English

Pamjet filmike nga vrasja e 4 fishtë. Publikohet video-ja e pa parë më parë

Filmimet ekskluzive nga momenti kur Xhuvani hyn në lokal për të qëlluar mbi Edison Jahon, Enea Xhajn, Arbër Demirajn dhe Paolo Azzola, kur del me pistoletë në dorë dhe deri në momentin e arrestimit janë publikuar nga Lapsi.al


Ishte rrëfyer në disa versione masakra e 4 nëntorit në lokalin e natës “Ante Grand”, në rrugën e Elbasanit, në Tiranë. Por një pjesë të ngjarjes që ka për autor Kostandin Xhuvanin, djalin e deputetes së dorëhequr të PS -së, Luiza Xhuvani, prokuroria e ka të filmuar, si një prej provave më të rëndësishme në dosjen e dorëzuar tashmë në Gjykatë.
Lapsi.al publikon filmimet ekskluzive të një prej kamerave të vendosura pranë semaforit të këmbësorëve përballë Shkollës së Mesme të Gjuhëve të Huaja.
Është ora 04:19 kur përballë lokalit “Ante Grand” mbërrin makina tip Mercedes ML me targa TR 0250 N, e Arbër Demirajt, me të cilën gjatë asaj nate kishin lëvizur Kostandin Xhuvani, Erald Sida e Alban Ballcaj.
Prej saj zbret Erald Sida, i cili, sipas deklaratave të Alban Ballcajt kishte dalë nga lokali rreth orës 4 me një vajzë.
Takohet me një person ende të paidentifikuar, i cili del nga lokali dhe me gjasë e njofton për sherrin që po ndodhte brenda. Sida i drejtohet menjehërë lokalit të natës ku gjendej Kostandin Xhuvani e Arbër Demiraj.
Është momenti kur Xhuvani zbraz 6 plumbat e karikatorit të pistoletës së tij duke vrarë Edison Jahon, Enea Xhajn, shokun e tij Arbër Demiraj dhe italianin Paolo Azzola, i cili nuk kishte lidhje me ngjarjen, por qëllohet aksidentalisht, ashtu si edhe Demiraj.

Në orën 4:21, në rrugë, nga lokali dalin Kostandin Xhuvani dhe Erald Sida. Tërheqin për krahësh shokun e tyre të vrarë, 19 -vjeçarin Demiraj.
Në mes të rrugës aksidentohen me një motoçikletë të drejtuar nga shtetasi E.B, i cili edhe pas goditjes e ruan ekuilibrin dhe ndalon pak më tutje. Më vonë do të ndihmonte policinë në arrestimin e Xhuvanit.

E fusin Demirajn në sediljen e pasme të makinës. Roja e sigurisë së lokalit ka njoftuar ndërkohë policinë. Një patrullë gjendet në afërsi dhe mbërrin nga drejtimi i Saukut. Është ora 4:22. Ndalon në krah të makinës ku janë futur Xhuvani, Sida bashkë me Demirajn e pajetë, pikërisht në momentin kur Xhuvani e Sida po bëheshin gati të largoheshin.
Një punonjës i policisë, me inicialet K.SH drejton armën nga makina dhe mban të bllokuar Erald Sidan. Kostandin Xhuvani arrin të dalë dhe vrapon në drejtim të Fakultetit Ekonomik, në afërsi të disko Calvin. E ndjek punonjësi tjetër i policisë, me inicialet L.A.
Do ta ndalojë rreth 70 metra më tutje, me ndihmën e personit E.B që u gjend rastësisht me motor në vendin e ngjarjes. Ndërkohë, kanë mbërritur disa makina të tjera të policisë.
Ora 4:26. Policia shoqëron nga makina Mercedes ML për në një prej mjeteve të saj Erald Sidan, të prangosur.
10 minuta më vonë, në 4:36, futet në furgon me pranga në duar edhe Kostandin Xhuvani. Ndërkohë autoambulanca nis të transportojë trupat e viktimave.
Këto pamje filmike, që transmetohen për herë të parë nga Lapsi.al, të sekuestruara tashmë nga prokuroria, kanë ndihmuar grupin hetimor në zbardhjen e disa rrethanave të ngjarjes. Por krimi i Kostandin Xhuvanit është faktuar me prova të tjera të pakontestueshme; prova shkencore, si gjurmët e barutit të gjetura në duart e tij, të lëna nga të shtënat; me pistoletën e kapur në afërsi të vendit ku ai u arrestua dhe dëshmitë e të paktën 9 personave, të cilët kanë e parë duke qëlluar gjakftohtë mbi Edison Jahon dhe Enea Xhajn në shkallët zbritëse të lokalit të natës. Plumbat e dala nga pistoleta e tij vranë edhe Arbër Demirajn dhe italianin Paolo Azzola.
2181

KOMENTE