English

Rama: Republika e Shqipërisë do të jetë gjithmonë në krah dhe në mbështetje të Kosovës

Deklarata e dhënë sot pas formimit të koalicionit qeverisës PDK-LDK në Kosovë:

Mirëdita!

Jam këtu për të përshëndetur zhvillimin e ri dhe të shumëpritur në Kosovë.

Më në fund ka dritë në fund të tunelit të një krize politike, relativisht shumë të gjatë, por aspak të panatyrshme për një demokraci të re në ndërtim.

Ne e mirëpresim këtë zhvillim pa asnjë anësi politike, por si shprehje funksionimi të dëshiruar demokratik.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë vendosur të merren vesh, jo për çfarë kanë dëshiruar para zgjedhjeve, por për çfarë imponon vullneti i popullit të Kosovës. Kjo është për t’u përshëndetur si kthim i partive politike në realitetin demokratik të vendit dhe vendosjen e tyre në dispozicion të një zgjidhjeje kushtetuese, e cila u rikthen frymëmarrjen e legjitimitetit popullor institucioneve të Kosovës, si dhe u jep një shenjë kuptimplotë të vullnetit të mirë qytetarëve të Kosovës, bashkësisë ndërkombëtare, jetës ekonomike dhe sociale të shtetit tjetër të shqiptarëve.

Sigurisht, dhe e përsëris, ky nuk ka qenë as vendimi më i dëshiruar dhe as vendimi më i lehtë për të dyja partitë e mëdha të Kosovës dhe për lidershipin e tyre. Sesa i vështirë ka qenë ky vendim e tregon koha e gjatë që ka kaluar, që nga përfundimi i zgjedhjeve. Dhe, koha do të flasë për rezultatet që një zgjidhje të tillë, sa e dhimbshme, po aq edhe e guximshme politikisht, do të sjellë për Kosovën, për ekonominë, për shoqërinë, por padyshim, edhe për dialogun me Serbinë. Këto t’ia lëmë kohës, por sot, kjo është një zgjidhje e përgëzueshme, që meriton mbështetje dhe inkurajim më të plotë.

Duke mbështetur dhe inkurajuar njëkohësisht të gjithë faktorët opozitarë të Kosovës për të vigjiluar me rigorozitet mbi koalicionin e madh.

Së paku, në numra, koalicioni i madh respekton më së miri vullnetin e shumicës dërrmuese të qytetarëve të Kosovës. Le të urojmë që Qeveria e dalë nga kjo zgjidhje e re do ta respektojë këtë vullnet edhe në frymë edhe në veprimin qeverisës, për të bërë reformat e mëdha, që një koalicion i madh ka jo vetëm mundësinë, por edhe detyrimin madhor të kryejë.

E dinë njerëzit në Kosovë, e dimë ne në Shqipëri, e dinë shqiptarët në rajon, por e dinë edhe të gjithë miqtë e partnerët ndërkombëtarë që sfidat e vendimmarrjes me të cilat do të përballen menjëherë institucionet e Kosovës, në mënyrë të veçantë Parlamenti dhe qeveria, janë të vështira dhe strategjike.

Koha e re e rajonit kërkon nga Kosova marrjen e një roli edhe më aktiv për forcimin e paqes, dialogut dhe bashkëpunimit rajonal.

Ndërtimin e një shembulli edhe më të besueshëm qeverisjeje transparence, demokratike dhe gjithëpërfshirëse.

Zhvillimin edhe më të fuqishëm të marrëdhënies strategjike me Shqipërinë, si dhe garantimin në vazhdimësi i mbështetjes së palëkundur të betejës së botës demokratike kundër ekstremizmit islamik dhe influencave të tjera të dëmshme për rajonin tonë.

Pikërisht, prandaj, Kosovës do t’i nevojitet në muajt dhe vitet në vijim, nga njëra anë një shumicë e re, e fortë dhe e aftë për të përballuar sfidat dhe marrë vendimet e duhura, sado të vështira qofshin, por nga ana tjetër një opozitë që i imponohet me forcën e argumenteve dhe me sensin e dialogut dhe mirëkuptimit kombëtar, përballë sfidave kaq themelore të shtetit të ri të Kosovës.

Si Kryeministër i Shqipërisë dëshiroj t’i siguroj të gjithë qytetarët dhe të gjitha palët politike në Kosovë se Republika e Shqipërisë do të jetë gjithmonë në krah dhe në mbështetje të Kosovës. Ndërkohë që Qeveria e Shqipërisë mezi pret të fillojë punën e përbashkët me Qeverinë e re të Kosovës për të forcuar partneritetin tonë strategjik dhe për të vazhduar me një shpejtësi të re udhëtimin e nisur në mbledhjen e përbashkët të qeverive në Prizren, si dhe për të çuar përpara, bashkërisht, procesin historik të çelur në Konferencën e Berlinit, duke u bërë një model i përbashkët shqiptar, rajonal i zhvillimit, mirëkuptimit dhe integrimit ballkanik në Europë.

Faleminderit!

KOMENTE