English

Divjaka me një sërë projektesh

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga deputeti Erjon Braçe inspektoi dje një seri projektesh në zbatim, por edhe të tjera të përfunduara, në Bashkinë e Divjakës.

Për herë të parë pas 23 vitesh janë pastruar kanalet kulluese të Divjakës. Në vetëm 5 muaj janë hapur 11 kilometër kanale për vaditjen dhe kullimin e tokave bujqësore, të cilat kanë qenë të mbuluar me kallamishte. Për zonën më prodhuese në vend, hapja dhe pastrimi i kanaleve të vaditjes dhe kullimit është tejet i rëndësishëm për shtimin e prodhimit, por edhe mos kripëzimin e tokave.

Në sajë të kësaj pune të bërë deri më tani, është shtuar ndjeshëm sipërfaqja e tokës që tashmë ujitet dhe kullohet, rreth 8 mijë hektarë. “Në këto toka prej 23 vjetësh nuk shkonte uji”, – u shpreh një prej banorëve të Divjakës. “Janë 11 kilometra kanale që janë bërë për 5 muaj në zonën e Divjakës. Ndërkohë që deri tani janë bërë 28.4 kilometra kanale vaditëse, të cilat janë pastruar. Janë shtuar, 8 mijë hektarë tokë i kemi vënë nën ujë, për herë të parë këtë vit”. – tha deputeti Erjon Braçe.

Një tjetër projekt me rëndësi për zonën e Divjakës është dhe Poliklinika e re, e cila do të shërbejë për njësinë e re vendore që do të krijohet sipas ndarjes së re territoriale. Poliklinika, një investim me vlerë rreth 50 milionë lekë, parashikohet të jetë e pajisur me laboratorë të ri për analizat e sëmundjeve të gjakut, sëmundshmëri shqetësuese për këtë zonë.

“Në poliklinikën e re do të kemi edhe një laborator analizash për të bërë të mundur edhe evidentimin e sëmundjeve të trashëguara të gjakut” – u shpreh kryetari i Bashkisë së Divjakës, Fredi Kokoneshi.

Në vijim, Kryeministri inspektoi punimet në unazën lindore të Divjakës, e cila do të shërbejë për të drejtuar gjithë tregtarët dhe banorët e zonës drejt tregut të shumicës, pa kaluar nga qendra e qytetit. Me këtë investim mbyllet tërësisht unaza lindore e Divjakës. Kjo, - sipas deputetit Erjon Brace, - bën të mundur që të gjithë fshatrat përreth zonës të dalin drejtpërdrejtë në treg dhe kështu nuk ngarkohet më qarkullimi në qendër të qytetit.

Me shumë interes Kryeministri inspektoi edhe punimet në gjimnazin e qytetit. Në kuadër të programit “Sporti për të gjithë”, Kryeministri siguroi mbështetjen për kthimin e hapësirave sportive të këtij gjimnazi, në funksion jo vetëm të nxënësve gjatë orarit të mësimit, por edhe për komunitetin gjatë mbrëmjes. “Bëjeni një projekt kompleks, bashkë me palestrën dhe me 3 fusha, në mënyrë që të bëhet një kompleks komunitar. Se këtu është i gjithë qëllimi, të mos jetë vetëm për mësimin e nxënësve gjatë orareve, por të jetë edhe për komunitetin. Kështu që të bëhet palestra dhe 3 fusha. Ne kemi gjithë financimin e projektit “Sporti për të gjithë”. Në kuadrin e këtij programi mund të financojmë. Të jenë funksionale gjatë natës, me drita dhe me shkallë, që të mund të vijnë dhe njerëzit”- u shpreh Kryeministri.

Por, ndërsa përshëndetej me qytetarët përgjatë rrugës, Kryeministri mori mbështetje dhe vlerësim prej tyre për aksionin e nisur nga INUK në mbarë vendin, në shembjen e objekteve pa leje. Një qytetare, tha se “kjo që ka nisur të godasë atje ku duhet, këdo. Unë kam zemër të dobët, por kur shoh ato shembjet vërtet më gufon zemra. Nuk e di si ma kuptojnë të tjerët, por ju e di që e kuptoni zemrën time. Sa mirë që shemben ato që s’duhen.”

