English

Projektbuxheti 2015. Taksat që rriten dhe ato që ulen

Fjala e Kryeministrit, Edi Rama, në seancën e djeshme parlamentare, gjatë diskutimit për Projektbuxhetin 2015:

Fjalimet e buxhetit janë gjithnjë me shifra, mbi shifra, për shifra dhe sigurisht që kjo është e pashmangshme, por çka nuk duhet të harrohet dhe besoj ne nuk e kemi harruar është se buxheti ka të bëjë me njerëzit dhe është në funksion të njerëzve.

Reflektimi i çdo buxheti, pa dyshim, është një tërësi shifrash, por thelbi i tij është më shumë se kaq; është një tërësi shpresash për të sotmen dhe ambiciesh për të nesërmen.

Për ne është dhe një përgjigje e nevojave dhe e problemeve të të sotmes dhe, padyshim, një ndjeshmërie të re në funksion të një vizioni afatgjatë, që ne kemi për vendin dhe aspirata për të ardhmen e tij.

Orientimi në tërësi i BE për buxhetin këtë vit ka qenë mbështetja e kohezionit për të pasur nga njëra anë, një zhvillim të integruar dhe nga ana tjetër harmoni mes sektorëve, në funksion të çuarjes përpara të projektit të vështirë të rritjes ekonomike, në kushtet e sotme kur në tërësi situata e përgjithshme financiare, sidomos e kontinentit tone, nuk e frymëzon shumë forcën e rritjes ekonomike.

Ndërkohë, ne në këtë buxhet i jemi përmbajtur zgjedhjes më të rëndësishme europiane që është ajo e mbështetjes së rritjes, pa masa shtrënguese. E unë jam shumë krenar për këtë element thelbësor të qasjes sonë qysh vitin e shkuar, sapo morëm përgjegjësinë e rëndë të nxjerrjes së vendit nga një rrëmujë e madhe financiare, pasi hymë në një program me FMN-në, - gjë që koha po e provon përditë se ishte zgjedhja e duhur, - por duke u imponuar me argumente për një paketë fleksibël rritjeje dhe jo për një paketë masash shtrënguese.

E kjo natyrë buxheti që ne kemi parapëlqyer, na jep mundësi të orientohemi drejt rezultatesh të mirëpërcaktuara dhe nga ana tjetër t’i japim frymëmarrje, në afatmesëm forcës sonë qeverisëse, jo në kuptimin e qeverisë apo të shumicës në Parlament, por të forcës qeverisë në territor.

Tri pyetjet themelore për buxhetet e kohës sonë janë; Si të krijojmë punësim? Si t’i japim njerëzve dijet e duhura për t’u përballur me sfidën e punësimit? Si të sigurohemi që rritja të përkthehet në punësim dhe në rritje të mirëqenies për familjet.

E padyshim, që buxheti është dhe do të jetë gjithmonë e më shumë një instrument në funksion të njerëzve që duan të punojnë, në funksion të njerëzve që duan të fitojnë nëpërmjet punës dhe në funksion të njerëzve, që nuk janë as në kërkim të zgjidhjeve magjike, as të dorëzuar për shkak të mungesës së zgjidhjeve magjike.

Një aspekt themelor që unë do të doja të nënvizoja në këtë buxhet është edhe rritja e besimit në stabilitetin ekonomik të vendit dhe sigurimi i kushteve që nxisin investimet. Në kushtet ku ne e kemi gjetur vendin këto janë punët më të lehta, por mund të thuhet me plot gojën se ky buxhet në vijimësi të një viti më parë është një buxhet me disa standarde të mirëpërcaktuara dhe me disa zgjidhje realiste për një situatë ku potencialet janë padyshim të mjaftueshme për të arritur objektivin tonë minimal të një rritje ekonomike përtej 4% në fund të viti të katërt të këtij mandati.

Besoj se, jemi sot me një dokument që është një instrument rritje, është një instrument zhvillimi, është një instrument punësimi.

Sigurisht, që është e pamundur që të flasim për buxhetin dhe të mos flasim për shifrat. Pa dashur që të fokusohem shifër për shifër, gjë që me siguri do ta bëjë Ministri i Financave, do të doja të sillja këtu përpara jush disa konsiderata të përgjithshme, por me disa shifra që besoj janë domethënëse për të inkurajuar gjithë këtë proces transformimi që ka nisur dhe padyshim për të inkurajuar të gjithë ata që kanë shpresa dhe ambicie për të fituar përmes punës, qoftë në sektorin publik, qoftë në sektorin privat.

Sigurisht, është një mangësi e ndjeshme dhe e prekshme mungesa e opozitës në Parlament për të mundur që argumentet të ballafaqohen në këtë hapësire për t’u dhënë mundësi njerëzve që të kenë një gjykim më objektiv dhe një pamje më të plotë dhe jo një panoramë të fragmentuar si ekranet e televizioneve.

Megjithatë, ajo çka ne na e forcon bindjen se jemi sot në vendin e duhur për sa i takon zgjedhjeve që kemi bërë në përcaktimin e prioriteteve dhe në përcaktimin e politikave që mishëron ky buxhet, është edhe fakti që buxheti është rezultat i konsultimeve dhe i përplasjeve konstruktive me partnerët tanë seriozë ndërkombëtarë, FMN-në dhe BB dhe i mbështetjes nga grupi ynë prestigjioz i këshilltarëve të Qendrës për Zhvillim Kombëtar të Universitetit të Harvardit.

Duke shkuar më në detaje, do të doja ta filloja pikërisht me taksat. Bëhet një përpjekje e arsyeshme besoj për opozitën, por krejtësisht e pambështetur mbi të vërtetën, për të thënë që ky është një buxhet që rrit taksa.

Në fakt ky është një buxhet që vjen si rezultat i reflektimi të një pakete të re fiskale që ul apo zeron 15 taksa, ndërkohë që rrit vetëm tre. Zerimi dhe ulja e taksave në fjalë lidhet drejtpërdrejt me domosdoshmërinë për të nxitur prodhimin, me domosdoshmërinë për të nxitur punësimin dhe domosdoshmërinë për t’u dhënë dorën të gjithë atyre që jetojnë në territorin e vendit tonë me sipërmarrje, me idetë e tyre dhe me fuqinë e një vullneti për të fituar përmes ideve.

Faktikisht, me radhë do të doja t’i sillja në vëmendjen e publikut këto taksa që zerohen dhe që ulen, edhe sepse nga këto taksa që zerohen dhe ulen, përfituesit e drejtpërdrejtë janë ata që kanë lidhje të drejtpërdrejta me këta sektorë apo këto industri.

Duke filluar nga sektori i sigurimeve ku heqim tvsh-në dhe zbatojmë vetëm një taksë prej 3% mbi primin bruto, që është një masë e cila me siguri do ta stimulojë sektorin e sigurimeve, si një sektor financiar primitiv dhe më shumë se sa i prapambetur dhe i ngarkuar me problem sot, pikërisht për shkak se asnjëherë nuk është vlerësuar dhe mbështetur, si një sektor financiar për zhvillimin e vendit.

Së dyti, ulja e taksës doganore të naftës bruto, ose më saktë zerimi nga 10% në 0% që do të sjellë ulje të kostos së rafinerive dhe do të stimulojë më tej një prodhim vendas që ka filluar të lëvizë në drejtimin e duhur, është një tjetër komponent që ndikon drejtpërdrejtë, jo vetëm mbi ato sipërmarrje, por ndikon drejtpërdrejtë mbi shëndetin e ekonomisë së vendit.

Më tutje ulja e rentës për kromin e përpunuar, është masë që do të stimulojë atë për të cilën prej vitesh Shqipëria ka nevojë ulëritëse, përpunimin e mineralit në vend. Jemi një vend i pasur në minerale, jemi një vend i pasur në krom, por për vite të tëra jemi sjellë në mënyrë vandale me këtë pasuri duke qenë thjesht eksportues të lëndës së pare. Duke përfituar minimumin nga maksimumi i mundshëm i përfitimit prej kësaj pasurie që përmes kësaj mase stimuluese besoj që do na sjellë më shumë ne, për ekonominë tonë.

