Të gjithë ne, pavarësisht në bëhet fjalë për një vend a një qenie njerëzore, jemi produkt i së kaluarës sonë dhe asaj çka mësojmë prej saj. Jemi, po kështu, produkt i karakterit dhe i ambicieve tona.
Sot, unë jam Kryeministër. U zhvillova nga ai që isha, për t’u bërë ky që jam. Jam i njëjti njeri, që bën gjëra të ndryshme.
Unë kam qenë artist. Ende më pëlqen të pikturoj, porse kam më pak kohë. Megjithatë, edhe në politikë përpiqem të pikturoj mbi një kanavacë.
Përfytyroj si e dua vendin tonë të jetë, të ndjej si dua që ai të ndryshojë, ndërsa bota rreth nesh ndryshon.
Nuk po them që të gjithë kryeministrat duhet të jenë artistë, aspak kështu. Është mirë që politika të jetë një bashkim njerëzish nga fusha të ndryshme.
Nga Regani (aktor), te Kryeministri suedez (saldator), larmia e përvojave është e jashtëzakonshme.
Edhe atëherë kur kjo larushi formimesh nuk është kaq mbresëlënëse, Margaret Theçer ishte kimiste, Angela Merkel, doktore shkencash në kimi fizike, penelatat e tyre në tablonë e madhe nuk janë kurrësesi të ngjashme, por që të dyja lënë mbresë.
Besoj se aftësitë që kemi në një fushë, mund të na ndihmojnë ose pengojnë në një tjetër, edhe pse pavarësisht gjithçkaje, artisti brenda meje nuk resht asnjëherë.
Dikur, në zyrën time, takova dikë që u ofendua jashtë mase sepse, ndërsa flisnim, unë vizatoja.
Vizitorët e mi të përhershëm janë të mësuar me këtë. Unë kështu bëj gjithmonë. Po kështu, edhe në programin ditor të punës, shkarravis gjithkund. Njëfarësoj, tryeza e punës është atelieja ime. Por vizitori që u ofendua pse unë vizatoja, mendonte se nuk kisha interes për çka po thoshte.
Më tha: “Erdha këtu sepse kam një problem, ndaj mos vizato kur të flas”.
I kërkova ndjesë, lashë lapsin, diskutuam për problemin që e kish sjellë tek unë dhe u largua.
Herën tjetër që e takova, m’u kujtua sesi ishte ofenduar dhe e shtyva mbajtësen me lapsa në cepin e jashtëm të tryezës e nuk vizatova, por, sërish, nuk qe i kënaqur. Në fund tha: “Më duket sikur nuk po më dëgjon. Më shikon, por nuk je këtu”.
Aty i thashë: “Dëgjo, nëse do që të përqendrohem, nëse do të të dëgjoj e të jem vetja, më lër të vizatoj”.
Hera e parë në jetë që hyra në një ndërtesë shtetërore në Shqipëri ishte kur u bëra Ministër i Kulturës.
Ndodhi për një çast, në rrethana të jashtëzakonshme. Jeta ka shumë kthesa dhe ajo nuk ish një nga ato që prisja, por kjo është histori për t’u rrëfyer një tjetër ditë.
Ishte viti 1998 dhe ndërsa përshtatesha me këtë jete të re, mendoja se e kisha varrosur piktorin brenda meje.
Më pas, dy vite më vonë, kandidova në zgjedhjet për Kryetar Bashkie të Tiranës dhe fitova. Pashë një qytet me shumë sfida, që qëndronte përballë shumë pritshmërive që kishte nga fushata ime.
Aty ndjeva shtysën time në politikë, dëshirën për t’iu ofruar njerëzve një ardhme më të mirë, shkrirë me ngasjen artistike.
Drejtova një plan për të lyer me ngjyra të ndezura ndërtesat e zymta e të pajeta në rrugën kryesore hyrëse të qytetit.
Për mua, qe art si aksion politik me ngjyra, jo me fjalë e as me ligje.
