English

Spitalet pa mjekë. Shëndetsia 2015 me koronarografi falas

Investimet në sistemin e shëndetësisë për vitin 2015 të paraqitura në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, përveç pjesës së shifrave dhe raporteve, nuk kaloi pa debat nga ana e deputetëve. Kërkesa e llogarisë për cilësinë e shërbimit spitalor, si edhe mungesën e mjekëve qenë pikat kryesore ku deputetët i kërkuan llogari ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqja. Shëndetësia, si sektor parësor, gjithashtu edhe përballja me problemet e trashëguara dhe mungesën e mjekëve specialistë, pasqyrohen në debatin e plotë të siguruar nga gazeta “Shekulli”.

Andrea Marto: Kam bindjen se e gjithë infrastruktura, në të gjithë vendin, duke e ditur me burimet që kemi për vitet në vijim, duke përmirësuar gjendjen, a mendoni se duhet të ketë ndërhyrje që të jenë emergjente? Dua përgjigje konkrete, duke marrë shembull spitalin e Sarandës, urgjencën e Sarandës dhe maternitetin e Sarandës. Kur do të vijë radha që me burimet që kemi këto të normalizohen?

Ilir Beqja: Unë besoj se normalizimi në shëndetësi është një sfidë e përjetshme. Ne mund të bëjmë një plan disa vjeçar. Të bëjmë fotografimin sot por kur të kthehemi në zbatimin e këtij plani, do ta kthejmë në një situatë tre dimensionale, pasi shkenca zhvillohet dhe përparon. Në qoftë se në QSUT janë bërë 20 koronarografi deri para 2 vitesh, sot për herë të parë kemi bërë 3000. Ky buxhet, që nuk e përfshin ndërtimin e maternitetit të Sarandës, përfshin gjithë qendrat shëndetësore në të gjithë Shqipërinë, edhe të Sarandës, Delvinës, Bregut, Gjirokastrës, Korçës edhe Hasit dhe Kukësit, sepse në çdo qendër shëndetësore do të ketë pajisje të reja, aty do të bëhen analizat aty edhe do të kthehen përgjigjet. Edhe Saranda do të përfitojë nga programi, ku për dy vjet çdo kirurg shqiptar do të operojë me instrumente kirurgjikale të reja dhe 100 për qind të garantuara në sterilitetin e tyre.

Paulin Stërkaj: Ministër unë kam marrëdhënie të mira me publikun e shëndetshëm, por kujdesem shumë për të sëmurët dhe i kam informacionet reale se si funksionojnë spitalet. Fatkeqësi e madhe është kur një doktor specialist e drejton tek një spital mik privat. Kur do të ketë një strukturë që do të menaxhojë situatën e mjekëve specialistë që delegojnë pacientët për t’i zhvatur tek spitalet private? Dhe ... a do ketë një strukturë që do të monitorojë tarifat e spitaleve private? Ka ardhur koha për ti parë këto. Pse ndodh që dikush është i siguruar për gjithë jetën, shkon në spital për të marrë një shërbim më të mirë, por prapë paguan kuotën maksimale? Kur do të ndërhyjë siguracioni i jetës së tij që ta zhdëmtojë sadopak tek spitali privat. Sa ka mundësi të mbështesë siguracioni që e ka paguar gjithë jetën?

Ilir Beqja: Duhet të ripërsëris atë që kam thënë. Po marr shembullin e koronarografisë, por janë 6 paketa të kardiologjisë që janë kostuar. Janë 5 spitale private që janë në këtë kontratë. Do e prezantojmë të hënën dhe nga lista e pritjes nuk do të jetë më mjeku që do të telefonohet. Në listën e pritjes, nëse nuk i përballon QSUT-ja do të kalojnë në spitalet private. Do të financohet koronarja në masën 100 për qind edhe kur kryhet në spitalet private. Kemi thënë politikisht, do të shkojmë drejt shuarjes së konceptit të sigurimit. Kush jeton në Shqipëri do të marrë të njëjtin trajtim dhe kemi rënë dakord që ta financojmë nga taksimi i përgjithshëm. Në korrik bëmë përjashtimin nga TVSH-ja të disa aparateve, dhe duam të shohim se a ka pasur efekt financiar apo jo. Lidhur me zbatimin e paketave, protokollet do ti kontrollojë Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, që pritet të fillojë në 1 janar.

