English

Zyrat janë tonat, pushteti është i popullit. Luiza Xhuvani jep dorëheqjen

Deklaratë e deputetes socialiste Luiza Xhuvani:

Fjalët nuk më mjaftojnë për të shprehur dhimbjen dhe drithërimat e shpirtit!

Dhimbje për katër jetët e humbura!

Dhimbje për familjarët e atyre, që sot vajtojnë bijtë, që nuk jetojnë më! Sigurisht, dhimbjen e një nëne që sot e ka të pamundur të mbajë fajet e të birit.

E kuptoj se, sot, gjëja më e lehtë dhe e thjeshtë është të fajësosh prindërit e familjen e Kostandinit. Edhe pse nuk bëhet fjalë për një fëmijë, por për një burrë 26 vjeç.

Edhe unë, edhe Gjergji përfaqësojmë një familje që nuk ka asnjë lidhje me krimin. Të dy njerëz të lidhur me artin dhe kulturën, të përkushtuar ndaj profesionit.

Prindër, që si çdo prind dëshiron më të mirën për fëmijët e vet, por mesa duket paskemi qënë të pafat në këtë drejtim.

Ngjarja e ndodhur sot në të gdhirë është një ngjarje tragjike. Por ajo ngjarje nuk ka asnjë lidhje me familjen e Kostandinit. Nuk ka lidhje as me prindërit e tij, as me mandatin që unë, nëna e tij, ushtroj.

Janë 4 familje që sot vajtojnë humbjen e njerëzve të tyre më të shtrenjtë.

Janë 4 familje që sot kërkojnë drejtësi.

E drejtësia duhet të bëjë drejtësi.

Drejtësia duhet t'i trajtojë të gjithë të barabartë përpara ligjit.

Kush është prind më kupton. Kush është nënë më kupton edhe më mirë. Kostandini është djali im dhe pavarësisht të gjithave do të mbetet djali im.

E, pikërisht, se një nënë duhet të gjendet pranë fëmijës edhe në momente tragjike si këto, me bindjen se drejtësia duhet të veprojë me rreptësi ndaj çdokujt që shkel ligjin edhe kur behet fjalë për fëmijën tënd, për t’i hequr çdo lloj alibie çdokujt që mund t’i shkojë nëpër mend se ligji nuk zbatohet njësoj për të gjithë, në pamundësi për të vazhduar t’i shërbej dhe t’i dedikohem zonës që më ka zgjedhur, duke kërkuar ndjesë, kam paraqitur Kryeministrit të vendit dhe Kryetarit të PS, dorëheqjen time si deputete e Sarandës.

Mos i ndodhtë asnjë prindi kjo që më ka ndodhur mua. Mos i ndodhtë askujt ajo tragjedi që ka ndodhur sot në të gdhirë.

Jam nëna e Kostandinit dhe ai do të jetë gjithmonë biri im. Nuk mund ta mohoj se ai është gjaku im.

Do të tërhiqem në thellësinë e dhimbjes me peshë të parehabilitueshme.

Drejtësia le të bëjë drejtësi!



***

Konferenca për shtyp e Kryeministrit Edi Rama:

Dua t’ju drejtohem sot të gjithëve ju, lidhur me ngjarjen e rëndë kriminale që ndodhi në të gdhirë në kryeqytet.

E ndjeva për detyrë të reagoj në vetë të parë, sepse në këtë ngjarje është përfshirë djali i deputetes sonë Luiza Xhuvani.

E para gjë për të cilën kam menduar qysh në sekondën kur mora lajmin e rëndë për këtë ngjarje, ishin prindërit.

Prindërit e të vrarëve dhe prindërit e të dyshuarit kryesor si autor i vrasjeve. Të parët qytetarë të panjohur për mua, të dytët miqtë e mi të dashur.