Kemi një ulje të taksës për gomat e reja që në pamje të parë ngjan si diçka pa fort lidhje, por ka lidhje të shumëfishta duke filluar që nga mbrojtja e mjedisit dhe duke vazhduar me rritjen e standardeve të sigurisë rrugore dhe duke shkuar më tutje me ndikimin e drejtpërdrejtë në shëndetin e ekonomisë së vendit tonë.

Kemi zerim të akcizës mbi bitumin natyral. Shqipëria edhe në këtë pasuri ka mjaft për të mund të marrë shumë më tepër se çka marrë, se praktikisht pothuajse s’ka marrë asgjë. Ndërkohë, stimulimi i përpunimit të bitumit në vend, është pjesë e kësaj filozofie për të nxitur në të gjithë sektorët prodhimin dhe përpunimin.

Kemi përjashtimin nga tatimi mbi të ardhurat personale të kontributeve me fondet vullnetare të pensioneve që në momentin e kontributit. Që do të thotë një rritje të incentivave për të investuar në fondet e pensioneve që është praktikisht zbërthimi hap pas hapi në jetësimin e reformës shumë kurajoze dhe shumë rrënjësore të pensioneve, që kjo shumicë e kaloi me ligjin e ri, pas një shtyrje me dekada të ballafaqimit me këtë problem shumë serioz që rrezikonte të kthehej në një kërcënim vdekjeprurës për ekonominë.

Kemi rimbursimin e TVSH-së rivlerësim i mëtejshëm duke vendosur riskun si kriter në kontroll dhe duke hequr kontrollin e detyrueshëm.

Jemi shumë krenarë që kemi hyrë në një fazë tërësisht të re raportesh me sipërmarrjen dhe që atë mal borxhesh, atë mal problemesh dhe atë mal pengesash për sipërmarrjen, që trashëguam edhe për shkak të mosrimbursimit të TVSH-së apo të rimbursimit korruptiv të saj, tanimë ne e kemi kapërcyer. Perfeksionimi i mekanizmit të riburismit të TVSH-së, duke lehtësuar sipërmarrjen nga kontrollet besoj se është një tjetër masë që do të stimulojë seriozisht ekonominë.

Nga ana tjetër, do të rrisim rentën minerare për pushtetin vendor, duke hequr kufizimet në ligjin e buxhetit dhe duke pasur në konsideratë, perspektivën e re që hapet me reformën e re territoriale, e cila është pjesë shumë e rëndësishme e konceptimit të gjithë këtij buxheti dhe ka qenë në horizontin tonë më shumë se një rast. Dhe pak më poshtë do flas edhe për mënyrën sesi ne besojmë se do të rrisim në mënyrë shumë të ndjeshme, fondet për të stimuluar zhvillimin urban dhe zhvillimin e qëndrueshëm rural në nivelin vendor, pikërisht falë reformës administrativo-territoriale.

Ka pasur debat të arsyeshëm lidhur me heqjen e akcizës për pijet energjike, por ne besojmë se është masa e duhur dhe besojmë që është një masë, e cila duhet t’i nënshtrohet plotësisht standardit, duke iu referuar standardit të klubit të vendeve që ne kemi preferuar të jemi pjesë.

Nga ana tjerë dua të them dy fjalë, edhe për një pjesë tjetër të rëndësishme të kësaj pakete uljesh apo zerimesh të barrës që ka të bëjë me bujqësinë. Ka një debat të vazhdueshëm, që vjen si rezultat i një tradite të cilës do t’i japim fund. Traditës së subvencionimit të mbijetesës, traditës së lëmoshës duke shpërndarë në thërrime fondin e mbështetjes së shtetit, në emër të një barazie që në fakt nuk riprodhon barazi, por riprodhon vetëm varfëri dhe vetëm shton hendekun midis atyre që jetojnë në fshat dhe atyre që jetojnë në qytet.

Ne jemi për një qasje tërësisht tjetër ndaj sektorit, gjë që kemi filluar ta materializojmë në vitin e parë dhe do të vazhdojmë ta thellojmë më tutje, duke mos i konsideruar njerëzit në fshat si njerëz në nevojë për lëmosha, por duke i ftuar, duke i krijuar kushtet që të luftojnë brenda sistemit kapitalist. Nuk jemi në një sistem hibrid, por jemi një sistem kapitalist dhe me këtë sistem duhet ne, - dhe do ta bëjmë gjithmonë e më shumë, - të krijojmë kushtet që në fshat të mos riprodhohet varfëri përmes mbijetesës, por të prodhohet mirëqenie jo vetëm për fshatin, por edhe për qytetin.

Lehtësimi i agropërpunuesve duke njohur 20% TVSH të zbritshme për furnizime nga fermerët, nga 6% që ishte më parë, besoj se do të jetë një masë që do të stimulojë ndjeshëm formalizimin, por në fund të fundit besojmë se do të na japë mundësinë që të kemi disa shembuj konkretë, përmes të cilëve të përcjellim më qartë mesazhin në Shqipërinë rurale, se cila është rruga për të dalë fitues në betejën me varfërinë në fshat. Që nuk është dhe s’ka si të jetë rruga e subvencioneve dhe e mënyrës sesi është qasur politika ndaj fshatit, gjatë gjithë viteve të shkuara.

Kemi pranuar një tjetër hap, duke përjashtuar nga taksa e qarkullimit dhe karbonit për karburantet, të gjithë sektorin e peshkimit. E bëmë një hap të parë, vitin e shkuar, me serat. Bëjmë këtë hap të dytë këtë vit, por duhet sëbashku ta përcjellim shumë qartë mesazhin në Shqipërinë rurale, se historia e subvencionit pa faturë ka mbaruar. Ne do të subvencionojmë naftën për fermerët, me kushtin që fermerët apo për të gjithë ata fermerë, që do të jenë pjesë e sistemit, të angazhimeve dhe të detyrimeve karshi buxhetit të shtetit, ne do të aplikojmë menjëherë subvencionimin e drejtpërdrejt edhe me naftën. Pra, kush pretendon që të ketë një naftë më të lirë duhet të formalizohet, duhet të bëhet pjesë e sistemit. Naftë më të lirë jashtë sistemit nuk ka. Sepse, nafta më e lirë jashtë sistemit, historia ka treguar se ka prodhuar vetëm korrupsion dhe vetëm maskarallëk dhe nuk e ka ndihmuar absolutisht, rimëkëmbjen e domosdoshme të fshatit, por përkundrazi, ka stimuluar thjesht e vetëm kacafytjen, në kushtet e mbijetesës.

Po ashtu, për të gjitha lëndët e para, grurin, materialin biologjik, miellin, ushqimin për kafshët, kafshët për mbarështim, ne do t’i heqim tërësisht tarifat doganore. Kjo vjen si rezultat i nevojës në territor i gjithë atyre sipërmarrjeve të vogla apo të mesme, të cilat e kanë shtruar këtë kërkesë, duke qenë paraprakisht jo të gatshëm, por të pozicionuar qartë brenda sistemit.

Po ashtu, një tjetër problem shumë i madh, që e kemi hasur fillimisht me fasonët dhe pastaj e kemi rihasur në gjithë dëgjesat e organizuara për paketën e re të mbështetjes së bujqësisë, ka qenë penalizmi për diferencat në peshë dhe ne e shmangim këtë penalizëm, plotësisht.

Po ashtu, përjashtimi nga TVSH-ja në import për mjetet dhe makineritë ushqimore, si dhe përjashtimi nga TVSH-ja në import për kafshët e gjalla për majmëri, janë pjesë e këtyre stimujve të rëndësishëm për bujqësinë.

