English

Dy studime për strehimin social në Shqipëri

Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit në bashkëpunim me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) prezantuan sot dy studime në lidhje me strehimin social në Shqipëri, përkatësisht: "Analiza e situatës së strehimit social në Shqipëri" dhe "Vlerësimi i nevojave për strehim social".

Në konferencë mori pjesë Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit znj. Eglantina Gjermeni, Zëvendësministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë znj. Bardhylka Kospiri, Koordinatorja e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri dhe Përfaqësuese e Përhershme e UNDP, znj. Zineb Touimi Benjelloun, Drejtor i Zyrës së Bashkëpunimit Zviceran në Shqipëri z. Holger Tausch, drejtues të Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit , ekspertë dhe specialistë të fushës së studimit.

Në fjalën e saj, Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit znj. Eglantina Gjermeni nënvizoi rëndësinë e një çështjeje me impakt të jashtëzakonshëm siç është strehimi. “Të përballur me një situatë ku kërkesat e qytetarëve për strehim ishin përherë e më shumë në rritje, morëm një vendim të përbashkët me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim që të bënim një Vlerësim të Situatës dhe të identifikonim Nevojat për Strehim Social”, - tha ajo. Sipas Ministres Gjermeni studimet e realizuara kanë një qëllim të përbashkët: marrjen e vendimeve të mbështetura në fakte. “Të dyja studimet janë pjesë e angazhimit tonë për hartimin e Strategjisë së Strehimit që përgatitet për herë të parë në vend. Ajo do të hedhë piketat për investimet në këtë sektor, krijimin e programeve sociale për shtresat më vulnerabël dhe të papërfshira si dhe angazhimin e partneritetit publik privat”, - deklaroi ministrja.

Studimi i parë “Vlerësimi i nevojave për strehim social në Shqipëri”, është zbatuar në tre bashki, atë të Lezhës, Beratit dhe Tiranës. Ai hedh dritë mbi kërkesën dhe ofertën për strehim social në nivel vendor. Ky studim, mes të tjerave vë në dukje se ekziston një nevojë e madhe e paplotësuar për strehim social.

Studimi i dytë me titull “Analiza e situatës së strehimit social në Shqipëri, trajton problematika si, lloji i mbrojtjes që ofrohet për grupet vulnerabël dhe karakteristikat kryesore të aplikantëve dhe përfituesve. Gjetjet e këtij studimi tregojnë se trajtimi i problemit të mungesës së strehimit në Shqipëri, kërkon marrjen e disa hapave në të njëjtën kohë, si rishikimin e kuadrit ligjor, fuqizimin e kapaciteteve financiare të njësive vendore dhe rritjen e vëmendjes për programet sociale të strehimit dhe financimit për të varfrit.

Të dyja këto studime do të përdoren për të ndërtuar Strategjinë Kombëtare të Strehimit dhe Planin e Veprimit të Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit. Ato u hartuan nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në kuadër të "Programit të Kombeve të Bashkuara për Përfshirjen Sociale në Shqipëri", të financuar nga Zyra e Bashkëpunimit Zviceran në Shqipëri, të zbatuar nga Qeveria Shqiptare dhe Kombet e Bashkuara.

KOMENTE