Drejtori i Policisë Rrugore në një intervistë për “Shekullin” argumenton rritjen e gjobave për shkeljen e semaforit, ndërsa si dhe përgatitjet për pikëzimin e patentave. Ai rekomandon rritjen e taksimit dhe të sigurimit për veturat me timon anglez.
Gjatë kësaj periudhe ne në komisionet parlamentare të Sigurisë, të Ligjeve, të veprimtarive prodhuese si dhe komisione të tjera të lidhura me çështjet e sigurisë dhe të ligjeve, janë duke u diskutuar ndryshimet e reja të propozuara për Kodin e ri Rrugor të Republikës së Shqipërisë. Gjatë këtyre diskutimeve, debatet e deputetëve, me përfaqësues të Ministrisë së Brendshme, të Policisë së Shtetit si dhe të Ministrisë së Transporteve, debatet janë përqendruar më tepër në çështjet e gjobave të larta që parashikohen në këto ndryshime. Rritja e gjobave parashikohet së paku për shkelje të rregullave të qarkullimit, siç është shkelja e semaforit, apo e tejkalimi i normave të shpejtësisë që shpesh herë kanë qenë fatale. Mitat Tola, drejtor i Policisë Rrugore në Policinë e Shtetit, argumenton motivin e ashpërsimit të gjobave dhe ndikimin që ato mund të kenë në uljen e aksidenteve rrugore si dhe në rritjen e sigurisë në këtë drejtim.
Z. Tola, kanë vazhduar të diskutohen, por ende nuk janë finalizuar ndryshimet në Kodin Rrugor. Çfarë mendoni se do të përmirësojnë në sigurinë rrugore këto ndryshime ?
Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8378, datë 22.7.1998, “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”, hartohet në mbështetje të neneve të Kushtetutës, në vijim të përditësimit dhe miratimit të ligjeve kuadër në fushën e transportit dhe sigurisë rrugore, duke synuar plotësimin e të gjithë kuadrit ligjor në fushën e transportit rrugor dhe sigurisë rrugore, të përafruar me direktivat përkatëse të BE-së. Qëllimi i tij është përmirësimi dhe rritja e sigurisë në qarkullimin rrugor, duke krijuar dhe siguruar një nivel të mjaftueshëm të sigurisë për përdoruesit e rrugës, drejtuesit e mjeteve rrugore si dhe mbrojtjen e rrugëve e mjedisit rrethues në rast aksidentesh rrugore. Rritja e sigurisë rrugore përbën një prioritet madhor dhe nisur nga situata e rënduar me aksidente rrugore, do të synohet ulja e vazhdueshme e tyre, veçanërisht ato me pasoja fatale në njerëz. Objektivi i projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.8378, datë 22.07.1998 “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar” është në respektim të direktivave përkatëse të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit, të datës 20 dhjetor 2006, “Mbi lejet e drejtimit” dhe vendos si prioritet të parë rritjen e sigurisë së qarkullimit rrugor, mbështetur në praktikat m të mira të BE-së, për standardizimin e lejeve të drejtimit si dhe kategorive të mjeteve rrugore, sipas rregullave të BE-së. Në nenet 12, 13 dhe 14 të projektligjit propozohen ndryshime të neneve 114, 115 dhe 117, lidhur me kërkesat fiziko - psikike, me kategoritë e lejeve të drejtimit të mjeteve motorike dhe rimorkiove të tyre, si dhe me moshat minimale të marrjes së lejeve të drejtimit, pra realizojmë përputhjen e plotë të legjislacionit tonë me atë europian në fushën e kategorive të lejeve të drejtimit, sipas direktivës përkatëse, datë 20 dhjetor 2006, të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit “Mbi lejet e drejtimit”. Nene të tjera të propozuara për ndryshime kanë të bëjnë me disa korrektime të neneve të mëparshëm për sistemin e pikëve të revokimit të lejes së drejtimit dhe të afateve të vlefshmërinë së lejes së drejtimit.
Sipas ndryshimeve të propozuara, gjoba supozohet që mund të arrijë deri në 40 mijë lekë të reja, apo edhe heqje e përhershme e lejes së drejtimit së paku për shkeljen e semaforit, ndërkohë që paga mesatare në vendin tonë nuk është më e lartë se sa kjo masë gjobe ? Cila është arsyeja e caktimit të kësaj mase ndëshkimore ?
