English

Përmbytjet. 3 viktima mbrëmjen e djeshme. Ngrihet shtabi i emergjencës

Menjëherë pas gjendjes së krijuar nga reshjet e dendura të shiut në disa zona të vendit, nën drejtimin e Zëvendëskryeministrit Niko Peleshi, u mblodh grupi koordinator në Kryeministri, i cili po ndjek situatën në mënyrë të vazhdueshme.

Në përbërje të grupit janë: Ministri i Punëve të Brendshme; Ministri i Energjisë dhe Industrisë; Ministrja e Mbrojtjes; Ministri i Bujqësisë dhe Ministri i Shëndetësisë.

Prej disa orësh, në zonat e rënduara si pasojë e reshjeve të forta ndodhet Ministri i Bujqësisë, i cili po ndjek situatën në terren.

Gjithashtu, në terren janë angazhuar forca dhe mjete logjistike të Ushtrisë, për t’i ardhur në ndihmë shtabeve të emergjencave civile të ngritura në çdo qark.

Grupi koordinator po monitoron orë pas ore të dhënat e ardhura nga të gjitha shtabet e emergjencave civile të çdo qarku dhe siguron qytetarët e zonave të prekura se janë ndërmarrë të gjitha masat e duhura, për të përballuar çdo situat eventuale.


**************************

Tre viktima nga përmbytjet

Trupi i 23-vjeçares që humbi jetën mbrëmjen e djeshme, si pasojë e përmbytjeve në qytetin e Laçit, është gjetur mëngjesin e sotëm. Dorina Kola po udhëtonte së bashku më babanë e saj Gjon Kola 62 vjeç, drejtor i shkollës së mesme në Laç.

Por automjeti me të cilin udhëtonin ka dalë nga rruga si pasojë e përmbytjeve, dhe duke rënë në një kanal. Trupi i Kolës është nxjerrë i vdekur nga makina, ndërsa trupin e vajzës së tij e kanë marrë shirat e rrëmbyeshëm.

Trupi i vajzës është gjetur në Sanxhak, rreth 2 km nga vendi ku makina me të cilën udhëtonin babë e bijë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 21:30, në hyrje të qytetit të Laçit. Policia mundi të nxjerrë mbrëmë trupin e 62-vjeçarit, i cili kishte mbetur i bllokuar në automjet. Ndërkohë që sot është gjetur trupi i vajzës.

Por mbrëmja e djeshme ka qenë fatale edhe për një të ri në fshatin Skuraj të Kurbinit. 22-vjeçari Liman Balluku ka humbur jetën si pasojë e shembjes së një ure. Ekipet e forcave të kërkim-shpëtimit vijojnë kërkimet për gjetjen e trupit.

Balluku ishte duke udhëtuar me motor së bashku me Guri Ndrecën në momentin kur u shemb ura. Të dy ranë në ujë, por Liman Balloku ende nuk është gjendur, ndërsa Ndreca arriti të shpëtojë.

KOMENTE