Brenda pak ditësh, në mos pak javësh, bashkë me ministrin për Bujqësinë, ne do të paraqesim edhe hartën e re të rajonalizimit të prodhimit bujqësor. Më në fund, pas kaq shumë vitesh! Duke dhënë indikacione të qarta se ku jemi ne në raport me sektorin dhe se çfarë duhet të presin nga ne, të gjithë ata që jetojnë në fshat.

Rajonalizimi i prodhimit bujqësor do të bëjë që të ketë një marrëdhënie shumë më transparente dhe shumë më të qartë mes fermerit dhe shtetit. Ne do të themi në mënyrë transparente se cilat kultura do të mbështesim dhe ku, si dhe cila do të jetë forma e mbështetjes së këtyre kulturave. Ne nuk mundet më të vazhdojmë, – e përsëris për të tretën herë, duke dëshiruar që ata që e shikojnë tani fjalimin në televizor, ta dëgjojnë, - ne nuk mund të vazhdojmë të subvencionojmë varfërinë, mbijetesën dhe kacafytjen për mbijetesë në rrugën e korrupsionit. Ne do të mbështesim krijimin e zinxhirit të vlerave në bujqësi, duke vendosur parakushtin që sektori duhet të hyjë dhe të bëhet pjesë e sistemit kapitalist, në shembullin e gjithë atyre kompanive dhe sipërmarrjeve që bëjnë sukses sot. Kemi parë plot të tilla në territor sot dhe që shpeshherë, pa asnjë mbështetje nga shteti kanë arritur të kenë shifra rekord në eksport.

Tani tre fjalë për tre rritjet.

E para. Kësaj shumice dhe kësaj qeverie askush nuk duhet t’ia llogarisë si rritje taksash, rritjen e akcizës së cigares. Ne nuk e konsiderojmë rritje takse. Ne e konsiderojmë rritje të fuqisë shtypëse mbi këtë ves që shkatërron shëndetin dhe që sjell vdekjen tek njerëzit. Nuk është shpikja jonë. I përkasim kësaj tendence dhe kësaj shkolle politike dhe gjithë duhanpirësit duhet të gjejnë paqe me ne dhe duhet ta dinë se rritja e akcizës, e taksës mbi cigaren do të vazhdojë deri kur të jetë mundur, sepse duam ta ulim vdekshmërinë nga ky ves dhe sepse ne duam t’i vijmë në ndihmë, kryesisht, të gjitha familjeve që nuk kanë pse i humbin baballarët për shkak të këtij vesi. Kështu që, për këtë të cigares, - më kujtohet një nga deputetët e opozitës që sot nuk është, që tha “kjo qeveri është armiqësore me dashamirësit e duhanit”, -po, ne jemi armiqësor, jo me dashamirësit e duhanit, me dashamirësinë me duhanin. Jemi aleatë të familjeve që luftojnë për të hequr vesin nga shtëpitë e tyre dhe jemi të bindur që kush e lë duhanin, na falënderon. Kjo rritje shkon në këtë drejtim, pra, është një masë që nuk ka të bëjë fare me këtë betejë, u rritën apo s’u rritën taksat.

Së dyti. Taksa e qarkullimit mbi benzinën dhe gazoilin. Besoj ju kujtohet të gjithëve, kur ajo u rrit 10 lekë vitin e kaluar, këtu u bë një betejë kataklizmike për të paralajmëruar fundin e botës. Anijet që do bllokoheshin dhe nuk do të vinin më në Shqipëri, makinat që nuk do të dilnin më në rrugë, furrat që do pushonin së prodhuari bukë dhe me radhë, çdo gjë që mund të rrokte imagjinata kataklizmike e një opozite që sillet si qeveri në mërgim. Çfarë ndodhi? Ndodhi që jo vetëm asgjë nga ato nuk ndodhi, por sot kemi një çmim më të ulët, edhe për shkak të konjukturës ndërkombëtare, sesa ai që ishte me plus taksën. Ndërkohë që, të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm se kjo nuk është një dëshirë e Qeverisë për të rënduar mbi ata të cilët përdorin makinën, por kjo është një kontribut i atyre që përdorin makina, për të pasur një vend më të mirë, për të pasur një mjedis më të pastër e më të mbrojtur dhe për të pasur më shumë siguri në rrugë. Të gjitha ato investime që njerëzit kanë parë dhe do të vazhdojnë të shohin, që lidhen me rritjen e sigurisë në rrugë, që lidhen me rritjen e përmasës së gjelbër në akset e vendit tonë janë të lidhura drejtpërdrejt me këtë kontribut minimal të gjithsecilit.

Së treti. Barazimi i tatimit mbi të ardhurat personale dytësore me tatimin mbi të ardhurat nga paga. Kishim një disbalancim nga paketa e shkuar, ku tatonim të ardhurat 15% nga kompanitë, tatonim të ardhurat 15% dhe ndërkohë të ardhurat dytësore 10%. Thjesht bëjmë një barazim të këtyre dy niveleve duke i dhënë patjetër hakun, kujtdo që i takon. E, kush ka të ardhura dytësore, kush ka shtëpi të dyta, kush ka shumë burime të tjera, sigurisht nuk ka pse të paguajë 10%, por duhet të paguajë 15%, përfshirë dhe ne deputetët. Dua t’i falënderoj deputetët që me dhimbje e kanë pranuar edhe këtë masë, sepse është një masë që në fund të fundit na bën me prova, të barabartë në trajtim me të tjerët.



Kjo është paketa dhe besoj që kjo paketë flet vetë që nuk kemi rritje taksash, nuk është buxhet që vjen nga rritja e taksave, nuk është një paketë fiskale që sjell rëndesë fiskale, por përkundrazi, është një paketë fiskale që në kushtet e vendit tonë na jep mundësi që të stimulojmë prodhimin, që të stimulojmë përpunimin në vend, që të rrisim fuqinë mbrojtëse ndaj mjedisit dhe që të stimulojmë në fund të fundit, më shumë siguri, në tërësi.

Përsa i përket pjesës tjetër që ka të bëjë me buxhetin dhe para sesa të kaloj në këtë pjesë, thjesht do të doja të citoja një person që ka hyrë në historinë e politikës botërore, jo si person taksavendosës, por si një person anti taksa, që është Margaret Thatcheri, e cila thotë: “Gjëja më imorale që një politikan mund të bëjë përballë një buxheti është të kërkojë më shumë për arsimin, të kërkojë më shumë për shëndetësinë, të kërkojë më shumë për industrinë dhe pastaj të thotë jo, unë nuk dua më shumë taksa”. Këtë e thotë Margaret Thatcher.

Sigurisht, këtu vijmë tek pjesa tjetër që ka të bëjë me borxhin. Duke qenë se ne jemi nga njëra anë të sfiduar që të lehtësojmë sa të mundemi barrën fiskale, por nga ana tjetër të ulim borxhin, pra, të mos financojmë me borxh dhe të mos financojmë me të ardhmen, lehtësirat e të sotmes. Faktikisht, sot ne jemi në kushtet kur mund ta themi me plot gojën, që kemi realizuar të gjithë objektivat e vendosur në programin me Fondin Monetar Ndërkombëtar, duke, nga njëra anë, imponuar ne një paketë fleksibël rritjeje dhe duke bërë nga ana tjetër, të gjitha detyrat që i kemi vendosur vetes, jo se na i kanë vendosur të tjerët, qoftë në rritjen e të ardhurave nga miradministrimi, qoftë edhe në uljen e borxhit dhe të deficitit. Praktikisht kemi një deficit të ulur me rreth 50%, me 48% për të qenë më të saktë. Ashtu sikundër kemi një rritje të ardhurash që është më e madhja dhe është hera e parë dhe e fundit që e përdor fjalën “më e madhja në histori” etj., etj., por është realisht më e madhja dhe me diferencë nga gjithë grafiku i rritjes natyrale të të ardhurave në vite, qoftë në dogana, qoftë në tatime. Çka na jep mundësinë të shikojmë me shumë më tepër siguri edhe drejt vitit të ardhshëm. E nuk është rastësi që nga njëra anë, agjencitë e vlerësimit e kanë kaluar Shqipërinë nga parashikimet negative në të qëndrueshme dhe në pozitive, vetëm në harkun e një viti, ashtu sikundër nga ana tjetër nuk është rastësi që vetëm në harkun e një viti kemi kapërcyer rreth 40 vende në klasifikimin e Bankës Botërore për mjediset e favorshme për të bërë biznes.

