English

2 monedha të reja do të hidhen në qarkullim nga 1 dhjetori

Banka e Shqipërisë njofton publikun se duke filluar nga data 1 dhjetor 2014 do të hidhen në qarkullim monedhat metalike shqiptare me vlerë nominale 1 Lek dhe 10 Lekë, me kurs ligjor, emetime të vitit 2013.

Rishtypja e monedhave metalike shqiptare me kurs ligjor, me vlerë nominale 1 Lek dhe 10 Lekë, është miratuar me vendimin nr. 06, datë 17.01.2013 të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, në mbështetje të ligjit nr. 8269, datë 23.12.1997 “Për Bankën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

Monedha e re metalike, me vlerë nominale 1 Lek, emetim i vitit 2013, ka të njëjtën përbërje, pamje, përmasa dhe peshë me monedhën metalike me vlerë nominale 1 Lek, emetim i vitit 2008, hedhur në qarkullim më 21 korrik 2010. Ndryshimi nga emetimi i fundit qëndron tek viti i emetimit në trupin e monedhës, i cili në monedhën e re do të jetë “2013”.

Monedha e re metalike, me vlerë nominale 10 Lekë, emetim i vitit 2013, ka të njëjtën përbërje, pamje, përmasa dhe peshë, me monedhën metalike me vlerë nominale 10 Lekë, emetim i vitit 2009, hedhur në qarkullim më 26 mars 2010. Ndryshimi nga emetimi i fundit qëndron tek viti i emetimit në trupin e monedhës, i cili në monedhën e re do të jetë “2013”.

Duke filluar nga data 1 dhjetor 2014, monedhat metalike me vlerë nominale 1 Lek dhe 10 Lekë, me kurs ligjor, emetime të vitit 2013, do të përdoren si mjet pagese paralelisht me të gjitha monedhat metalike ekzistuese në qarkullim të këtyre prerjeve, të emisioneve të mëparshme.

KOMENTE