“Shtëpia e Zotërinjve” është qendra më e re e përkujdesit ndaj të moshuarve në Tiranë. Qendra vjen si një iniciativë private që ofron shërbim rezidencial dhe ditor për të moshuarit, por e ndërtuar mbi një koncept tërësisht novator si ai i biznesit social dhe e mbështetur nga Qendra “Yunus Social Business Albania”.
Në këtë Qendër ishte Kryeministri Edi Rama sëbashku me Prof. Muhammad Yunus fitues i çmimit Nobel dhe Ministri i Mirëqennies Sociale Erion Veliaj. Muhammad Yunus është iniciator i zhvillimit të konceptit të biznesit social, i cili prej disa kohësh jep kontributin e tij edhe në Shqipëri, përmes “Yunus Social Business Albania”, për ngritjen dhe mbështetjen e sipërmarrjes sociale.
Drejtuesja e Qendrës u shpreh se u arrit që ky koncept i ri të vihej suksesshëm në jetë, me mbështetjen e “Yunus Social Business”, si dhe mbështetjes që ka marrë nga Qeveria.
Profesor Yunus tha se qëllimi i kësaj iniciative ishte t’u ofrojë të moshuarve kujdes shoqëror. “Është diçka që e kishim në mendje, në imagjinatë dhe tani është realitet. Kjo është diçka që mund të ndodhë. Është diçka që ne nga imagjinatë mund ta bëjmë ralitet. Kjo shtëpi është një provë. Është një përpjekje e veçantë, nëse dëshiron që ta drejtosh në mënyrë të qëndrueshme. Ndaj, nuk është e nevojshme të kërkosh fonde për këtë ndërtesë, sepse ajo mbahet me të ardhurat e veta. E gjithë ideja është të reduktojmë kostot sa më shumë të jetë e mundur, ta bëjmë të leverdisshme për njerëzit, që të kenë shërbime si ndihma mjekësore, shoqëria e njëri-tjetrit, kujdesi familjar, dhe të gëzojnë jetën sepse ndihen të izoluar për faktin se nuk takojnë njerëz të tjerë si ta. Sot, ata kanë shoqërinë e të tjerëve”
Ministri Veliaj theksoi se Qeveria do të mbështesë zhvillimin e biznesit social, në bashkëpunim me sipërmarrjen, në mënyrë që të zhvillohet koncepti i ri i çështjeve sociale.
“Ky është një koncept novator që bashkë “Yunus Social Business” kemi ndërmarrë për t’iu larguar idesë klasike që kemi pasur me ato që quheshin azilet shtetërore dhe për të shkuar në një bashkëpunim publik-privat, ku kjo nuk është më një azil, por është një shtëpi e të moshuarve, ashtu siç e ka emrin “Shtëpia e zotërinjve,” u shpreh Veliaj.
Gjatë qëndrimit aty, Kryeministri me profesor Yunus pati biseda të lira dhe shkëmbeu batuta me të moshuar. Ata u interesuan për kushtet e jetesës dhe të shërbimit. “Të falenderoj dhe kemi kënaqësi të madhe se nuk na e merrte mendja që një kryeministër të vinte të takonte,” – u shpreh një banor i “Shtëpisë së Zotërinjve”. Të cilit, Kryeministri me humor iu përgjigj: “Do vij prapë e prapë këtu dhe do të të gjej, se moshë e vjetër, po kockë e fortë je”.