English

Klinika e Ligjit në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, feston përvjetorin e parë

Dje, USAID-i dhe Universiteti i Tiranës festuan së bashku me studentët e drejtësisë përvjetorin e parë të Klinikës së Ligjit. Klinika e Ligjit në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës (FDUT) është një prej aktiviteteve të mbështetura nga USAID-i për të forcuar arsimimin juridik në Shqipëri. Në ceremoninë e djeshme, Ministri i Drejtësisë, Z. Nasip Naço, Drejtori i USAID-it në Shqipëri, Z. Marcus Johnson, Rektori i Universitetit të Tiranës, Z. Dhori Kule dhe Dekani i FDUT-së, Z. Altin Shegani, përgëzuan studentët për rezultatet e arritura.

Në vitin e fundit, USAID-i ka përfunduar punën për ngritjen e laboratorit të studentëve, duke e plotësuar atë me pajisje IT dhe mobilim modern për të lehtësuar procesin e mësimdhënies. Gjithashtu, USAID-i ka krijuar zyrën e pritjes së klientëve që kanë nevojë për ndihmë juridike falas, si dhe një sallë gjyqi imitues, ku mbi 80 studentë kanë përfituar tashmë nga trajnimi mbi aftësitë e prezantimit të çështjes në gjyq dhe organizimi i gjyqeve imituese, sipas një metodologjie që bazohet në të mësuarin përmes praktikës.

Forcimi i arsimimit juridik ka qenë një shtyllë e rëndësishme e asistencës së USAID-it për sistemin shqiptar të drejtësisë. Arsimimi juridik përbën një nga tri komponentët e projektit të USAID-it për forcimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri (JuST). Përveç ngritjes së Klinikës së Ligjit në FDUT, projekti ka përfshirë në kurrikulë metodën e të mësuarit që bazohet më tepër mbi përvojën nga praktika e përditshme ligjore dhe ka mundësuar me sukses realizimin e praktikave që ndihmojnë studentët të rriten profesionalisht. Duke filluar nga ky muaj, Programi i Arsimimit Ligjor Klinik në FDUT do të ofrohet në kurse njëvjeçare për studentët e programeve Master në departamentin e të drejtës publike, atë penale dhe të së drejtës civile.

KOMENTE