Nisur nga konstatimet dhe nga eksperiencat më të mira europiane, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit, kanë sugjeruar që edhe neni 144 “Mosrespektimi i sinjalizimit rrugor” të modifikohet duke hequr pezullimin e lejedrejtimit në shkeljen dhe mosrespektimin e semaforit të kuq herën e parë, duke rritur masën e gjobës. Argumentimi i rritjes së gjobës ka të bëjë me rrezikshmërinë e lartë të kësaj shkelje, ndërkohë që po punohet për fillimin e funksionimit të skemës së “lejedrejtimit me pikë” dhe për vënien në zbatim të një sistemi modern të monitorimit automatik të trafikut dhe të shkeljeve të drejtuesve të mjeteve. Ministria e Brendshme në paketën e ndryshimeve të Kodit Rrugor ka kërkuar të ndryshohet kjo dispozitë - nenin 144 “Mosrespektimi i sinjalizimit rrugor”, në thelb duke “e zbutur” në raport me dispozitën aktuale për shkaqet e mëposhtme: “Efekti ekonomik” i zbatimit aktual të këtij sanksioni që është: gjobë 5 mijë - 20 mijë Lekë + pezullim leje drejtimi nga 6 – 12 muaj (pezullimi minimalisht“ i kushton xhepit të një drejtuesi mjeti” I cili e përdor mjetin e tij për punë për 6 muaj x 22.000 paga minimale lekë = 132.000 Lekë humbje).
Aktualisht gjoba në vlerë Leku është jo më pak se 137.000 Lekë deri 284.000 Lekë. Kërkohet praktikisht me ndryshimet e propozuara që të ulet masa e ndëshkimit në 40-50 mije Lekë, pra një ulje rreth 4 herë ne terma ekonomike. Ky ndryshim ndërmerret nisur edhe nga fakti se për periudhën 10 mujore, rreth 26 për qind masave administrative me pezullim të lejeve të drejtimit janë për “moszbatim të sinjalizimit rrugor”, ku 18 për qind prej tyre janë për shkelje të semaforit me “dritë të kuqe”. Praktika e vendeve fqinje që e ka të përshkallëzuar këtë shkelje, duke vlerësuar se tërheqja e lejes së drejtimit të behet vetëm në rastet e përsëritjes së të njëjtës shkelje brenda një afati kohor (minimalisht 1 vit), është parë e arsyeshme të aplikohet edhe në kuadër të përafrimit të legjislacionit me atë të vendeve të BE-së. Rëndësinë e kësaj shkelje në riskun për aksidente të mundshme e me pasoja, gjithashtu e kemi vlerësuar në masën e gjobës së propozuar. Mund t’ ju them se Greqia e ka masën e gjobës për shkeljen e semaforit me 700 euro. Italia e ka nga 160 euro deri në 600 euro. Dhe nëse përsëritet tërhiqet leja e drejtimit, për tre muaj dhe drejtuesit të mjetit i hiqen 10 pikë nga leja e drejtimit, nga 20 që kanë në total në dispozicion. Së fundmi jemi tek vlerësimi i kategorisë së personave që kryesisht kryejnë ketë shkelje dhe vlerësimin e saj në gjithë literaturën e sigurisë si: “veprim i qëllimshëm për të sjellë pasojë”. Semafori nuk shkeljet pa dashje !
Ka pasur një debat për jelekët fosforeshentë, fikset e zjarrit, kutinë e ndihmës së shpejtë dhe disa kërkesa të tjera që detajoheshin në Kodin Rrugor. Çfarë synohet me to ?
Thjesht respektimi i dispozitave të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë. Dua të theksoj faktin se Policia Rrugore në kontrollet e saj dhe testet mbi drejtuesit e mjeteve sa ata e zbatojnë Kodin Rrugor në të gjithë dispozitat dhe veçanërisht “normat e sjelljes”, konstatoi se në shumicën e rasteve kishte një padijeni të madhe, ku ndodhej “trekëndëshi i rrezikut në mjet dhe përse shërben në mjet. Po ashtu ndodhi edhe me “kutinë ndihmës së shpejtë”. Ndërkohë që për përdorimin e “jelekëve fosforeshente” dhe për “sistemet e thjeshta të mbrojtjes nga zjarri”, nuk ka patur kontrolle, as ndëshkime me gjobe, pasi ato specifikisht për momentin nuk kërkohen dhe nuk janë detyrim për tu patur në automjet gjatë udhëtimit.
