Në qoftë se jeni si shumica e nënave të reja, pakoja e vogël e gëzimit ka mbërritur tek ju së bashku me peshën që foshnja juaj ka lënë tek ju. Dhe në gjendjen tuaj të privimit nga gjumi dhe të ngarkuar nga ana hormonale, ju mund të shqetësoheni se kurrë nuk do të keni kohë dhe energji për të humbur peshën e tepërt pas lindjes. Këtë merak mund ta eliminoni menjëherë, ju mund të jeni në gjendje të humbisni një pjesë të madhe të peshës pa shpenzuar orë të tëra duke u djersitur në palestër dhe duke numëruar kaloritë. Si një nënë e re e ngarkuar shumë me punë, ngarkesa nga detyrat që keni çdo ditë, djeg një sasi të konsiderueshme kalorish që ju ndihmojnë të humbisni në peshë, madje pa e kuptuar as vetë. Nuk bindeni? Kontrolloni sa kalori do të digjni gjatë këtyre aktiviteteve rutinë. Kaloritë që digjen varen nga pesha juaj. Sa më e madhe të jetë ajo, aq më shumë kalori digjni. Në qoftë se peshoni më pak, do të digjni më pak.
Aktivitetet e fokusuara tek foshnja juaj
Ushqyerja me gji
Në qoftë se e ushqeni ekskluzivisht me gji fëmijën tuaj, mund të llogarisni që keni djegur një mesatare prej 500 kalorish, e gjitha duke qëndruar ulur. Mos harroni të qëndroni e hidratuar dhe të ushqeheni me përzierje frutash, perimesh, bulmetrash dhe proteinash pa yndyrë për të siguruar që t’i ruani nivelet e lëndëve ushqyese të larta, gjë që është e rëndësishme për shëndetin tuaj dhe të foshnjës.
Ecja duke e mbajtur në krah foshnjën
Marrja me vete e foshnjës për një shëtitje është një nga gjërat më të shëndetshme që mund të bëni për mendjen dhe trupin tuaj, kjo ju nxjerr nga shtëpia në ajër të pastër, stimulon shqisat tuaja dhe është një ushtrim fizik i mrekullueshëm. Në qoftë se shëtisni duke e mbajtur foshnjën tuaj do të digjni midis 340 dhe 420 kalorive në orë varësisht nga pesha juaj dhe përmasat e fëmijës. Programoni disa shëtitje me të porsalindurin disa herë në javë dhe shumë shpejt, e vetmja peshë e tepërt që ju do të mbani është ajo e fëmijës.
Detyra e nënës
Banjat për foshnjën, ndërrimi i pelenave dhe loja bashkë me të, bëjnë më shumë se sa e forcojnë lidhjen tuaj. Këto detyra rutinë përfshijnë një shumicë përkuljesh, marrjesh të sendeve të ndryshme dhe lëvizjesh nëpër shtëpi, gjë që do të thotë djegie e rreth 170 deri 200 kalorive në orë. Shënoni orët kur jeni të ngarkuara me detyrat e nënës dhe do të shihni një humbje të madhe të peshës (ky është një këndvështrim tjetër për ndërrimin e pelenave).
Aktivitetet shtëpiake
Pastrimi i shtëpisë
Mbajtja pastër e shtëpisë djeg deri në 180 kalori në orë. Çdo herë që ndjeheni gati për t’u dorëzuar, kujtohuni që pastrimi ju çon më pranë peshës që kishit para se të lindnit fëmijën.
Gatimi
Çfarëdo që të jeni duke gatuar, mësoni që digjni mesatarisht 130 kalori në orë. Për sa kohë ju nuk merrni ushqim sa herë që hyni në kuzhinë, koha e harxhuar duke pastruar e hekurosur do të ndihmojë për objektivin tuaj të humbjes së peshës.
Psonisja në dyqanin e ushqimeve
Një udhëtim deri tek dyqani i ushqimeve mund të mos jetë ndonjë seancë kushedi çfarë e ushtrimeve, por djeg rreth 150 kalori në orë. Shtoni dhe 15 minuta ngjitje dhe zbritje të shkallëve duke mbajtur ushqimet dhe do të digjni edhe 125 kalori të tjera.
Aktivitete që lehtësojnë stresin
Marrëdhëniet seksuale
Po, gjumi është i pakët kur ju keni një fëmijë, pra impenjimi në shtrat mund të jetë një nga gjërat e fundit që dëshironi të bëni. Por, pasi mjeku t’ua ketë lejuar mos e nënvlerësoni një seks të mirë. Ai mund të jetë një qetësues i mrekullueshëm i stresit, një mënyrë zbavitëse për t’u lidhur me partnerin ndërsa përshtateni për të qenë prindër dhe djeg 88 deri 100 kalori në orë, në varësi të intensitetit tuaj. Sa më shumë t’i kushtoni, aq më shumë përfitim do të keni (dhe aq më pranë peshës së para lindjes do të afroheni).
Thurja me shtiza
Në qoftë se e gjeni relaksuese thurjen me shtiza do të gëzoheni të mësoni që edhe ajo djeg rreth 100 kalori në orë. Ja pra ku është edhe një mënyrë pa stres për të shkrirë pak kalori nga rehatia e kolltukut tuaj.
Vallëzimi
Qoftë me të voglin në duar apo duke u rrotulluar rreth dhomës tuaj të ndenjies e vetme, vallëzimi mund të djegë një mesatare prej 350 kalorish në orë. Pra jepini, vallëzoni në rrugën tuaj drejt peshës së para lindjes së fëmijës shkruan "doktoriim"