Heqja e fashës së 300 kwh do të sjellë çmimin e ri në masën 10.6 lekë për kwh nga 7.7 lekë për kwh që është aktualisht. Kjo u bë e ditur për gazetën “Shekulli” nga burime brenda Entit Rregullator të Energjisë. Megjithatë ajo që sigurohet nga burimet është fakti që diskutimet për rritjen e çmimit do të shkojnë rreth kësaj vlere. Ndërkohë që për sa i përket çmimit dhe debatit që të gjitha institucionet po bëjnë, ligjërisht i takon vetëm ERE-s që të vendosë se çfarë do të bëjë me çmimin dhe politikën që duhet të ndjekë. Deri më tani, pranë ERE-s kanë depozituar kërkesën për të rritur çmimin tre kompani, nga 12 të tilla që janë në treg. OSHË-ja i kërkon Entit Rregullator të Energjisë për një rritje të çmimit në masën 10 për qind, ndërkohë që e blen energjinë prej KESHit me 2.2 lekë për kwh. Diskutimet për rritjen e çmimit në fakt, nga ana e ERE-s shikohet si strukturim (rregullim) çmimesh.
“Shekulli” ka mundur të sqarojë për publikun se lejimi i Entit Rregullator të Energjisë si dhe të gjitha kompanive të tjera të energjisë, duhet të funksionojnë si ndërmarrje tregtare. Specialistë nga brenda ERE, thanë se ndryshimet e bëra në ligj dhe hyrja në fuqi e projektligjit të ri në fillim të 2015- ës do të bëjë të mundur edhe lieralizimin e tregut, rrjedhimisht edhe uljen e çmimit. “Ajo që mbetet të bëhet me urgjencë, pavarësisht detyrimit ligjor që kanë kompanitë e energjisë që prodhojnë, transmetojnë, importojnë e shesin energjinë elektrike për të propozuar tarifat e reja të energjisë elektrike për vitin 2015, është që ERE të shikojë me urgjencë ristrukturimin e tarifave mes operatorëve të mësipërm, për të eliminuar atë efekt agregat në tërë këtë marrëdhënie tregtare, që vetëm për KESH sha sjell afro 11 miliardë lekë të humbura neto”- u shprehën burimet.
Sipas tyre, mësohet se “tarifa aktuale e shitjes me shumicë te KESH-i prej 2.2 Lekë/kwh parashikonte realizimin e shpenzimeve operative dhe investimeve të planifikuara për veprimtarinë e prodhimit të energjisë elektrike si dhe për blerjen e energjisë se prodhuar nga prodhuesit e vegjël konçesionarë dhe prodhuesit e pavarur”. “Sasia e energjisë për t’u prodhuar nga këta prodhues ka qenë llogaritur në 778 Gwh për të tre vitet e periudhës rregullatore (2012-2014). Mirëpo sasia reale e energjisë së prodhuar nga këta prodhues, dhe që përfaqëson detyrim për blerje nga KESH/ FPSH, pritet të jetë 1,569 Gwh pa përfshirë prodhimin e ASHTA Energy, i cili pritet të arrijë sasinë prej 415 Gwh, prodhim që nuk është parashikuar në tarifën 2.2 Lekë/kwh për të tre vitet e periudhës rregullatore (2012-2014).
Ky detyrim i KESH/ FPSH për blerjen e sasisë së energjisë të prodhuar përtej planifikimit dhe të pa reflektuar në tarifat e miratuara prej ERE për periudhën 2012 – 2014, i ka shtuar KESH-it/ FPSH kosto shtesë prej rreth 11 miliardë lekë. Kjo kosto shtesë, si dhe blerja e energjisë nga importi (në zbatim të një VKM-je) për llogari të OSHEE-së për mbulimin e humbjeve në shpërndarje (rreth 8.5 miliardë lekë) është financuar me OD të marra nga bankat e nivelit të dytë, përdorimi i të cilëve ka prodhuar detyrime shtesë për interesa prej rreth 2.6 miliardë lekë”- u sqarua për “Shekullin”.
Tarifat
3 kompani kërkuan rritjen e çmimit
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike OSHË i ka kërkuar Entit Rregullator të Energjisë rritje të çmimit të energjisë. OSHEE është operatori i fundit që aplikoi për ndryshim të tarifave, pas KESH dhe OST. Rritja e kërkuar e çmimit është me 5 lekë, ose 70 për të çmimit aktual, i cili është 7 lekë/kwh. Kërkesa e KESHit e depozituar më parë ishte që çmimi të rritet nga 2.2 lekë/ kwh, në 3.4 lekë/kwh, një shtrenjtim prej 54 për qind. Tarifa që paguajnë sot konsumatorët familjarë shqiptarë për konsumin deri në 300 kë është 7.7 lekë/kwh, ndërsa mbi këtë fashë paguajnë 13.5 lekë/kwh. ERE ka bërë të ditur se 76 për qind e familjeve shqiptare konsumonin më pak se 300 kë në muaj në vitin 2013.
Për MWH (7.5 lekë/ kwh) e blen KESH- i energjinë në treg. Prodhimi i energjisë (mesatare shumëvjeçare) nga këto HEC-e është 340 Gwh në vit (340 milionë kwh). Nëse kjo energji do të ishte brenda portofolit të prodhuesit publik, do të krijonte mundësinë për të bërë optimizim energjetik dhe financiar, ose nëpërmjet uljes së kostove për sigurimin e energjisë nga importi, ose nëpërmjet shitjes së energjisë në treg të lirë (aktualisht të ardhura të munguara për KESH sha).