Besoj se arrij ta kuptoj çfarë mund të ndjejnë nënat, baballarët, të afërmit e miqtë e katër të vrarëve; për humbjen tragjike po edhe për faktin se i dyshuari kryesor i policisë për tragjedinë e familjeve të tyre, është djali i një deputeteje.

Pa asnjë dyshim, ky fakt e vështirëson ende më shumë përpjekjen e tyre sidoqoftë shumë të vështirë, për të gjetur forcën të përballojnë humbjen e pangushëllueshme të një fëmije.

Pa asnjë dyshim, ky fakt e bën të pamundur edhe për opinionin publik që të mos jetë posaçërisht i ndjeshëm ndaj këtij krimi që mori jetën e katër njerëzve.

Pa asnjë dyshim, historia e gjithë këtyre viteve të vështira në raportet aspak normale të shtetit me krimin, ku jo një herë fëmijët e njerëzve të politikës janë gjendur të përzier - sepse kanë qenë të përzier me dashjen e tyre të plotë, ose sepse lufta politike i ka përzier për të përbaltur prindërit e tyre -, nuk ka qenë një histori e denjë as për shtetin as për politikën. Dhe nuk ka qenë gjëkundi një histori që ndihmon për të pritur me qetësi fjalën e drejtësisë.

Përkundrazi.

Kjo histori papastërtie sociale ka krijuar tek njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, idenë se ka një ligj për fëmijët e tyre dhe një ligj për fëmijët e politikanëve; një shtet për vrasësit, kontrabandistët, armëmbajtësit pa leje, kundravajtësit e çfarëdolloji pa baballarë e nëna me emër në politikë, dhe një shtet tjetër për të njëjtin lloj krimesh e kundravajtjesh me autorë politikanët, zyrtarët e lartë apo fëmijët e tyre; shkurt, një Shqipëri për fëmijët e njerkës popull dhe një Shqipëri për fëmijët e nënës politikë.

Unë nuk e di se sa ndër fëmijët që u bënë personazhe të famshëm të kësaj historie prej dy dekadash të trazuara, janë shkaktarë krimesh e autorë kundravajtjesh dhe se sa ndër ta, janë viktima të propagandës kriminalizuese të politikës.

Por sot unë di me siguri që koha e dyfytyrësisë së qeverisë në luftën me krimin e me kundravajtësit, ka perënduar në 23 qershor; koha e djalit që nxirrte babën përpara, për të mohuar baxhanakun e vet nga Salla e Konferencave të Kryeministrisë apo për ta trajtuar New York Times-in si letër higjienikë nga foltorja e Kuvendit, kur 26 vetë ishin pjekur të gjallë nga shpërthimi i korrupsionit të familjes në pushtet, ka mbaruar në 23 qershor; koha e Policisë së Shtetit, që kërcënonte një kamarier të qëlluar me plumb nga truproja i të birit të kryeministrit, duke e detyruar të tërhiqte dëshminë dhe e kryeministrit që çonte truprojat e veta për të blerë me para, përkrahjen e familjes së një djali të vrarë nga qeveria e tij në mes të bulevardit, ka vdekur në 23 qershor.

Unë nuk e di çfarë do të kishte bërë policia e asaj kohe, nëse në batërdinë e përgjakshme të një lokali nate në Tiranë, do të kishte gisht ndonjë nga fëmijët e privilegjuar të pushtetit të kohës që iku.

Çfarë kemi jetuar nuk na jep asnjë mundësi për të thënë se ajo polici, do të sillej siç u soll Policia e Shtetit sot.

Për shembull, e kam të vështirë ta imagjinoj se ajo polici do ta kishte ndjekur pas të armatosur, duke rrezikuar jetën e vet, dhe do ta kishte arrestuar në flagrancë fëmijën në fjalë, duke informuar në kohë reale publikun për arrestimin e tij.

Çfarë u provua përsëri sot, është se Policia e Shtetit është në krye të detyrës ndaj kujtdoqoftë që i del përpara si objekt i punës së saj.