Kur lyem ndërtesën e parë, duke e larë grinë e zymtë me portokalli të ndezur, ndodhi diçka e pabesueshme. Trafiku u bllokua dhe një turmë njerëzish u mblodhën a thua se ishin duke parë një aksident spektakolar apo syri iu kish zënë befas ardhjen e një ylli të muzikës pop.
Një zyrtar francez i BE-së, i ngarkuar me administrimin e fondeve nxitoi të bllokonte lyerjen.
Ai filloi të bërtiste se do të ngrinte financimet.
“Po pse?” – e pyeta.
“Sepse ngjyrat që keni marrë nuk përmbushin standardet evropiane”, – u përgjigj.
“Epo - i thashë, - as objektet përreth nuk i përmbushin standardet evropiane, edhe pse kjo nuk është ajo që duam, por ngjyrat do i zgjedhim vetë, sepse kjo është pikërisht ajo që duam. E nëse nuk na lini të vazhdojmë punën, do të mbaj një konferencë për shtyp në këtë moment, këtu në rrugë dhe do u them njerëzve se censuruesit e vjetër të kohës së komunizmit janë rimishëruar si financierë të BE-së”.
Ai u shqetësua ca e më kërkoi të gjenim një kompromis.
Po unë i thashë “jo, më vjen keq zotëri, por, te ngjyrat, kompromisi është gjithnjë grija dhe ne kemi aq shumë gri sa na mjafton për tërë jetën, ndaj koha ka ardhur që ta ndryshojmë”.
Ngjyrat e gjelbra e të verdha, të purpurtat e portokallitë me të cilat spërkatëm anembanë kryeqytetit tonë ish-komunist nuk do i bënin njerëzit më pak të uritur ose më të begatë, por ky akt i parë i madh duhej të ishte diçka që t’iu thoshte se hapësira ku jetonin ishte e tyre.
Pra, këto ngjyra i bënë të ndihen më mirë për vendin ku jetonin. I bënë të shihnin mundësi në një hapësirë ku dukej sikur nuk kish aspak vend. I bënë të kuptonin se ndryshimi mund të vijë në forma të ndryshme, edhe kur buxheti i qytetit është zero presje diçka.
Kur e kaloja shumicën e kohës si artist, kryesisht në Paris, isha kundër politikës, të paktën kundër asaj të llojit shqiptar e ballkanas. Kështu mendoj se janë shumica e artistëve.
Por me kalimin e viteve si kryetar bashkie dhe, më vonë, si kryetar partie e Kryeministër, u binda mjaft se politika në formën e saj më të mirë është një aktivitet i vlefshëm e kuptimplotë, që e bën botën një vend më të mirë.
Të njëjtën gjë bën edhe arti, në të tjera mënyra. Unë jam kaq i lumtur që kam qenë në pozitën që t’i bëja bashkë të dyja.
Si artist, si politikan, ose si artist dhe politikan, unë nuk është se debatoj vetëm me zyrtarët e BE-së. Njëherë debatova edhe me dikë nga Banka Botërore.
Kur, shumë vite më parë, i thashë Drejtorit të Bankës Botërore për Shqipërinë, se doja që të financonin sallën e re të pritjeve ku qytetarët merrnin shërbime publike, si pjesë e fushatës kundër korrupsionit, ata nuk më kuptuan. Habiteshin mjaft, kur iu thoja se një hapësirë publike dinjitoze do ishte një kontribut i madh kundër korrupsionit.
Njerëzit prisnin në radhë të gjata në diell e shi për të marrë një certifikatë ose thjesht vetëm një përgjigje përpara sporteleve të vogla të dy kioskave metalike.
Përgjigjja për atë që kërkonin iu vinte nga një zë diku nga një vrimë e errët dhe, nga ana tjetër, një dorë misterioze u merrte dokumentet duke rrëmuar për ryshfet nëpër dokumentet e vjetra. Sistemi punonte për korrupsionin, jo për njerëzit, të cilët nëse donin të shmangnin radhën, iu duhet të paguanin nën dorë.