Ka një diskutim që i referohet papunësisë. Kur ne kërkuam votën e shqiptarëve, një ndër gjërat që thamë ishte se ne do të kemi një institut statistikash të pavarur. Kemi qenë qysh në krye të herës përqeshës ndaj shifrës së fabrikuar të papunësisë nga Qeveria e kaluar, që e mbante INSTAT-in lidhur pas zyrës së Kryeministrit dhe praktikisht, çka kemi kërkuar, e kemi realizuar. E kemi realizuar duke pasur shifra shumë më realiste. Kur them shumë më realiste dhe nuk them plotësisht realiste, e them sepse edhe INSTAT-i si gjithë institucionet tona ka nevojë për t’u përmirësuar, ka nevojë për t’u modernizuar dhe ka nevojë për t’u strukturuar në mënyrë të atillë, që të jetë në nivelin më të mirë europian.



Referuar shifrës realiste, ne sot kemi praktikisht një shifër të re, që i përket pikërisht kësaj përpjekjeje, më të ulët përsa i përket papunësisë. Padyshim, në këtë aspekt ka ende shumë për të bërë dhe kjo është arsyeja pse shumë shpejt, parlamentit do t’i vijë një paketë e re për mbështetjen e investimeve dhe për lehtësimin e gjithë procedurave përsa i përket investimeve dhe posaçërisht investimeve strategjike, në mënyrë që të kemi shumë më tepër mundësi për të krijuar vende të reja pune përmes investimeve private.

Nga ana tjetër, sot ne kemi mundësi të themi, se e kemi të provuar tanimë, që duke shkuar kështu dhe pa llogaritur se çfarë mund të jenë vlera të shtuara, sepse në buxhetin e vitit të ardhshëm përshembull, nuk kemi parashikuar disa privatizime të rëndësishme strategjike, ashtu sikundër nuk kemi parashikuar as për tre vitet e ardhshme investime të mëdha e të rëndësishme strategjike, por pa parashikuar këto, ne sot jemi plotësisht në gjendje të themi se objektivin minimal, për të arritur rritjen ekonomike 4.5% në 2017-ën, e kemi plotësisht në dorë. Nga ana tjetër, objektivin e vendosur për ta ulur borxhin nga 71% në 65.5% në 2017-ën, përsëri e kemi plotësisht në dorë.

Dy fjalë për karakterin sidoqoftë social të këtij buxheti. Them sidoqoftë social, sepse në këto kushte, besoj që kemi bërë një sforco të merituar për njerëzit që kanë nevojë ende të mbështeten fort, përpara sesa ne të jemi në gjendje t’u themi se janë krijuar të gjitha kushtet, që të dalin nga ndihma ekonomike përmes punësimit, apo që të mos përfshihen në rrjetin e mbrojtur të personave me aftësi të kufizuar përmes korrupsionit. Janë praktikisht rreth 30% e buxhetit që shkon drejtpërdrejt vetëm për kujdesin social. Janë 10 milionë dollarë më shumë, që e çojnë në 20 miliardë lekë për vitin e ardhshëm, mbështetjen për personat me aftësi të kufizuar dhe njerëzit në ndihmë ekonomike. Çka përbën një shumë jashtëzakonisht të rëndësishme, po të kemi parasysh se, për herë të parë, ky nuk është më një program borxhesh. Pra, janë 20 miliardë që shkojnë jo përmes borxheve. Nuk kemi më asnjë borxh nga e shkuara. Kemi likuiduar 100% në 2014-ën të gjitha borxhet e mbartura, që ishin një nga pjesët më dramatike të borxhit të akumuluar në vite, në raport me pagesat e ndihmës ekonomike dhe të personave me aftësi të kufizuar.



Së dyti, buxheti garanton një pension më të lartë për të gjithë qytetarët, por 2015-ta është viti i heqjes së tavanit të pensionit maksimal dhe fillon llogaria e pensionit në varësi të viteve të punës dhe të kontributit të derdhur. Çka për herë të parë bën që skema e pensioneve ul deficitin në buxhetin e shtetit dhe nuk vazhdon të thithë palcën e buxhetit të shtetit, duke rritur kërcënimin, gjë që ne e parandaluam me ligjin e ri për pensionet. Fondi total i pensioneve është po ai, por qytetarët janë në rrugën e përfitimit të pensioneve më të larta dhe tash e mbrapa, gjithsekush do të mund të përcaktojë vetë sesa do të derdhë si kontribut për të pasur nesër pension.

Për herë të parë, rreth 5 mijë të moshuar që nuk përfitojnë pension marrin pensionin social. Pra, futet edhe pensioni social. 5 mijë të moshuar mund të duket një shifër e vogël për disa, por për ne është një shifër jashtëzakonisht e konsiderueshme. Sepse janë 5 mijë njerëz që përfshihen në skemën e mbështetjes sociale që deri dje s’kishin asnjë lloj pensioni dhe asnjë lloj mbështetjeje. Po ashtu, ishte një zotim i kësaj shumice, i “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, i të dyja forcave përbërëse të aleancës, për pensionin e minatorëve dhe e kemi realizuar me votimin e herës së shkuar. Sot kemi 3700 minatorë që marrin 14 500 deri në 21 000 lekë në vend të 9 000 lekë dhe kanë të garantuar se dalin në pension në moshën 55 vjeç.

Në këtë buxhet është përfshirë konkretisht edhe fondi i mbështetjes së drejtpërdrejtë, - për në xhep, jo me mekanizma rimbursimi, të të gjitha atyre kategorive që hyjnë tek shtresat e mbrojtura për të përballuar, pa ndjerë asgjë, heqjen e fashës 300 kilovat.

Shikoni buxhetet e viteve të shkuara. Janë dedikuar në ato buxhete fonde mbrojtëse dhe shikoni në fund të vitit sa janë shpenzuar. Zero! Pra, fasha 300 kilovat, si fashë mbrojtëse nuk i ka mbrojtur, në fakt, në vite, njerëzit në nevojë, sepse paratë që ata duhet të merrnin nga rimbursimi nuk i kanë marrë. Nuk është as 5, as 10, as 15 % është Zero. Kanë marrë zero lekë! Pra, e kanë paguar energjinë plotësisht, sikur të mos kishte fashë mbrojtëse fare. Ndërkohë që ne sot, me këtë buxhet, nuk i fusim këto para në skemën mashtruese të radhës, medemek që juve do të paguani ne do të ribursojmë, por i fusim drejtpërdrejtë tek pensioni i kryefamiljarit, tek paga e ndihmës ekonomike dhe tek paga e aftësisë së kufizuar. Drejtpërdrejtë, çdo muaj. Ata do të përfitojnë një rritje direkte të pensionit, të pagës së ndihmës ekonomike dhe të pagës së aftësisë së kufizuar.

Kjo është me shumë rëndësi. Është me shumë rëndësi edhe për ata të cilët dalin për të bërë shfaqje me kryetarin e qeverisë në mërgim, duke u ankuar që qeveria po u kërkon të paguajnë dritat. Kryetari i qeverisë në mërgim u thotë “dil në protestë, mos paguaj dritat”. Në fakt, nuk ka asnjë shqiptar të varfër, që përfshihet në këto skema sepse është i varfër, që të goditet nga heqja e fashës dhe që të mos ketë mundësi të paguajë dritat. Sepse shifrat e OSHE-së tregojnë gjëra drithëruese. Tregojnë që paguesit më të rregullt të dritave në Republikën e Shqipërisë janë pensionistët dhe personat e aftësi të kufizuar. Të parët paguajnë 98 % dhe të dytët 93 %. Duke e lënë pas gjithë pjesën tjetër të shoqërisë dhe duke e lënë shumë më pas biznesin.

