ndryshimi që sigurisht është ndryshim, por nuk është ndryshimi cilësor dhe i qëndrueshëm në kohë, që na duhet për ta bërë Shqipërinë një vend të denjë të Bashkimit Europian.

Reformat tona janë në radhë të parë, reforma të fokusuara tek domosdoshmëria për të çliruar energji të reja në funksion të dijes, në funksion të inovacionit dhe në funksion të një progresi, që mbi të gjithë duhet të jetë i qëndrueshëm dhe dija dhe eksperienca të përkthehen në rezultate konkrete dhe investimet të kthehen në projekte, të realizuara me rezultate të ndryshme nga ato të së shkuarës. Nëse do të shikojmë në tërësinë e tyre reformat e ndërmarra nga Qeveria jonë, duke filluar nga ajo në arsim, duke kaluar tek ajo e pensioneve, tek reforma administrativo-territoriale, tek reforma në shërbimin policor, tek reforma në shëndetësi, tek reforma në sistemin financiar dhe me radhë, për të arritur tek reforma e shërbimeve publike që sapo ka nisur, në tërësinë e tyre, këto reforma kanë si kryefjalë domosdoshmërinë për të çliruar dijen dhe për t’i dhënë mundësi vendit që, përmes rritjes së dijes, të mund të rrisë cilësinë e të vepruarit dhe të bashkëvepruarit në gjithë këta sektorë.

Unë mendoj se është veçanërisht e rëndësishme që, për t’u kthyer në një motor zhvillimi, ndryshimi të bazohet tek kapitali njerëzor. Dhe kapitali njerëzor është ai që pasurohet në gjithë zinxhirin e sistemit tonë arsimor, për t’u përsosur në nivelin e universiteteve të vendit. Ndërkohë që reformat janë të varura absolutisht, në mënyrë të pazgjidhshme, nga cilësia e këtij kapitali njerëzor dhe nga cilësia që ky sistem arsimor garanton në funksion të rritjes së kapitalit njerëzor.

Dje kemi pasur një takim shumë domethënës me Ministren e Arsimit dhe me skuadrën drejtuese të sistemit tonë arsimor, nga drejtorët e Drejtorive Arsimore Rajonale tek drejtorët e Zyrave Arsimore në të gjithë Shqipërinë, për të lexuar së bashku rezultatet e një monitorimi shumë të imët, që Ministria e Arsimit ka bërë prej disa muajsh, në të gjithë sistemin tonë të arsimit parauniversitar, për të çuar përpara nismën e një ndryshimi të domosdoshëm, që do të thotë të mos ketë më mësues jashtë profilit në Shqipëri.

Ditën e hënë kemi vendosur që rezultatet e këtij monitorimi t’i bëjmë publike, pavarësisht se kush mendon me zemër për të mirën e këtij vendi do të tronditet nga rezultatet. Rezultate aq tronditëse, por edhe aq domethënëse për të kuptuar sesa shumë jofunksionale dhe sesa shumë të sëmura janë rrënjët e sistemit tonë të dijes dhe se çfarë kalbëzimi ka pësuar në rrënjë, sistemi ynë i dijes, duke përcjellë vit pas viti, përgjatë gjithë trungut të dijes, një sëmundje e cila ka nevojë sot, për një operacion rrënjësor.

U nisëm për të konstatuar numrin e mësuesve jashtë profilit dhe ajo që gjetëm është se përtej numrit të mësuesve jashtë profilit, që është një numër absolutisht i papranueshëm, ka një numër ende më të madh mësuesish pa arsim, fare, përkatës. Sikundër ka një numër të konsiderueshëm mësuesish që paguhen prej vitesh me paratë e popullit shqiptar dhe që nuk japin mësim. Këto do t’i bëjmë publike ditën e hënë dhe po ditën e hënë do të lançojmë edhe këtë segment tjetër të reformës tonë në arsim. E para, për të pastruar sistemin nga mësuesit pa arsim dhe në një kohë, sa ç ‘është koha që kemi deri në fund të vitit; E dyta, për të pastruar mësuesit jashtë profilit; E treta, për të pastruar sistemin nga mësuesit që paguhen pa dhënë mësim fare; E katërta dhe më e rëndësishmja, për të nisur urgjentisht procesin e licencimit të çdo mësuesi të Republikës së Shqipërisë, përmes provimit të licencimit dhe për të bërë që çdo mësues i Republikës së Shqipërisë, jo vetëm të ketë licencën e mësuesit, por të ketë edhe kuotën e krediteve të veta që duhet t’i rinovojë në mënyrë sistematike, me provime sistematike.