Gjithashtu, e kam fare të pamundur ta imagjinoj që në atë kohë, do të ndryshonte në ndonjë gjë rruga e drejtësisë për fëmijën në fjalë nga rruga e drejtësisë që nxorri të pafajshëm vrasësit e 21 janarit.

Çfarë do të ndodhë më tej me çështjen, sigurisht që do ta vendosë drejtësia. Por nëse herë të tjera, unë e kam ngritur zërin ndaj gjykatësve duke kërkuar drejtësi, nuk kam ndërmend ta ul sot.

E nëse mesazhi i tërheqjes së Luiza Xhuvanit nga angazhimi politik, duhet t’i vlejë politikanëve si mësim shembullor dhe politikës, si pikë kthese në raport me etikën e aktivistëve të saj, ai duhet t’u vlejë gjykatësve si një dëshmi domethënëse për çfarë ka ndryshuar në Shqipëri në marrëdhëniet mes shumicës qeverisëse dhe gjykatave të këtij vendi.

Zyrat janë tonat, pushteti është i popullit.

Fëmijët janë tanët, ligji është njësoj për të gjithë fëmijët.

Sidoqoftë, që të mos bëjmë konfuzion me termat, djali i Luiza e Gjergj Xhuvanit, nuk është fëmijë.

Është një burrë 26 vjeç që është tragjedia e gjallë dhe e pamerituar e dy prindërve të mrekullueshëm. Të cilët s’kanë asgjë, absolutisht asgjë të përbashkët me pushtetin e krimit, me politikën e përfitimit apo me jetën e ulët.

Gojët e mbushura plot që u zbrazën sot ndaj Luiza Xhuvanit nga një opozitë që na la peshqesh Shqipërinë Informale të tokës së xanun, drejtësisë së shitur, energjisë së vjedhur, diplomave të blera, armëve të lëna sheshit e krimit që drejtonte policinë, i përkasin jetës së ulët.

Ndërsa gruaja e nëna, të cilës i ra sot fatkeqësia ta jetojë në çdo qelizë të vërtetën e asaj shprehjes, “Ç’të bën fëmija, s’ta bën as Perëndia!”, dhe që si asnjë burrë më parë në këtë vend, u tërhoq nga angazhimi politik për një sens etike të panjohur deri më sot në Shqipëri, i përket jetës së lartë prej nga erdhi në politikë.

Luiza i përket jetës krijuese të një çifti artistësh, të cilët kanë bërë histori në kinematografinë e teatrin shqiptar, dhe sot janë dy prindër tragjikisht fatkeqë që tanimë duhet ta jetojnë jetën e tyre familjare si një film të stërmundimshëm pambarim; në një apartament të vjetër e modest artistësh që kanë jetuar gjithnjë me të ardhurat e punës së ndershme e pak fitimprurëse krijuese; me një vajzë të mrekullueshme e të shkëlqyer në mësime dhe një djalë që, me shumë gjasë, do ta ketë të gjatë rrugën e kthimit për në shtëpi.

Miqësia ime me Luizën e me Gjergj Xhuvanin, i ka rrënjët larg në vite, kur ishim studentë në Akademinë e Arteve.

Sukseset e tyre në krijimtari më kanë bërë të ndjehem krenar që jam miku i tyre dhe i tillë do të jem deri në fund.

Nuk do të kisha dashur kurrë që t’u ndodhte kjo gjëmë dhe as që të ndodhesha sot përballë dhimbjes së tyre prindërore.

Por sot jo vetëm unë, po të gjithë ne që besojmë tek etika e politikës, tek e vërteta se politika nuk është vetëm skena e jetës së ulët, po është edhe hapësira e pazëvendësueshme e qëllimeve të mira, ku së bashku mund ta bëjmë më të mirë vendin e jetën tonë, jemi krenar që jemi miq të Luiza Xhuvanit.

Sepse Luiza dëshmoi sot se të merresh me politikë për qëllime të mira, nuk është hiç njësoj si të luash teatër.

KOMENTE