English

Nishani akordon dekoratën “Nderi i Kombit” Majlinda Kelmendit, kampione bote në sportin e xhudos

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani i akordoi dje dekoratën “Nderi i Kombit” Majlinda Kelmendit, dy herë kampione bote në sportin e xhudos, me këtë motivacion: “Për veprimtari të shquar dhe vlera të larta të paraqitura në sportin e xhudos, si një sportiste e nivelit shumë të lartë, me rezultate të shkëlqyera, të arritura në veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare, duke u shpallur dy herë kampione bote.”

Pas një takimi të shkurtër gjatë të cilit kampionia e botës Kelmendi i dhuroi Presidentit Nishani një kostum sportiv, u zhvillua ceremonia e veçantë në mjediset e Institucionit të Presidentit ku ishte i pranishëm edhe i Ngarkuari me Punë i Republikës së Kosovës në Tiranë, Ramiz Lladrovci, Kreu i Shtetit theksoi mes të tjerash: “Dëshiroj t’ju uroj mirëseardhjen dhe të shpreh kënaqësinë time të veçantë që, më së pari, takohem me sportistë, me përfaqësues të denjë të sportit, artit, kulturës, të trashëgimisë sonë kulturore, të cilët çdo ditë me angazhimin, punën dhe arritjet e tyre japin një kontribut shumë të madh, japin një kontribut shumë të madh në lartësimin përmes sportit, përmes kulturës, të emrit të shqiptarit.

E kam ndjekur si shumë tifozë shqiptarë, si shumë dashamirës, si shumë bashkatdhetarë të tjerë tanët karrierën e shkëlqyer të sportit të Majlindës që në përpjekjet e para dhe deri sa ka mbërritur tashmë në majat më të larta të botës. Një vajzë shqiptare, tashmë, dy herë kampione bote në një sport i cili kërkon profesionalizëm, kërkon dhunti, kërkon shpirt të fortë gare, por njëkohësisht kërkon jo vetëm vullnet, por dhe pasion dhe dashuri për atë çka përfaqëson. Unë jam i bindur sot që, çdo shqiptar, kudo ku jeton, është me të vërtetë i lumtur që përmes arritjeve dhe punës së Majlindës, përmes prezantimit të saj në nivelin botëror dhe jo vetëm një herë, por tashmë në mënyrë të konsoliduar. Emri i shqiptarit është i radhitur në mënyrë të denjë përkrah më të mëdhenjve të botës së sportit.”

Njëkohësisht Presidenti Nishani duke shprehur kënaqësinë e veçantë për përfaqësimin dinjitoz që Majlinda i bën tani Kosovës, shtetit më të ri të rajonit tonë, theksoi: “Të gjithë shqiptarët dhe të gjithë miqtë e shqiptarëve janë sot të kënaqur që përveç përpjekjeve të diplomacisë, të politikës, të institucioneve shtetërore të një promovimi të madh të emrit të Kosovës, të vlerave që ka Kosova dhe të kontributeve që mund të japë Kosova edhe në nivelin botëror vijnë edhe përmes sportit. Me sigurinë më të madhe mund të them sot që, krahas asaj pune të madhe që bën sot në tërësi populli në Kosovë, institucionet e saj, Majlinda si dhe shumë sportistë të tjerë, artistë, shkencëtarë të Kosovës sot janë ambasadorët më të mirë të saj. Duke vlerësuar arritjet më të larta të mundshme profesionale, sportive të Majlindës si dy herë kampione bote, por dhe kontributin e madh që ajo ka dhënë në promovimin e vlerave, kulturës, të potencialeve që ka Kosova, dëshiroj që të gjë dhe besoj se do të gjej dhe mbështetjen e çdo shqiptari sot për ta nderuar dhe vlerësuar Majlindës me titullin e lartë ‘Nderi i Kombit’. Është një titull i lartë për të cilin jam i bindur që Majlinda e meriton plotësisht. Ky titull i lartë i shkon, në radhë të parë, përpjekjeve të Majlindës, arritjeve të saj, por njëkohësisht i shkon në tërësi stafit, bashkëpunëtorëve, trajnerit dhe gjithë ekipit, Federatës. I shkon njëkohësisht, besoj unë, edhe të gjithë atyre përpjekjeve të bëra nga bashkëpunëtorët, kolegët, sportistët e tjerë shqiptarë. Por, të shkoj dhe si inkurajim për të gjithë sportistët e tjerë, të cilët duhet ta konsiderojnë rrugën e tyre si një mundësi të madhe të promovimit të vlerave të sportit, të kulturës, të trashëgimisë sonë dhe njëkohësisht të promovimit të vlerave më të mira që kemi ne shqiptarët, vlera të cilat do të jenë dhe një kontribut në tërësi për vet botën, për vet sportin të këtyre niveleve, të këtyre përmasave. Ne gjithnjë e më shumë po shohim që sportistët shqiptarë po arrijnë nivelet botërore të prezantimit dhe të rezultateve. Kjo është një inkurajim i madh, është një inkurajim për vet potencialet që ne kemi, por njëkohësisht është dhe një vlerësim për të parë sesi shqiptarët janë kontributorë edhe të vlerave, standardeve dhe arritjeve më të mëdha botërore.

