English

PD: Buxheti 2015, mangësi në sektorët e Energjisë dhe Bujqësisë

Deputetët demokratë të komisionit të veprimtarive prodhuese analizojnë buxhetin, duke konkluduar se fondet janë pakësuar, dhe ato që kanë mbetur për bujqësinë, u jepen klientëve të qeverisë

Deputetët e Partisë Demokratike në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese shqyrtuan sot Buxhetin e vitit 2015, duke u fokusuar në mangësitë e tij për sektorët e Energjisë dhe Bujqësisë.

Të dy këta sektorë të rëndësishëm kanë gjetur pak vend në Buxhet, tha deputeti Shehu, dhe ashtu si edhe në politikat e tjera edhe në këto dy sektorë vitin e ardhshëm pritet që ndikimi i buxhetit të jetë i vogël dhe përsa i përket energjitikës edhe negativ.

Deputeti Shehu tha se Shqiptarët po përjetojnë kthimin e territ energjitik, të cilin e kishin harruar që nga vitit 2005, mbasi filozofia e qeverisë demokrate ishtë që kostoja më e madhe është mungesa ose mospatja e energjisë elektrike.

U konstatua se shkaku i përkeqësimit të situatës është përkeqësimi i menaxhimit i cili bie në sy si menaxhim politik dhe klientelist. Kthimi i territ lidhet edhe me politikën e qeverisë dhe të kryeministrit Rama për t’u hakmarrë ndaj arritjeve të qeverisë demokrate, për tu hakmarrë ndaj qytetarve dhe për të rritur terrorin psikologjik tek qytetarët. Aktualisht, sektori energjitik është në kolaps dhe kjo për faj të keqqeverisjes, keqmenaxhimit të korporatës dhe sistemit të shpërndarjes e transmetimit të energjisë elektrike, dhe kësaj iu shtua edhe zgjidhja klienteliste që u bë me ish kompaninë CEZ shpërndarje.

“Qeveria përvecse nuk i kërkoi CEZ të kthente borxhet mbi 600 milion dollarë e 3.2 miliardë dëme, dha edhe një dhuratë prej 100 milion euro. Borxhet e kësaj kompanie janë rritur në përmasa të llahtarshme dhe qeveria përdor taksat e qytetarëve për të mbuluar këto humbje”, tha Shehu.

Qeveria do të rrisë çmimin e energjisë elektrike. Flitet se do të jetë 12 lekë kv/h i cili është 70% më i lartë se sa cmimi ekzistues për shtresat e ulta dhe të mesme që konsumojnë deri më 300 kv/h.

“Në Buxhetin e vitit që vjen nuk ka asnjë mbështetje për sektorin e energjisë. Sektori është në kolaps. Rreziqet në vitin e ardhshëm priten të jenë më të mëdha”, tha Shehu.

Deputeti Gjergji Papa dhe se buxheti nxjerr në pah gjithë mashtrimet e qeverisë për bujqësinë.

“Bujqësia është sektori që akuzon më shumë se çdo gjë mashtrimin elektoral të Partisë Socialiste. Buxheti i vitit 2015 për sektorin Bujqësor dhe Zhvillimin Rural në tërësi ka vetëm propagandën ndaj fshatit dhe fermerëve dhe pothuajse asnjë aksion konkret për të ndihmuar realisht prodhimin bujqësor vendas. Eshtë viti i dytë që nuk po mbahet asnjë nga premtimet e bëra me aq bujë në programin elektoral të koalicionit të majtë për mbështetjen e sektorit bujqësor dhe industrinë agroushqimore”, tha Papa.

Papa kujtoi se ata premtuan me bujë se zhvillimi i bujqësisë dhe zonave rurale në Shqipëri do të jetë një prioritet dhe se fondet për sektorin bujqësor dhe agroindustrinë do të 5 fishohen por buxheti për bujqësinë për vitin 2015, krahasuar me vitin 2014, është vetëm disa përqind më i lartë dhe s’bëhet fjalë për shumëfisha si kundër është premtuar në programin elektoral. Qeveria reklamoi me bujë rritjen e fondeve për skemat mbështetëse duke nxitur fermerët që të aplikojnë, por papritmas në fund të muajit shtator të vitit 2014 reduktoi buxhetin për subvencionin me 4 milion dollarë më pak, ose 25% më pak, duke lënë jashtë mbështetjes mijëra fermerë të cilët me para të marra borxh kishin investuar me shpresë se do përfitonin mbështetje.