Paulin Stërkaj: Nuk e kisha për koronaret e planifikuara, por për koronaret e shkaktuara për shkak të urgjencës. A parashikohet ndonjë pagesë nga shteti për ata që janë të siguruar?

Ilir Beqja: Për ata që janë të siguruar, në çdo ditë të shtunë dhe të diel dhe çdo ditë feste, marrim përsipër të paguajmë urgjencën e koronarëve nga e gjithë Shqipëria. Me ligjet e mëparshme nuk ka pasur asnjë dallim i siguruar, i pa siguruar. Shërbimi i urgjencës ka qenë falas për qytetarët shqiptarë.

Erjon Braçe: Zoti ministër, unë kam përshtypjen që z.Stërkaj ka shumë të drejtë. Të gjithë jemi prezentë që një pjesë të këtyre gjërave që ju thoni, qytetarët nuk i dinë. Të gjithë janë para faktit të kryer, që duhet të paguajnë. Si duhet zgjidhur kjo? Patjetër që inspektorati duhet të bëjë punën e tij, por po pyes, seriozisht, kur do të marrë fund që ai mjeku të rekomandojë për tek spitali privat i tij, i shokut të tij? Kur tek e veta ka fitimet ndërsa tek e shokut dhe mikut, ka përqindjet?

Ilir Beqja: Kemi lidhur kontrata me 5 spitale në të gjithë Shqipërinë dhe pasi të përcaktojmë se kush do të quhet urgjencë koronare, që do të thotë, nga çdo spital rajonal apo urgjenca e Tiranës, do të ketë të pasqyruar se “u vu re ky element nga kjo ekografi dhe këtë nivel reagimi”. Marrëveshjet me spitalet do të jetë i publikuar, urgjencat të publikuara. Dhe spitali rajonal do të çojë pacientin tek spitali më i afërt që është i lirë.

Paulin Stërkaj: Unë vlerësoj mjekët e spitalit të QSUT-së, se janë specialistët më të mirë që kemi. Madje janë shumë më të mirë se ata që janë në spitale private. Madje kur punojnë ata nëpër këto spitale jam shumë i kënaqur sepse shërbimin ja marr. A ka përfituar kush në rast urgjence, ndonjë pagesë?

Ilir Beqja: Jo, sepse s’ka filluar. Jua thashë që në fillim.

Koço Kokëdhima: Z. Ministër pyetja që dua t’ju drejtoj është, ashtu sikundër tha edhe Andrea, që spitali i Sarandës është në gjendje të turpshme dhe materniteti është në një situatë të neveritshme. Çdo pacient që mund t’i bjerë nevoja dhe të shkojë aty... Dua të di kush është vizioni juaj që keni për këto spitale, për këtë qytet të rëndësishëm dhe shumë të rëndësishëm për turizmin në Shqipëri? Dhe në përputhje me këtë vizion, a parashikoni ju që në përfundim të këtij mandati do të ndodhë ndonjë gjë pikërisht për këtë çështje. Ju si ministër, dëshiroj të di, e njihni vetë personalisht situatën në këto institucione për të cilat flasim. Dhe jeni ju i angazhuar për ta ndryshuar situatën në këtë qytet dhe në periferinë e tij? Pyetja tjetër është kjo. Periferia ose pjesët e largëta të Shqipërisë, jo vetëm në Jug por edhe në zona të tjera në situatë të vështirë për burimet njerëzore, për mjekë dhe specialistë. Parashikoni ju masa dhe zgjidhje për 2015 për këtë problem që të mos ndodhin siç ka ndodhur deri më sot. Mungon mjeku, specialisti e kështu me radhë.