Pjesa tjetër ka të bëjë me ndryshimin tërësor të qasjes ndaj zhvillimit vendor. Ne kemi bërë një reformë që qysh në këtë buxhet tregon qartë sesa shumë më shumë do të bëjmë me më pak. Çka do të thotë se duke rritur fondin e mbështetjes së rajoneve 3 herë më shumë se në vitin 2013, ne do të mund të bëjmë 30 herë më shumë, sesa ç’është bërë me fondin e vitit 2013, për një sërë arsyesh që kanë të bëjnë me strukturimin e kësaj marrëdhënieje, por mbi të gjitha, falë Reformës Administrative – Territoriale.

Nga ana tjetër, bujqësia, sot, në buxhetin e 2015, praktikisht merr rreth 50 % më shumë sesa në 2014 dhe afro 100 % më shumë sesa në 2013.

Sikundër, rezultatet e para në rritjen e sigurisë rrugore, që përkthehen në shifra të uljes së aksidenteve dhe me radhë, do të shkojnë duke u forcuar. Sepse edhe këtë vit ne do të kemi një buxhet të konsiderueshëm për rritjen e sigurisë rrugore, që është më i lartë se viti i shkuar, i cili ishte rreth 60 % më shumë sesa viti 2013. Ndërkohë që, do të financojmë një projekt prej 100 milionë dollarësh për, ekzaktësisht, transformimin e rrugëve nacionale të vendit nga shtigje vdekjeje dhe plagosjesh, e pasigurie totale në rrugë me standarde normale sigurie.

Në sektorin e energjisë kemi mundur të marrim më në fund një mbështetje, prej 150 milionë dollarësh, të drejtpërdrejtë nga Banka Botërore dhe përfshirë buxhetin e 2015 janë 20 miliardë lekë që shkojnë për rimëkëmbjen e sektorit. Jemi shumë të vetëdijshëm sesa të drejtë kanë njerëzit kur thonë: “Dakord, po paguajmë energjinë, por diku afrofeja është e patolerueshme, diku tjetër energjia nuk vjen në standardet e caktuara, diku tjetër një defekt e bën të mungojë, etj., etj..” Por njerëzit duhet ta kuptojnë se pse ndodh kjo. Dhe, se pse mospagesa e energjisë nuk është justifikim. E kundërta është e domosdoshme. Kjo ndodh sepse sistemi është i rrënuar dhe sepse në rrënimin e sistemit kanë marrë pjesë të gjithë. Ndërkohë që, duke paguar të gjithë, jo vetëm që kemi shumë më tepër frymëmarrje për të investuar në sistem, - praktikisht kemi filluar që në 2014 investime si asnjëherë më parë, - por kemi shumë më tepër frymëmarrje për të rënë dakord me institucione financiare që të investojmë për këtë sistem. 150 milionë dollarët e para janë vetëm fillimi i një marrëdhënieje financiare që do të shkojë duke u intensifikuar, qoftë me Bankën Botërore, qoftë me institucione të tjera financiare që lind si rezultat i seriozitetit të treguar nga Qeveria shqiptare, por edhe si rezultat i përgjigjes, i reagimit të shumë qytetarëve për të paguar energjinë elektrike.

Ne nuk i kemi dhënë ende shifrat e çfarë ka përfituar sektori, nënkupto shoqëria shqiptare këtë muaj, vetëm këtë muaj, sepse presim t’i konsolidojmë me të dhënat e muajit të ardhshëm, por nëse trendi i këtij muaji do të vërtetohet dhe do të konsolidohet, atëherë ju siguroj se në një kohë prej 2 vjetësh ne do të kemi një situatë prej katërcipërisht tjetër. Në një kohë prej dy vjetësh ky sektor, nga një lak në fyt do të kthehet në një burim të fuqishëm fitimi për shoqërinë.

Edhe dy fjalë të fundit lidhur me punësimin, shëndetësinë dhe arsimin. Kemi një fond të mbështetjes së punësimit prej 4.5 milionë dollarësh. Kemi pasur një reagim shumë inkurajues vitin e kaluar, e kemi rritur fondin këtë vit. Sikundër i kemi qëndruar edhe marrëveshjes së bërë me industrinë fason që të ardhurat nga 5% shtesë i tatimit të fitimit t’ua kthejmë drejtpërdrejt, por bazuar në projektin e punësimit. Praktikisht, janë rreth 70 % e fondit që shkon për këtë industri dhe pjesa tjetër është në dispozicion të të tjerëve, me tendencën që ky fond për nxitjen e punësimit të vazhdojë të rritet.

Sa i përket arsimit dhe shëndetësisë, jemi në kushtet kur kemi 2 kantieret më të mëdha të hapura. Të hapura plotësisht dhe ku gjendemi përballë një fakti rrëqethës se kemi një sfidë të përbashkët, në radhë të parë, për të rritur kapacitetin e trupës mësimdhënëse. Ju i keni parë shifrat rrëqethëse të mësuesve jashtë profilit apo pa arsimin përkatës, ndërkohë që nuk e dimë pasi testi kombëtar që po përgatit Ministria e Arsimit dhe që do të kryhet vitin e ardhshëm, do të na japë një pamje edhe të kapacitetit të mësuesve që janë brenda profilit dhe që kanë arsimin përkatës dhe fokusimi tek trajnimi i mësuesve do të jetë maksimal. Sikundër do të lidhet me licencimin dhe do të lidhet edhe me procesin e akreditimit, që do të shtrihet nga shkollat e larta edhe tek shkollat e mesme.

Ndërkohë që, për sa i përket pjesës tjetër, nuk po hyj të numëroj objektet arsimore, terrenet sportive apo laboratorët mësimore që do të financohen nga buxheti, këto në mënyrë më të detajuar ndoshta do t’i thotë Ministrja, por dua të nënvizoj se në këtë buxhet kemi transportin falas për 11 mijë mësues dhe 30 mijë nxënës. Kjo shkon paralel me planin që ne do t’ia paraqesim Kuvendit kur të jetë gati për të incentivuar shkuarjen e mësuesve të rinj në zonat më të vështira, ku kemi mungesa të mëdha të mësuesve. Deputetët që i njohin zonat më të vështira janë shumë të vetëdijshëm. Njëkohësisht ne jemi të vetëdijshëm se çfarë duhet të përballojmë për shkak të dëshpërimit të akumuluar me vite në ato zona.

Ndërkohë që, për sa i përket librave, janë 120 mijë nxënës që do të marrin rimbursim të teksteve shkollore, por sfida jonë është heqja e teksteve dhe kalimi nga librat tek tabletat në të gjithë Republikën e Shqipërisë. Kjo do të fillojë këtë vit në 60 shkolla, por ajo çka na e bën ritmin më të ulët sesa ç’do ta dëshironim është përgatitja e mësuesve. Pra, na duhet të përgatisim të gjithë trupën mësimore dhe t’i bëjmë mësuesit të gatshëm për të kaluar nga librat tek tabletat, sepse fëmijët, është e provuar botërisht, e kanë shumë më të lehtë.