Kjo është e vetmja mënyrë për t’i dhënë fëmijëve të këtij vendi mësuesit që ata meritojnë. Dhe më lejoni që t’ju them dhe shifrën e fundit që 26 % e nxënësve në Shqipëri, ose një shifër e barabartë me rreth 177 mijë nxënës janë në dorën e mësuesve që ose nuk kanë arsim, ose janë jashtë profilit. 177 mijë fëmijë të cilëve sistemi u ka “prerë” kokën që ditën e parë që prindërit i kanë çuar në shkollë, prej vitesh.

Nga ana tjetër, për t’u kthyer tek raporti i dijes me ekonominë, tek raporti i dijes me mirëqenien, po të shikoni grafikët dhe nivelin e numrit të mësuesve pa arsim apo jashtë profilit, në zona të caktuara të vendit, përkojnë me nivelin ekonomik dhe social të zonave. Sa më shumë jashtë profilit apo pa arsim, aq më keq situata ekonomike dhe sociale e zonës. Sepse kapitali njerëzor i zonës përcakton edhe nivelin ekonomik të saj. Po të shohim tërësinë e Shqipërisë si zonë, në raport me rajonin apo në raport me Europën, kuptojmë sesa e lidhur është ajo që bëjmë sot në arsim me atë që marrim nesër në ekonomi.

Dhe kontributi i universiteteve, sipas Bashkimit Europian, lidhet drejtpërdrejtë me 6 aspekte kryesore të jetës së një komuniteti apo të një vendi: Punësimin; arsimimin dhe kërkimin shkencor, padyshim; gjithëpërfshirjen demokratike; mirëqenien e qëndrueshme; mbështetjen e dhënë komuniteteve dhe cilësinë e kushteve të punës dhe të jetesës. Nëse shohim këto aspekte të lidhura drejtpërdrejtë me universitetin, apo nëse e shohim universitetin të lidhur drejtpërdrejtë me këto aspekte, kuptojmë se përmirësimi në të gjitha këto aspekte lidhet drejtpërdrejtë me çka investojmë, çka ndryshojmë dhe çka përmirësojmë brendapërbrenda universiteteve.

Kontributi për punësimin ka dy elementë të pazgjidhshëm nga kontributi i çdo universiteti, që lidhet me adaptimin, me ndryshimin e kërkesës dhe me nevojat e tregut të punës dhe bashkëpunimin me punëdhënësit. Ne kemi bërë një reformë të arsimit profesional dhe kemi reformuar shërbimin e punës, duke i dhënë një dinamikë të re bashkëpunimit mes shtetit dhe sipërmarrjes, në funksion të punësimit. Kemi marrë rezultate të kënaqshme si një fazë e parë, të përkthyera në numër të punësuarish të rinj, por kjo mbetet e kufizuar dhe do të vazhdojë të mbetet e kufizuar, nëse nuk çohet më tej nga universitetet dhe nga lidhja e universiteteve me tregun e punës.

Në Mbretërinë e Bashkuar konstatohet se universitetet e kanë rritur ekonominë e vendit me 3.5 miliardë paund në vitet 2012-2013. Që është një rritje prej 5 % në krahasim me vitin më parë dhe që i kushtohet rritjes dhe zgjerimit të bashkëpunimit të universiteteve me tregun e punës, duke arritur rezultate që i shërbejnë të gjitha palëve. Sepse nuk është vetëm universiteti që rrit kapacitetin e sipërmarrjes, por është edhe sipërmarrja që rrit kapacitetin e universitetit. Ne vazhdojmë të kemi universitete të mbyllura njësoj si në kohën e shkuar. Por. nëse në kohën e shkuar universitetet ishin të mbyllura, sepse tjetërkush mendonte me plane 5 vjeçare dhe planifikonte se kë çonte në shkollë dhe se ku do ta çonte pas shkollës, ne nuk mund të vazhdojmë të sillemi brenda sistemit arsimor, sikur sistemi jashtë tij nuk ka ndryshuar. Sjellja e sistemit tonë arsimor universitar është e njëjtë me atë të 25 viteve më parë, por ndërkohë, bota jashtë mureve të universitetit është krejt tjetër. Dhe sfida që kemi është të lidhim universitetin sot, me botën sot! Në mënyrë që të mos prodhojmë diploma për të papunë nesër, por të prodhojmë kapacitete të reja për tregun e punës sot. Sigurisht, kjo është një sfidë komplekse që kërkon një rishikim rrënjësor të gjithë mënyrës së organizimit dhe të gjithë mënyrës së sjelljes së universitetit me tregun e punës dhe të tregut të punës me universitetin.