Ilir Beqja: Në fakt formimi i arsimit udhëhiqet nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Sportit, por sigurisht që të plotësojmë nevojat mjekësore unë jam i interesuar plotësisht që të kemi në këto territore njerëz të specializuar. Për këtë qëllim ne rihapëm specializimet dhe do ta kthejmë në një situatë të përvitshme, sigurisht që të mos krijojmë boshllëqe. A e njoh unë situatën? Unë e njoh personalisht gjendjen në Sarandë.

Koço Kokëdhima: Përgjigjja juaj është që ato që kemi nëpër periferia do t’i mësoni të bëhen doktorë? Kjo është ideja?

Ilir Beqja: Përgjigja është ajo që them unë z. Koço. Është kjo që ju thashë.

Koço Kokëdhima: Ju thoni që ta merrni dikë dhe ta vini atje si doktor?

Ilir Beqja: Unë thashë atë që thashë.

Koço Kokëdhima: Ju lutëm m’u përgjigjni seriozisht.

Ilir Beqja: Që nga dita e parë që kam nxjerrë fytyrën në publik, unë përgjigjen vetëm seriozisht. Për këtë ju garantoj, pavarësisht se çfarë mendoni ju. E njoh, personalisht gjendjen e maternitetit në Sarandë dhe në Delvinë. Sigurisht që kemi plane dhe preventiva të saktë por brenda mundësive të financimit të buxhetit të shtetit, po bëjmë ato që kam prezantuar që nga fillimi i takimit. Ndërsa nuk besoj se do marrim përsipër që në funksion të turizmit të kryejmë në Sarandë, urgjenca në maternitet. Unë do t’i ftoja të gjithë pushuesit dhe nënat që janë brenda 6 javëve të fundit të para lindjes, të mos shkojnë me pushime në zona të largëta po t’i bëjnë pushimet më afër maternitetit. Në lidhje me shërbimi e urgjencës, sigurisht që zonat turistike do t’i fuqizojmë shumë që në periudhën 15 maj -15 shtator, me një prezencë më të madhe mjekësh, infermierësh autoambulancash e kështu me radhë. Lidhur me problemet që kanë plotësimi i trupës mjekësore, unë jua thashë. Na mungojnë, jashtë Tirane 298 mjekë specialistë sot. Me specializimet që hapëm, kemi 185 kuota të mbyllura, që do të thotë, njerëz që pasi mbarojnë specializimin do të shkojnë të punojnë aty ku ka pasur nevojë. Më shumë specialistë si kardiologë dhe pediatër. Për herë të parë në Shqipëri do të kemi urgjentistë dhe reanimatorë që do t’ju kërkojmë që vitet e para të punojnë aty ku ka nevojë.

Koço Kokëdhima: (I drejtohet kryetarit të Komisionit të Ekonomisë Erion Braçes) Jam shumë i pakënaqur nga përgjigjet që dha. Shpresoj që të punojë më mirë se sa përgjigjet.

Investimet e përfunduara

• Ndërtimin e spitalit të ri psikiatrik në Vlorë, me vlerë 1,4 milionë USD;

• Bunkeri i neurokirurgjisë dhe rikonstruksionin e spitalit të neurologjisë në vlerën 1 milionë USD;

• Zgjerimin e spitalit Shefqet Ndroqi në Vlerën 1,1 milionë USD;

• Rikonstruksionin e maternitetit Koço Gliozheni në vlerën 350 mijë USD.

Projekte

Programi i shëndetësisë elektronike e-Health i financuar me një kredi të qeverisë austriake me vlerë 14 milionë euro. Në Durrës po bëhet projekt pilot për recetën elektronike. Gjithashtu ka program të automatizuar për procedurat administrative të Agjencisë së Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore për të siguruar transparencë.

KOMENTE