Ka pasur një debat lidhur me ndalimin e përdorimit të mjeteve që kanë timonin e tyre në krahun e djathtë sipas standardit anglez, për shkak të rrezikut që sjellin ato për të shkaktuar aksidente. Por ka edhe një debat tjetër sipas së cilës këto mjete janë produkte të certifikuara nga BE-ja . Cila është zgjidhja që do të jepet ?
Është e vërtetë që mjetet “me sistem drejtimi në krahun e djathtë” sipas standardit anglez, janë mjete të prodhuara dhe të certifikuara për një sistem rrugor dhe sistem sinjalizimi vertikal dhe horizontal krejt të kundërt me standardin rrugor dhe të sistemit të sinjalizimit vertikal të kontinentit europian, të cilin kemi të aplikuar në Kodin Rrugor në zbatim në Shqipëri. Nisur nga kjo premisë, do të duhej që, (në gjykimin tim personal), targimi i këtyre mjeteve të lejohej vetëm si qarkullimi i tyre i përkohshëm me targa regjistrimi të shtetit anglez. Ndërkohë në të kaluarën Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës do të duhej “ta pengonte” në një farë mënyre targimin e tyre, pasi regjistrimi i mjeteve të importuara në vendin tonë, kryhet referuar akteve nënligjore që nxjerr Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës. Sot meqenëse ka një debat ligjor të respektimit të të drejtave të njeriut për këtë aspekt në vendet e BE-së në lidhje me regjistrimin e këtyre mjeteve, do të mund të punohej në kufizimin e regjistrimit të tyre të pare me targa shqiptare, duke i konsideruar të regjistrueshëm, por të taksueshëm dyfish në regjistrim dhe “primet e tyre të sigurimit të detyrueshëm vjetor” të jenë dyfishi i primeve të mjeteve të zakonshme me sistem drejtimi në krahun e majtë. Nga informacionet që kam është e njëjta praktikë që ndiqet në Britaninë e madhe për mjetet me sistem drejtimi në krahun e majtë, duke i konsideruar “mjete me risk të lartë” për sistemin e tyre të qarkullimit.
A ka ndonjë studim konkret për aksidentet e shkaktuara nga kjo kategori ?
Po. Policia Rrugore që administron çdo aksident rrugor, po konstaton se “frekuenca e përfshirjes” së këtyre mjeteve në aksidente rrugore me pasoja fatale është rritur ndjeshëm, duke i konsideruar faktor rreziku për vetë drejtuesit e tyre, por edhe për pjesëmarrësit e tjerë ne trafik, të cilët vuajnë shpeshherë pasoja për “faj” të këtyre mjeteve.
Trajtimi i aksidenteve nga Policia Rrugore
Shërbimi i Policisë Rrugore një nga detyrat themelore ka parandalimin, konstatimin dhe verifikimin e shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor; si dhe konstatimin dhe verifikimin e aksidenteve rrugore; Veprimet e para në çdo vendngjarje aksidentale me pasojë jetën e shtetasve dhe aksidenteve me dëme materiale kryen nga punonjës të shërbimit te Policisë Rrugore. Më tej Prokuroria procedon me hetimin dhe zbardhjen e rrethanave deri në çuarjen në Gjykatë të çdo aksidenti me pasojë jetën e shtetasve. Është në tagrin e Gjykatës pastaj zbardhja dhe verifikimi i plotë i fakteve. Meqenëse në një aksident përfshihen palë, të interesuar të tjerë dhe fakte që kërkojnë një kohë për tu verifikuar, të krijohet ideja në vonesë dhe në zvarritjen e tyre. Policia Rrugore ka në vëmendjen e saj trajnimin e vazhdueshëm të punonjësve të saj për të hetuar në mënyrë profesionale çdo vendngjarje aksidentale dhe për të mbledhur provat sa me të plota për një hetim rigoroz dhe të saktë.