Në kuadër të projektit kombëtar “Rilindje Qyteteve” kanë nisur punimet edhe pedonalen e qytetit të Divjakës. Por, ndërkohë me fonde të bashkisë është ndërtuar edhe një lulishte në qendër të qytetit.

Kryetari i Bashkisë së Divjakës, Fredi Kokoneshi, e njohu Kryeministrin në mënyrë të detajuar me projektin, i cili ndër të tjera përfshihet edhe ndërtimin i një rruge pedonale që parashikohet të lidhet me qendrën, ndërtimin e korsisë së biçikletave pranë kësaj pedonaleje dhe mbjelljen e palmave përgjatë gjithë kësaj rruge. Paralelisht po ndërhyhet edhe në infrastrukturën nëntokësore, me qëllim rehabilitimin e sistemimit të kanalizimeve.

Zbatuesi i projektit, sqaroi se do të ndërtohet edhe një mozaik. Gjithashtu, shëtitorja do të jetë me dopio ndriçim dhe synohet që projekti të shtrihet nga Çerma, pika hyrëse nga autostrada, deri në Parkun Kombëtar të Divjakës. Ky projekt mundëson kthimin e qytetit në një zonë turistike për vizitorët, pasi deri tani ka qenë i shkëputur nga Parku Kombëtar.

Falë një projekti të Qeverisë shqiptare është rehabilituar “Parku Kombëtar Divjakë – Karavasta”. Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga Ministri i Mjedisit Lefter Koka dhe deputeti Erjon Braçe ishte sot dhe pa nga afër projektin e realizuar.

Ndërhyrjet, të bazuara në këtë projekt, kanë mundësuar rehabilitimin e rrugëve natyrale të Parkut Kombëtar të Divjakës, prej afro 50 kilometër, si dhe krijimin e infrastrukturës së duhur për vizitorët. Mbi 150 tabela informative janë vendosur në të gjithë parkun, si dhe është ngritur një Qendër Informacioni për vizitorët. Po ashtu, janë ndërtuar 4 ura druri që lidhin pjesët qendrore të parkut, për t’u bërë të arritshme nga vizitorët.

Në Parkun Kombëtar të Divjakës, në saj të Moratoriumit 2 vjeçar të Gjuetisë, vërehet shtim i faunës së egër dhe në park janë ndërtuar 3 kulla vrojtimi për monitorimin e tyre. Pasi pa nga afër kullat e vrojtimit në Lagunën e Karavastasë, Kryeministri vlerësoi se ndalimi që Qeveria i bëri gjuetisë po rigjallëron speciet e rralla. “Jemi në një fazë ripërtëritjeje rrënjësore, e cila shtrihet që nga qendra e Bashkisë së Divjakës, që me ndarjen e re administrative kthehet në një aset jashtëzakonisht të rëndësishëm për ekonominë kombëtare, për të ardhur deri në këtë territor, ku falë Moratoriumit kemi një rigjallërim dhe një riafrim të specieve të tjera me specien e njeriut, që për vite të tëra u bë armiku i betuar i çdo specieje tjetër”, - tha Rama.

Gjithashtu, në mbyllje të vizitës në Divjakë, Kryeministri siguroi për mbështetje të vazhdueshme ndaj fermerëve të kësaj zone, dukë nënvizuar edhe peshën që ajo ka në të ardhurat për ekonominë kombëtare. “Nga ana tjetër, transformimi rrënjësor që po sjellim në mbështetje të fermerëve, duke pastruar gjithë kanalet vaditëse, duke pastruar gjithë kanalet kulluese, do të na japë shifra ende më entuziazmuese të eksportit, që në këtë zonë është nga një nga burimet e veta më intensive dhe që në këtë zonë mund të japë shumë më tepër të ardhura për ekonominë tonë kombëtare”, vijoi Rama.

Kryeministri vlerësoi realizimin e këtyre projekteve dhe siguroi se shumë shpejt, në Divjakë, projekte të tjera do vihen në proces. “Kantieret e Rilindjes së qyteteve do të funksionojnë shumë mirë edhe për Divjakën, ku jo vetëm disa projekte janë vënë në proces zbatimi, por disa projekte të tjera do të vihen në proces shumë shpejt, në mënyrë që Bashkia e re e Divjakës të jetë një nga Bashkitë model për transformimin në shumë plane, në të gjithë Republikën e Shqipërisë” – u shpreh Kryeministri.

KOMENTE