Duke uruar sot Majlindën jo vetëm për rezultatet më të fundit që arriti, për gjithë karrierën e saj, por edhe për gjithçka premton karriera sportive e Majlindës, dëshiroj t’i uroj të gjithë sportistëve të tjerë prezent sot këtu në Institucionin e Presidentit, por dhe atyre që nuk janë, urimet më të mira, suksese të mëtejshme! Ata meritojnë mbështetje shumë më të madhe nga institucionet shtetërore. Jam i bindur që rezultatet që do të arrijnë do të jenë njëkohësisht një detyrim dhe një detyrë më e madhe dhe për institucionet shtetërore për ta parë sportin me vlerat që ka në të vërtetë dhe për të parë potencialet që ka sporti si një mundësi shumë e madhe për të ecur përpara.”

“Unë e falënderova në mënyrë të veçantë Majlindën për një dhuratë shumë të bukur që i bëri sot Institucionit të Presidentit të Republikës, kostumin e kampiones, që do të jetë pjesë tashmë e një vendi të veçantë të Institucionit së bashku me objekte të tjera të kampionëve të tjerë shqiptarë, por edhe e atyre që do të vijnë. Jam i bindur që ne kemi kampionë të ardhshëm. Ju uroj dhe një herë vlerësime dhe mirënjohje për çka keni arritur, njëkohësisht ju uroj suksese të mëtejshme në punën tuaj!” – vuri në dukje Presidenti Nishani.

Ndërsa Kampionia e Botës në xhudo, Majlinda Kelmendi duke marrë në dorëzim dekoratën e lartë nga Presidenti Nishani, u shpreh:

“Dëshiroj të falënderoj Presidentin zotin Bujar Nishani për këtë dekoratë! Është nder, kënaqësi dhe privilegj shumë i madh për mua që sot shpallem ‘Nderi i Kombit’. Është e vërtetë që unë vij nga Kosova, kam lindur në qytetin e Pejës, dhe karrierën si sportiste e kam filluar aty, dhe vazhdoj aktivitetin tim aty, mirëpo mendimi im është që, nuk ka rëndësi se nga cili vend vijmë; nga Kosovë, Maqedonia apo Shqipëria. Ne jemi të gjithë shqiptarë, kemi të gjithë një gjak dhe Shqipëria është shteti ynë dhe Presidenti i Shqipërisë është Presidenti i të gjithë ne. Kështu që, faleminderit dhe një herë dhe ky është një inkurajim shumë i madh për mua!”

KOMENTE