Një shembull shumë i thjeshtë; Shqipëria sot është qartësisht, një vend që ka hyrë në një rrugë zhvillimi intensiv të industrisë së naftës. Ne besojmë shumë shpejt, edhe të gazit. Dhe është gjithmonë edhe më e qartë, edhe nga të dhënat e fundit të eksplorimeve, që Shqipëria ka një pasuri ende të panjohur në naftë dhe në gaz, që mund të përcaktojnë në mënyrë dramatike, një kapërcim epokal të vendit tonë në vitet e ardhshme, për nga niveli ekonomik. Po, sa inxhinierë naftë ka sot Shqipëria? Të gjithë në Kanada! Sa teknikë nafte ka sot, Shqipëria? Sa njerëz që janë të lidhur me këtë industri, për nga zanati, ka sot Shqipëria? Zero! Kaq e vërtetë është kjo, sa kompanitë eksploruese janë të detyruara të hapin shkolla profesionale për të formësuar teknikë, në mënyrë që të kenë burime njerëzor për të zhvilluar këtë industri. Universiteti, çfarë bën?! I përgjigjët kësaj sfide? Dhe sipërmarrja çfarë bën? I qaset universitetit? Të dyja këto pyetje mbeten pa përgjigje, ose kanë përgjigje negative për momentin, sepse sistemi ynë i të menduarit ende mbetet joaktiv, në funksion të këtij ndërveprimi. Dhe ne besojmë se ligji i “Arsimit të lartë”, që shumë shpejt do të shkojë në parlament, do të çelë perspektiva të reja për universitetet, duke bërë disa ndryshime rrënjësore në mënyrën e organizimit dhe duke i dhënë universiteteve një autonomi, jo thjeshtë për të zgjedhur rektorin, apo për të zgjedhur dekanët, por për të vepruar si forca që kanë kapacitete dhe mundësi ligjore fitimprurëse. Në mënyrë që universitetet të kthehen në instrument, edhe përfitimi financiar, për nevojat e veta dhe për nevojat e stafit pedagogjik, në funksion të kërkimit shkencor dhe në funksion të rritjes së mundësive ekonomike të stafeve akademike.

Së fundi, do të doja që të kthehesha edhe unë, tek ajo shprehja që të gjithë iu referuan dhe që lidhet me titullin e përcaktuar nga miku ynë, Fate Velaj, të këtij programi të ndërtuar prej tij, prej disa vitesh, “Europa në pragun e shtëpisë tënde”. Është fare e qartë se jemi në të njëjtën gjatësi vale, pasi për ne ka qenë e qartë që ditën e parë, që integrimi europian nuk është transformimi i parlamentit në një fabrikë ligjesh dhe pastaj postimi i këtyre ligjeve në Bruksel, për të marrë përgëzimet se i bëmë ligjet njësoj si në Europë dhe u bëmë Europë. Jemi shumë të vetëdijshëm që, nëse i referohemi bibliotekës së parlamentit, jashtë mureve të saj i bie që të kemi një Shqipëri europiane, madje edhe më europiane se shumë vende europiane, pasi shumë ligje që i kemi bërë ne, ka vende europiane që si kanë bërë akoma, apo që si kanë bërë me aq guxim që janë bërë prej nesh. Por guximi ynë, në vite ka qenë i lidhur me faktin se ne se kemi problem që të bëjmë ligje, sepse ne nuk i zbatojmë ligjet. Ndërkohë që në Europë nuk ka germë të ligjit që nuk zbatohet. Dhe kjo është arsyeja pse ligjet në Europë bëhen me më vështirësi dhe pse, po të shohim renditjen e vendeve për zbatueshmërinë e ligjit, vendet që kanë zbatueshmëri më të lartë të ligjit janë vendet që kanë më pak ligje. Vendet që kanë zbatueshmëri më të ulët të ligjit janë vendet që kanë më shumë ligje. Ky është një problem që ne e kemi dhe e kemi, por edhe miqtë tanë italianë e kanë. Miqtë tanë grekë, nuk diskutohet. Kështu që, sigurisht, këta janë pak më mirë se ne, por jemi afër njëri–tjetrit në këtë aspekt. Dhe kjo na bën të ndjehemi edhe ne si europiane, edhe miqtë tanë italianë të mos ndjehen shumë të huaj në vendin tonë, por të thonë se jemi pak a shumë, pjesë e të njëjtit vend.

Më falënderimin për vëmendjen, me falënderimin për ftesën, me keqardhjen dhe ndjesën për të gjithë studentët që janë jashtë, edhe janë të veshur me të zeza, edhe me kapele dhe po presin, unë mendoj që është momenti për ta mbyllur këtë fjalë dhe për t’ju uruar me gjithë zemër sukses, në një përpjekje jashtëzakonisht të rëndësishme, që është përpjekje e përbashkët. Dhe me shpresën e madhe që sfidës që kemi, jo vetëm për universitetin, por edhe për gjithë sistemin e arsimit, këtu në Vlorë, do t’i përgjigjemi flakë për flakë, duke i dhënë, fjala vjen, drejtorëve të shkollave të Qarkut të Vlorës fytyrën e pedagogëve të këtij universiteti.

Faleminderit!

KOMENTE