Nesër e martë 4 nëntor, të gjithë besimtarët bektashinj festojnë ditën e Hashures.
Kjo festë konsiderohet ndër më të rëndësishmet për besimtarët bektashinj, që e konsiderojnë si ditën e Martirizimit të imam Husejnit, që u rrethua në shkretëtirën e Qerbelasë 1400 vite më parë dhe u vra së bashku me një numër të madh besimtarësh të tjerë.
Baba Edmond Brahimaj uroi besimtarët duke kërkuar më shumë paqe në botë e dashuri mes njerëzve.
Festa e Hashures vjen pas 10 ditësh agjërimi gjatë të cilave përkujtohet kjo masakër e kryer në Irak. Këto 10 ditë agjërim njihen edhe si ditët e Matemi.
**************************
Fjala “ashura” vjen nga arabishtja dhe rrjedh nga rrënja “ashr” që në gjuhën arabe do të thotë dhjetë. Dita e Ashures është dita e dhjetë e muajit Muharem. Sipas një transmetimi të Abdullah ibn Abasit kur profeti Muhamed (a.s) erdhi në Medine, vuri re që hebrenjtë mbanin agjërim ditën e ashures dhe pyeti shkakun.
Ata iu përgjigjën : “Kjo është një ditë e madhe. Atë ditë Allahu e shpëtoi Musain dhe popullin e tij nga dhuna e Faranit. Si falënderim për këtë, profeti Musa agjëroi atë ditë. Edhe ne për respekt agjërojmë”. I dërguari Allahut (a.s) u shpreh : “Ne e nderojmë më shumë se ju profetin Musa (a.s)”. Duke mbajtur edhe vetë agjërim urdhëroi popullin e tij të agjërojë ditën e ashures