Për sa i përket shëndetësisë, viti 2015 fillon me zbatimin e plotë të kontrollit shëndetësor bazë dhe falas për të gjithë shqiptarët rezident nga mosha 40 në 65 vjeç. Po ashtu, kemi një rritje të mëtejshme të fondit të barnave të rimbursueshme, që shkon në afro 90 milionë dollarë. Janë një sërë financimesh të tjera, të cilat do të vihen në lëvizje vitin e ardhshëm për një sërë shërbimesh, duke filluar nga shërbimi i kirurgjisë së përgjithshme dhe sëmundjeve të brendshme në QSUT, duke vazhduar tek projekti i shëndetësisë elektronike, pastaj investimi për Spitalin Universitar të Traumës dhe me radhë. Sfida jonë është që ngremë institucionin e shërbimit të Urgjencës Mjekësore në një nivel tërësisht të ri, duke vijuar me fuqizimin e “flotës” dhe duke realizuar një menaxhim shumë më të plotë të gatishmërisë së përditshme të automjeteve dhe të pajisjeve.

Ka pasur një keqtrajtim në ditët e diskutimeve, jo nga komisionet, por në publik, për rritjen e numrit të policëve, gjë që është shfrytëzuar si argument për krijimin e shtetit policor. Në fakt, ne jemi vendi më qesharak i Europës dhe i rajonit për sa i përket numrit të policëve për banor. Kemi numrin më të ulët, por me diferencë të madhe nga i parafundit. Nuk krahasohemi fare as me Kosovën, as me Malin e Zi, me Kroacinë jo e jo, me Maqedoninë jo e jo dhe kemi numrin më të madh të policëve me arsim të mesëm. Kemi policinë më pa shkollë në Europë, nga ana jonë, që t’i themi gjërat siç janë. Për këto arsye, nga njëra anë do të kemi një rritje të numrit, që nuk është rrija e plotë e numrit, - nuk shkojmë ende në standard, kuptohet për arsye mundësish financiare, - dhe do të kemi paralelisht një rritje të konsiderueshme të numrit të punonjësve të shkolluar të policisë dhe policëve të shkolluar të terrenit. Po ashtu, shuma e përgjithshme e financimit të forcave të policisë ka të bëjë me rritjen e kapaciteteve përmes teknologjisë dhe me radhë, përmes një sërë programesh që, jemi të bindur, në vitin e ardhshëm do të na sjellin një rritje po kaq sa këtë vit. Pra, edhe një herë kaq, të standardeve të sigurisë dhe të shifrave. Ambicia jonë ka qenë qysh në fillim që në 4 vjet shifrat e kriminalitetit dhe gjithë shifrat që kanë të bëjnë me punën e policisë të mos kenë asnjë dallim nga shifrat e vendeve të Bashkimit Europian, jo nga vendi i fundit i Bashkimit Europian, por nga mesatarja e vendeve të Bashkimit Europian. Jemi të bindur që këtë do ta realizojmë plotësisht. Sikundër, duam që në 4 vjet matja e transparencës dhe e nivelit të korrupsionit në polici të sjellë që policia shqiptare të figurojë në mesataren e BE. Këto janë dy objektiva që kanë nevojë për mbështetje financiare, kanë nevojë për mbështetje logjistike, kanë nevojë për mbështetje në njerëz. Kjo është arsyeja pse ne në këtë buxhet kemi parashikuar një rritje të numrit të policisë, që nuk e ezauron problemin. Vitin e ardhshëm do të kemi një rritje tjetër të numrit, për të gjithë ata që shqetësohen nga rritja e numrit të policëve dhe që janë pakicë. Shpresojmë shumë të kemi një rritje të mëtejshme të gjithë standardeve të shërbimit dhe të shifrave pozitive të punës së policisë.

Pak a shumë, kjo është një pamje e përgjithshme.

Besoj që Ministri i Financave dhe gjithë Ministrat do të japin detaje. Dua të falënderoj me gjithë zemër deputetët për kontributin e dhënë për diskutimin në komisione. Ka ende gjëra për të përmirësuar në procesin nen për nen, por vetëm një gjë dua të nënvizoj që përmirësimet duhet të shkojnë në drejtim të ndarjes me të shkuarën dhe jo afrimit me të shkuarën. Përmirësimet duhet të shkojnë në drejtim të shkurtimit të mëtejshëm, nëse ka mundësi, të shpenzimeve të kota dhe pa asnjë dyshim, në funksion të modernizimit. Jam i bindur që nga debatet ka pasur indikacione inkurajuese dhe pozitive. Duke falenderuar në mënyrë të posaçme Komisionin e Ekonomisë dhe të Financave jam i bindur që në ditët e mbetura do të mund t’i japim formë përfundimtare një buxheti, i cili garanton qëndrueshmëri të rritjes ekonomike dhe të arritjes së të gjithë objektivave tona.

Faleminderit!



Ndërhyrje e Kryeministrit Rama pas fjalës së deputetit Pandeli Majko:



Dua të shfrytëzoj rastin që më dha Pandi. Së pari, për të thënë sa shumë boshllëk ka lënë opozita. Së dyti, për të thënë që nëse është e majtë të mos paguash dritat dhe është e djathtë t’u kërkosh jetimëve të paguajnë dritat, atëherë unë jam i djathtë. Por s’besoj se është e majtë të mos paguash dritat. Nuk besoj se është e djathtë t’ju thuash jetimëve “paguaj dritat”, se po të ishte kështu edhe të të djathtët që mungojnë këtu nuk do ishin duke mbledhur këdo që nuk do të paguajë për t’i sjellë në protestë. E vërteta është që ne kemi 20 vjet që tërhiqemi zvarrë, duke bërë një faj tradicional, që ne këtu sot, unë, qeveria jonë, shumica jonë, nuk duhet t’ja lejojmë vetes. Fajin e të mbajturit të pushtetit në kurriz të shtetit dhe fajin e të mosharxhuarit të kredive politike për të investuar që e ardhmja të jetë ndryshe. E ne e kemi shtyrë të ardhmen për shumë vite, duke folur në emër të saj, por gjithmonë duke qenë peng i të sotmes.

Këtë të energjisë kam shumë nevojë ta ritheksoj;

Ne nuk do falim asnjë kamatvonesë.

Ne nuk do falim askënd që nuk paguan energjinë elektrike.

Kjo është diçka që e kemi të shkruar në Kodin tonë Penal dhe është diçka të cilës duhet t’i nënshtrohen të gjithë. Kur vjen puna tek ata që ankohen se nuk e paguajnë dot, unë përsëri do t’u them se paguesit më të rregullt të energjisë elektrike në këtë vend, sipas të dhënave të OSHE, janë pensionistët dhe personat me aftësi të kufizuar. 98 % e pensionistëve paguajnë energjinë elektrike. Nuk ka njerëz më të varfër, nuk ka njerëz më në nevojë, nuk ka njerëz më të harruar sot, sesa pensionistët. Kur e paguajnë pensionistët, askush tjetër nuk duhet ta diskutojë. Ka shumë alternativa përgjigjeje edhe për ata jetimët. Ndërkohë që, kur personat me aftësi të kufizuar paguajnë energjinë elektrike 93 %, atëherë do të thotë se nuk ka alibi.

Nuk kam parë unë dhe nuk kam dëgjuar që të shkojë ndonjëri tek dyqani i bukës dhe të thotë “unë kam uri, unë po vdes, bukën do ta marr, lekët nuk t’i jap”. Nuk e bën njeri. Nuk kam parë që të shkojë njeri e të marri shishen e ujit në dyqan dhe të thotë “vdiqa për ujë, nuk mund të jetoj më, shishen do ta marr, e lekë s’ka”.

Atëherë pse vidhet energjia? Pse i kemi dhënë vjedhjes së energjisë statusin e vjedhjes sociale? Ç’është kjo vjedhje sociale që ne e kemi pranuar dhe që na është bërë status social dhe që na del sot edhe opozita dhe thotë kush nuk do të paguajë të vijë në protestë?! Për çfarë arsye?

