Radiografia e trupës mësimore të vendit nxorri rezultate tronditëse. 1984 mësues pa arsimin përkatës! 2065 mësues jashtë profilit! 1184 mësues që kanë marrë për vite të tëra rrogat pa asnjë ditë punë. Ky krim shtetëror me rrënjët në korrupsion e klientelizëm politik, përmes të cilit është vjedhur për vite me radhë e ardhmja e qindramijëra fëmijëve dhe është cënuar fati ynë kombëtar, do të goditet me tolerancë zero. Sistemi i sotëm i emërimit të mësuesve dhe i vlerësimit të tyre, do të përmbyset me themel. Deri në 30 nëntor do të regjistrohen në një bazë unike të dhënash të gjithë emrat e kandidatëve për mësues në rang vendi sipas qarqeve.
Deri në 30 dhjetor do të jetë kryer Provimi Kombëtar me bazë qarqesh, prej ku do të dalin mësuesit zëvendësues të atyre që nuk kanë arsim përkatës apo që janë jashtë profilit. Në janar do të shpallet kalendari për testin e liçencimit të çdo mësuesi të Republikës së Shqipërisë. Klientelizmi politik dhe korrupsioni, si dy pengmarrësit e sistemit arsimor parauniversitar në vite, do të marrin përmes këtij procesi një goditje historike. Dhe historia e shëmtuar e këtij krimi shtetëror do të jetë kapitull përfundimisht i mbyllur.