Papa shtoi se strukturat dhe aktivitetet e parashikuara për mbështetjen përjashtojnë tërësisht fermerin për shkak se është hequr dorë nga shtimi i sipërfaqeve të mbjelljeve në fushë dhe ambjente të mbrojtura. Tendenca aktuale e Ministrisë së Bujqësisë për të ndryshuar kahun e financimit nga pagesa direkte për hektarë të sipërfaqes së mbjellë me ullinj, pemë frutore ose agrume, drejt financimit të ngritjes së kapaciteteve grumbulluese, ruajtëse dhe përpunuese, pa një studim paraprak fizibiliteti i cili do të përcaktonte sasinë e lëndëve të para, kapacitetet ekzistuese të instaluara si dhe potencialet prodhuese të zonës është tërësisht e gabuar madje rrezikon frenimin e prodhimit bujqësor si dhe shpenzimin e fondeve në mënyrë jo efikase.

“Në këto kushte pritet që numri i përfituesve këtë vit të mos shkojë më shumë se 1500-2000 përfitues gjithsej në gjithë vendin, shumë kjo e barabartë me përfituesit vetëm të qarkut të Korcës për një vit, flasim për periudhën 2009-2011”, tha Papa.

Parashikohet mbështetje me grante falas nga buxheti i shtetit për individe apo subjekte në shuma që shkojnë deri në 150 mije $ në një kohë kur mijëra fermerë të tjerë nuk përfitojne asnje lekë. Individët dhe subjektet të cilët përfitojnë shuma të tilla përzgjidhen pa respektuar asnjë kriter konkurrues por sipas “porosive nga lart”. Në kushtet kur buxheti i shtetit për bujqësinë është mjaft i limituar, këto shuma mund të jepeshin në formën e kredive me norma të ulëta interesi ose me interes zero, por jo të faleshin për “klientë të zgjedhur”.

Deputeti i Qarkut të Fierit, Kozma Dashi u ndal në skemën e rritjes së çmimit të energjisë elektrike. Ai u shpreh se ata që konsumojnë më pak, që janë mbi 76% e shqiptarëve, kanë për të paguar më shtrenjë, madje deri në 70% më shumë. Sipas tij, familjet që konsumojnë deri në 300 kilovat, që përbëjnë 76% të konsumatorëve, do e pagujanë në bllok 12.3 lekë kv çka nënkupton një rritje dramatike për këto familje. “Çmimi tani do jetë 12.3 lekë kilovatori, një rritje katastrofike prej 70%. Shqiptarët e ndiejnë tashmë në mënyrë të prekshme që në janar të 2015-ës fatura e energjisë nuk do të jetë më e vagullt, por pak të quhet “e kripur”. Dhe kjo do të futet në të gjithë zërat e prodhimit”, tha Dashi. Më tej ai theksoi se qeveria nuk po stimulon investimet në energji, ndonëse deri tani koncensionarët japin deri në 13% të prodhimit dhe kanë investuar më shumë se 300 milionë euro në këtë fushë.

Z. Helidon Bushati, lidhur me përmbytjet e fundit në zonën e Veriut të Shqipërisë, kryesisht Lezhës, kujtoi premtimet e Ramës se brenda dy viteve të para të qeverisjes së tij, në mënyrë absolutet, do të parandalonte përmbytjet. Ndodh që në vitin 2014 ishin parashikuar investime në Qarkun e Shkodrës, në zonën veriore, 20 milion dollarë vetëm në diga dhe argjinatura, për efekt parandalues të përmbytjeve dhe nuk është realizuar as 10% e këtij premtimi. Në projekt Buxhetin e vitit 2015, u shpreh z.Bushati, po luhet shumë me shifra pa i detajuar ato në projekte duke krijuar një terr informativ edhe për monitorimin e këtyre projekteve,

Lidhur me Paketën Bujqësore, Z. Bushati tha se, përveç rritjues së taksës së Qarkullimit, që impakton direkt jetën e fermerit, e atyre që merren me bujqësi, kemi një spostim të subvencionit nga fermeri tek biznesi, nga i varfri tek i pasuri, nga nevojatari tek i kamuri. Duke iu referuar qarkut të Shkodrës, Bushati tha se sot të gjitha investimet shkojnë në 10 apo 15 biznesmenë, njerëz të kamur të lidhur ngushtësisht edhe në formë ortakësie me deputetë të PS dhe LSI. Për ta ilustruar këtë z.Bushati tha se në vitin 2012 ka patur 648 fermerë që kanë përfituar nga skema e subvencioneve me rreth 17 milion dollarë, 1. 7 miliard lekë, ndërsa në vitin 2014, vetëm për Shkodrën, ka 174 përfitues me një total prej 93 milion lekë.

KOMENTE