Pa asnjë dyshim, nëse ky vend, nëse kjo shoqëri do të paguante 100 % energjinë elektrike, sot do të kishin absolutisht një Shqipëri tjetër. Pa asnjë diskutim kur të gjithë ta paguajnë energjinë elektrike, pa diskutim do të kemi një Shqipëri tjetër. Sepse e kemi bërë llogarinë. Është një llogari shumë e thjeshtë. Rrimë këtu dhe përplasim kokën me njeri-tjetrin për një shkollë më shumë, për një rrugë më shumë, për një spital më shumë, për një pavion më shumë, për 5 barna më shumë të rimbursueshme. Ndërkohë që, sikur të paguanin të gjithë energjinë elektrike do të kishim jo një rrugë më shumë, por 100 kilometra rrugë më shumë, në vit. Do kishim, jo një shkollë më shumë, por 150 shkolla më shumë në vit. Do të kishim jo një spital, por 6 spitale moderne rajonale në vit. Do kishim jo pak më shumë, por do kishim ekzaktësisht dyfishin e të ardhurave që ne sot marrim nga tatimfitimi i kompanive.

Pra, do të ishte njësoj si të dyfishonim kompanitë në këtë vend dhe do të kishim dyfishin e parave që paguajmë për ndihmën ekonomike dhe që paguajmë për aftësinë e kufizuar nëse paguajmë energjinë elektrike, pa llogaritur borxhet.

Kjo është një temë që besoj unë, për ne duhet të jetë tabu, me çdo çmim, edhe me çmimin që njerëzit thonë ne duam një qeveri tjetër se s’duam të paguajmë energjinë elektrike.Le ta marrin, le ta zgjedhin një qeveri tjetër. Duam një parti, duam një koalicion partish që na mundëson të vjedhim dhe të mos paguajnë. Le ta zgjedhin. Ne nuk kanë zgjedhur për këto. Ne na kanë zgjedhur për të vendosur barazinë përpara ligjit dhe përpara çdo detyrimi dhe të drejte. E, ne këtë po bëjmë. Për këtë arsye, po ju japim 16 milionë dollarë të gjithë atyre të cilëve që medemek, ia u kemi rimbursuar, por iu kemi lënë vetëm gishtin në gojë dhe nuk është marrë kush, deri dje me të. Në letrat e shtetit është quajtur para e rimbursuar. Zero, asnjë rimbursim. Kanë paguar përsëri ata.

Nga ana tjetër nëse duam të mos godasim apo mos rëndojmë suksesin, nuk është tek depozita i dashur Pandi, është tek formula e ndarjes së grantit. Ndryshon formula e ndarjes së grantit, formulë e pranuar prej vitesh e bërë me asistencë ndërkombëtare, etj, etj, që çfarë bën ajo formulë? Njësia vendore që performoi më mirë, i jep më pak. Njësia vendore që nuk performojnë në mbledhjen e taksave, i jep më shumë. Ne, po i japim prioritet të suksesshmëve, atyre që duan të bëjnë sukses edhe për të tjerët.

Prandaj ne nuk do të rimbursojmë naftën pa faturë. S’ka problem, duan një shtet pa shtet, ku secili të përfitojë sa të mundet, në kurriz të tjetrit dhe që nafta që medemek jepet për të mbështetur bujqësinë, të shkojë për mercedeset edhe të mos shkojë tek ata që duhet, - le ta gjejnë me votë. Ne nuk jemi votuar për këto. Ne jemi votuar që çdo qindarkë ta çojmë në funksion të një shteti dhe të një shoqërie që është bashkë me parakushtin e drejtësisë. Për këtë arsye, vjet me Ministrin e Bujqësisë ramë dakort që të japim një mesazh dhe mesazhi ishte shumë i qartë; Iu rimbursua nafta serave, të gjitha serave, por ama asnjë pikë naftë nuk na iku rrugëve të korrupsionit. Naftën e morëm dhe e shfrytëzuam dhe urdhëro ku jemi sot, me një prodhim serash dhe me një kërkesë për të shtuar serat edhe para këtij incentivi.

Kemi rënë dakort përsëri të heqim taksën e qarkullimit të naftës për peshkimin. Është i njëjti sektor dhe ka mundësi për ta kontrolluar. Shpresojmë ta kontrollojmë ashtu siç duhet. Por, ne nuk mundet dot më të vazhdojmë me të majtën që mendon me zemër dhe ndjen pa mend, që t’i japim subvencione në hava, me para të shpërndara kudo, në emër të solidaritetit dhe në fund fare çfarë të marrim mbrapa, - bujqësinë e mesjetës, të gjithë të barabartë në varfëri, të gjithë që kacafyten për të kapur grantin dhe që vrapojnë për gjetur mikun, shokun, deputetin, ministrin, partinë, për të marrë ndonjë lek me një politikë që i thonë në Dibër mbillni kumbulla dhe i thotë në Divjakë mbillni mollë.

Ne s’duam të bëjmë këtë. Ne duam që të mbështesim dhe janë, atje janë, në territor janë, nuk i shohim në ëndërr ne, fermerët që bëjnë sukses. Fermerët e Divjakës që i kanë çuar shifrat e eksporteve në qiell, sot, në krahasim me ç’ishin, ne nuk i kemi parë në ëndërr, i kemi parë në territor. Ata do të mbështesim ne. Ne nuk i themi njerëzve bëni me zor kooperativa dhe bashkohuni me zor, por ne u themi njerëzve, kush bashkohet, merr më shumë mbështetje nga ne, kush krijon vlerë të shtuar, merr më shumë mbështetje nga ne. Kush krijon zinxhir prodhimi nga mbjellja tek eksporti merr më shumë nga ne. Kush nuk do ta bëjë këtë le të gjejë rrugë të tjera. Ne nuk jemi këtu për t’u kujdesur për të mbajtur status quo-në. Jemi këtu për të thyer status quo-në, në çdo sektor, me çdo çmim. Për këtë na kanë zgjedhur njerëzit. Nuk na kanë zgjedhur të rrimë në pushtet 2000 vjet. Na kanë zgjedhur ta konsumojmë pushtetin për të ndryshuar radikalisht mënyrën se si raportohet shteti me shoqërinë, qeveria me njerëzit dhe politikat me suksesin.

Kjo është arsyeja pse unë besoj që jo për konformitet, por realisht kemi arritur të vendosemi në një pozicion jo komod, por shumë të qëndrueshëm, në raport me domosdoshmërinë për të hequr litarët nga këmbët. Sigurisht, se e nisëm qeverinë me këmbë tërësisht të lidhura, me 727 milionë borxhe të panjohura, merre me mend borxhet e njohura, por njëkohësisht edhe për të shkuar përpara.

Edhe diçka tjetër për shtëpitë. Falë Pandit, dhe kjo është e vërteta, ne e kemi bllokuar procesin, edhe pse bllokimi i atij procesi të prishjes së atyre shtëpive pa leje, që pengojnë infrastrukturën kryesore të kryeqytetit, sjell pengimin e një investimi shumë të rëndësishëm dhe sjell mosrealizimin e një investimi shumë të rëndësishëm. Por, me vetëdijen se ne nuk i fusim të gjithë në një thes, e kemi thënë këtë gjë, do të legalizojmë shtëpitë në zona informale, - e kemi thënë këtë gjë shprehimisht, - dhe ata njerëz që nuk kanë alternativë meritojnë një alternativë. Sepse nuk janë vetëm ata, nuk janë vetëm ato 80 shtëpi. Janë të tjera në anët e lidhjes së transballkanikes së Vlorës me autostradën, janë të tjera në rotondat e pushtuara e kështu me radhë. Për to, nën drejtimin e Zëvendëskryeministrit, po japim një plan mbështetje financiare që të mos dalin në rrugë. Por, nga ana tjetër, më falni, si mundet ne të ndërtojmë infrastrukturë moderne në këtë vend, në qoftë se do të pranojmë të bashkëjetojë investimi ynë për modernizimin e një infrastrukture me çibanët e mbjellë në të katër anët. S’e bëjmë dot! Edhe sikur të duam, s’e bëjmë dot! Do vazhdojmë të bëjmë një hibrid që s’na çon asgjëkund. Arsyeja pse ne pikërisht e stopuam atë proces ishte e bazuar tek e vërteta që ata njerëz nuk duhen lënë pa alternativë. Ata njerëz nuk janë pa alternativë sot se i lamë ne. Ai ishte një projekt i nisur përpara. Nuk e nisëm ne atë projekt. I nisur ashtu, siç niseshin projektet nga qeveria e dikurshme dhe praktikisht i lënë si djali i tjetrit në derën tënde. Ka fjalë tjetër shqipja, por e kemi thënë që këtu në Kuvend nuk i përdorim ato fjalë. Kjo është!