Ne mund të ndryshonim punonjësit e padukshëm brenda kioskave çdo javë, por nuk mund të ndryshonim këtë praktikë korruptive.
Fatmirësisht, e binda Bankën Botërore që ta financonte këtë ide.
Kioskat i hoqëm. Ndërtuam një hapësirë krejt të re publike plot dritë në sallën e pritjes, ku njerëzve, qytetarëve të Tiranës, sa herë që hynin për kërkesat e tyre, iu dukej se kishin udhëtuar jashtë vendit.
Krijuam një sistem elektronik të kontrollit dhe, kështu, përshpejtuam të gjitha proceset.
Vendosëm të parin qytetarin, jo punonjësit.
Kësisoj vërtetuam diçka mjaft të shëndetshme, se nuk bëhet fjalë për gjene. Nuk është puna se ca kanë ndërgjegje më të lartë, ndërsa të tjerëve iu mungon krejt. Për shembull, nuk mund të imagjinosh një emigrant shqiptar në Gjermani që nget makinën pa vënë rripin e sigurisë, por kam parë ta bëjnë këtë punonjës të ambasadës gjermane në Shqipëri. Nuk ka të bëjë, pra, me gjenet. Ka të bëjë me mjedisin dhe respektin.
Ka të bëjë me sistemin dhe partneritetin.
Kështu, tani, si Kryeministër, jam edhe një herë duke u përpjekur të përmirësoj mjedisin e jetës së përditshme të njerëzve.
Edhe njëherë po shembim ndërtesat e paligjshme. Po rrekemi sërish ta vëmë artin e kulturën në zemër të rilindjes sonë ekonomike e shoqërore, e për ta bërë kulturën pjesë të qeverisjes sonë. Ne kemi një projekt në vazhdim që është shndërrimi ndërtesës së Këshillit të Ministrave në një hapësirë me funksione të ndryshme, ku kati i parë të përdoret për kulturën i dyti për qeverisje.
Një gjë e di mirë, se po aq sa politika mund të jetë një forcë për keq, po ashtu mund të jetë një fuqi për mirën dhe, në formën e saj më të mirë, ajo mund të transformojë botën.
Po kështu ndodh edhe me artin, pasi ai përfshin pështjellim për ndryshim, ndërkohë që duhet kuptuar, siç ka thënë Kafka, dikur.
Artistët duhet të orvaten të interpretojnë botën e gjithë ndryshimin që ndodh brenda saj. Po kështu duhet të bëjnë dhe politikanët.
Artistët janë ata që japin shpresë. Po kështu duhet të jenë dhe politikanët.
Sa herë, ndër vite, kemi dëgjuar udhëheqësit politikë të thonë se duhet "të përqendrohemi në tablonë në tërësi"?
Ç’është kjo tablo? Është vizioni që kemi për botën. Çfarë ka brenda ky vizion?
Ai përbëhet nga goditje të mëdha e të guximshme penelatash, që kombinohen për t’i dhënë jetë ndryshimit për të cilin bota ka nevojë.
Çfarë ka në kokë një artist kur pikturon? Idenë e një vepre të përfunduar.
Sot, pra, si udhëheqës i vendit tim, në mendje kam vizionin e një vendi që është më modern, një vendi njerëzit e të cilit janë më të begatë, një vendi ku shërbimet publike iu shërbejnë njerëzve e jo atyre që i drejtojnë.
Unë e di ç’ndjesi është dhe, nëpërmjet udhëheqjes sime dhe vendimeve që po marrim, po përpiqem ta kthej këtë vizion në realitet.
Kjo është tabloja e tërë. Një përpjekje për të kapur çastin e duhur, për të krijuar hapësirë aty ku s’ka ekzistuar kurrë më parë.
Pa mendojeni e do të gjeni shumë shembuj në historinë botërore.
Krijuesit e Bashkimit Evropian kanë hyrë në histori pikërisht si njerëzit që patën aftësinë dhe vizionin për ta bërë atë realitet.