E fundit, edhe një herë tjetër, unë besoj që ne e kemi bërë dallimin; ne nuk bëjmë diçka pa dobi, se quhet e majtë dhe ne nuk hezitojmë të bëjmë diçka të dobishme se quhet e djathtë. Ne s’jemi të majtë për të ngushëlluar veten tonë në darkë se shpëtuam ca njerëz dhe ia faturuam Shqipërisë, nesër, më shumë. Se një ditë ato fatura mblidhen, siç po mblidhen faturat e energjisë, sot. S’kemi asnjë frikë që të bëjmë diçka që quhet e djathtë, por që ka dobi. Ne na duhet dobia. Na duhet rentabiliteti. Na duhet suksesi. Dhe, që njerëzit të vihen në kushtet që bëjnë sukses, duhen nxjerrë nga kushtet ku e kërkojnë nga shteti çdo gjë dhe ia vënë fajin shtetit për çdo gjë. Asnjë shtet i madh, as Shtetet e Bashkuara, as Gjermania, as Franca nuk ka luksin të shpenzojë para për të mbështetur përgjumjen, për të mbështetur limontinë, për të mbështetur zvarritjen. Jo më ne, që jo e jo nuk e kemi luksin dhe me këto para që kemi, që janë shumë pak në krahasim me nevojat. Ne duhet të prodhojmë më shumë sukses dhe duhet të bëjmë që të kemi rezultate që sjellin rezultate.

Ndaj, mbështetja e një fermeri për ne nuk është mbështetja e një fermeri është mbështetja e një procesi. Ndaj skemat e financimit sot janë konkurruese. Sfida jonë nuk është si t’ia bëjmë që t’i fshihemi njerëzve në fshat. Sfida jonë është si t’i bëjmë njerëzit në fshat që të kuptojnë që paratë janë, por për t’i marrë duhet të konkurrosh dhe për të konkurruar duhet të mësosh.

Ne duhet të kalojmë nga bujqësia e lëmoshës tek bujqësia e dijes!

Se nuk ka fermer sot në Europën e Bashkuar që është i varfër, por ama nuk ka fermer sot në Europën e Bashkuar që është injorant. Në këtë aspekt, ne na duhet të luftojmë injorancën duke, në radhë të parë, garantuar që strukturat tona të mbështetjes të mos jenë injorante. Se aty fillon injoranca. Duke garantuar që strukturat tona të mbështetjes, Drejtoritë e Bujqësisë dhe të gjitha strukturat e tjera të jenë në funksion të dijes dhe t’i bëjnë fermerët të gatshëm për të konkurruar dhe për të krijuar proces. Nga gjithë fermerët që ne kemi mbështetur, çfarë ka rezultuar? Si numër ata janë pak, por si impakt, kemi marrë një impakt shumë më të madh sesa mbështetja me subvencione e një numri më të madh, që përfundon prapë te ai oborri i vogël i shtëpisë. Ky është objektivi dhe kjo është sfida jonë.

Ndërsa për sa i përket naftës, ne të gjithë bashkë duhet t’ia themi qartë dhe prerë njerëzve në fshat: “E doni naftën me një çmim të ndryshëm nga çmimi në treg?! E keni! Bini faturën. Formalizoni prodhimin.” Nuk mund të merret më naftë pa formalizuar prodhimin. Është e pamundur. Ndryshe mbetemi në një situatë që nuk marrim nga bujqësia atë që duhet të marrim dhe mund të marrë ky vend. Në këtë aspekt, çfarë quhet kjo, e djathtë? Po le të quhet. Unë mendoj që nuk është e djathtë. Unë mendoj që është e dobishme. Ndërkohë nëse ajo tjetra quhet e majtë, ta braktisim një orë e më parë. Se ajo s’është e majtë. Ajo është e padobishme.

Sfida jonë është: “Me këto para do mbështesim suksesin apo do mbështesim parazitizmin?! Do të kemi më shumë parazitë apo do kemi më shumë njerëz të suksesshëm?!” Dhe nëse, kur vjen puna, tek personat me aftësi të kufizuar jemi dhe të detyruar të përulemi dhe të rrisim mbështetjen, sepse aftësitë e tyre janë të kufizuara, çdo person tjetër ne e konsiderojmë person me aftësi të pakufizuara. Në betejën e aftësive të pakufizuara, ne nuk duhet t’i vendosim vetë kufijtë, duke bërë të pamundurën që të ketë konkurrencë dhe duke bërë të pamundurën që të ketë fitim. Shembujt e fermerëve, që nga ai i verës, në një periferi të pabesueshme afër Rrëshenit, ku ka një kantinë të standardeve europiane deri tek ata të Divjakës, e deri tek ata poshtë në Sarandë e në Konispol tregon që këta njerëz kanë nevojë të mbështeten për aftësitë e tyre të pakufizueshme dhe ne nuk mund të vëmë kufij.

Ndaj, besoj, që ky buxhet e ka këtë virtyt që nuk vendos kufij. E kemi rritur fondin e mbështetjes aq sa kemi mundur, por ama do të marrim shumëfishin e rezultatit për të njëjtin fond. E njëjta gjë vlen në të gjitha drejtimet e tjera. Patjetër që gjithçka që tha Pandi dhe e falenderoj që më dha mundësinë për ta shtjelluar më tutje këtë bisedë, vlen. Vlen dhe nuk diskutohet. Njerëzit e dinë se çfarë situate ishte ajo që ne morëm. Sipërmarrjet e shohin. Kanë marrë një pjesë të madhe të parave që i detyroheshin dhe do t’i marrin të gjitha. Sigurisht që këto para nga diku dalin. Ne nuk kemi luksin që nga njëra anë t’i paguajmë sipërmarrjet për të gjitha borxhet dhe nga ana tjetër t’i kthehemi dhe t’u japim borxhet edhe atyre sipërmarrjeve në sektorin energjetik që kanë ndërtuar hidrocentrale dhe tani po mbyten se nuk mund më të rrinë në këmbë se janë në prag të falimentit, e nga ana tjetër t’u themi njerëzve: “Dakord, kush ka paguan, kush nuk ka s’paguan energjinë”. Kjo është një çështje që për ne është e mbyllur. Sikur ne, sikur kjo qeveri të arrijë në 4 vjet vetëm kaq: Që Shqipëria të mos vjedhë më vetveten duke vjedhur energjinë dhe që në Shqipëri gjithkush të paguajë energjinë, besomëni që kemi bërë një mision historik që edhe kaq është i mjaftueshëm për të thënë ‘ne e bëmë tonën’. Sikur vetëm kaq, asgjë tjetër. Sepse zinxhiri i vlerave që do të krijojë ky fakt është eksponencial. Sikur vetëm kaq.

Unë dua ta rinënvizoj, që në këtë betejë nuk do të bëjmë asnjë lëshim dhe nuk do të shohim asnjë në sy. Kush do të dalë përpara do të gjejë atë që parashikon Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë. Asnjë lloj tolerance! Zero! Le të ketë çfarëdo lloj statusi, le të ketë çfarëdo historie, le të tregojë çfarëdo dhimbjeje. Energjia paguhet dhe nuk vidhet! Pikë! S’ka diskutim për këtë.

KOMENTE