Ne mund t’i përfytyrojmë ata si piktorët e një tabloje të madhe kombesh, historish e popujsh, të cilët e vunë veten dhe interesat e ngushta të vendeve tëtyre në shërbim të një ideali të madh.
Një tjetër pjesë e tablosë sime të madhe është ajo e një Ballkani të ri. Një Ballkan paqësor dhe i begatë.
Kjo do të ish, me siguri, një hapësirë si kurrë më parë nuk ka ekzistuar.
Megjithatë, mendoni: këtë vit përkujtojmë njëqindvjetorin e Luftës së Parë Botërore, një luftë që nisi nga Ballkani për të përfshirë kontinentet tej e tej, si lajmëse e vdekjes dhe vuajtjes, të cilat brezi ynë e ka të vështirë t’i imagjinojë. Këtë vit, ndërkohë, ne përjetojmë të parin vit paqeje në çdo kufi të rajonit tonë, si kurrë më parë.
Unë vij, sot, te ju pikërisht në të njëjtën javën që u bëra Kryeministri i parë shqiptar që vizitoi Serbinë pas më shumë se 60 vjetësh.
Një Ballkan i paqtë e i begatë. Një Shqipëri e fortë, si pjesë e një Bashkimi të fuqishëm Evropian. Këto janë penelatat e mëdha e të guximshme që dua t’i bëj pjesë të kësaj tablosë sonë të madhe.
Ky është vizion që më frymëzon, më frymëzon të punoj ditë e natë që të bëhet realitet.
Dhe këto dy pjesë të të njëjtit vizion shkojnë krah njëra-tjetrës.
Një Ballkan në paqe dhe i begatë është e mira e Bashkimit Evropian, sikurse edhe Bashkimi Evropian – pavarësisht ndonjë burokrati të rastit super të zellshëm – është e mira e Ballkanit.
Mendoni për forcat që kanë shenjuar Evropën, racizimi, nacionalizmi, ksenofobia... së bashku mund të fitojmë kundër tyre.
Së bashku mund të krijojmë hapësirën për shumëllojshmëri kulturash, besimesh dhe identitetesh që do të jetojnë përkrah njëri – tjetrit.
Dhe tamam këtu është pika ku ndahet jeta ime si piktor dhe jeta ime si politikan.
Kur bëj një pikturë a vizatoj diçka në axhendën time, vjen një pikë kur përfundon. Puna ka mbaruar.
Ndërkohë, në politikë tabloja nuk përfundon kurrë tërësisht. Ai që përpiqet të pikturojë aty nuk e ka kurrë plotësisht nën kontroll drejtimin që merr peneli.
Megjithatë, duhet të kapemi fort pas vizionit e të ngulim këmbë.
Edhe kur njerëzit thonë, se shpesh e bëjnë, se politika nuk mund të sjellë ndryshim, unë iu them se e kanë gabim. Patjetër që mundet, e bën.
Nga ana tjetër, ne sigurisht e dimë se, ashtu siç politika mund të sjellë ndryshim, ashtu edhe mund ta pengojë atë. Ashtu si politika mund të sjellë paqen mes popujve, po ashtu ajo mund të çojë në konflikt.
Në çdo hap të rrugës, ne përballemi me zgjedhje. Pikërisht, ashtu si një artist. Të zgjedh këtë ngjyrë a një tjetër, këtë penel apo tjetrin? Duhet kjo hapësire apo tjetra? Çfarë tabloje po përpiqemi pikturojmë?
Kështu, nëse, ndonjëherë, dikush prej jush vjen në Shqipëri dhe më takon në zyrën time dhe vëren se, ndërkohë, jam duke shkarravitur, ju lutem mos u fyeni siç ndodhi me personin për të cilin fola.
Kjo është pjesë e asaj që jam. Dora që lëviz lirshëm, duke krijuar një hapësirë aty ku duket se nuk ka, mendoj se nuk është aspak një mënyrë e keqe për të menduar se si të bëjmë përpara.