English

Basha paralajmëron qeverinë Rama-Meta: Mos luani me durimin e një populli

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha paralajmëron qeverinë Rama-Meta: Mos luani me durimin e një populli. Mos luani me bukën e fëmijëve, të ardhmen e tyre. Nëse nuk mbani premtimet dhe nuk përmbushni detyrimet, do largoheni



Më shumë shqiptarë të bashkuar si asnjëherë më parë që nga rënia e regjimit diktatorial protestuan sot kundër rritjes së taksave, kundër rritjes së cmimit të energjisë, kundër padrejtësive, paligjshmërisë dhe arbitraritetit ndaj qytetarëve.

Mbi 200 mijë shqiptarë u mblodhën nga mbarë Shqipëria për të protestuar kundër krizës ekomomike dhe mjerimit ku janë zhytur nga qeveria Rama Meta ndërsa i kujtuan Edi Ramës premtimet për 300 mijë vende të reja pune, ulje të cmimit të energjisë, naftës, taksave, shëndetësi dhe legalizime falas.

Qytetaret treguan edhe nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” se jeta e tyre është sot me keq se një vit më parë, ndërsa është vënë në diskutim dhe buka e gojës.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i cili ka prekur nga afër në qytete dhe fshatra realitetin që po kalon sot cdo shqiptar theksoi se: "Kjo nuk quhet qeveri, por fatkeqësi”. Basha u shpreh se kurrë nuk e ka parë kaq të braktisur e të shpërfillur vendin nga qeveria e saj.

“Kam ardhur në këtë protestë pas një turi takimesh të hapura me qytetarët nga Jugu në Veri. Kam udhëtuar mes një dëshpërimi popullor të paprecedent. Kam udhëtuar mes një Shqipërie në lot: gra, të cilave qeveria u ka shembur pa ligj shtëpinë, pasurinë e një jete, mundin dhe gjakun e familjes. Fëmijë që u kanë dhunuar baballarët sepse nuk kishin me çfarë të paguanin faturën afrofe të energjisë elektrike. Të rinj, burra, gra, kryefamiliarë të goditur nga padrejtësitë e mëdha dhe rrugët e mbyllura”, pohoi Basha.

Duke u ndalur tek buxheti dhe paketa fiskale që miratoi qeveria, duke e konsideruar një gabim të përsëritur rritjen e taksave, cka do të sjellë rënie të ekonomisë dhe shtim të varfërisë, Basha i drejtoi qeverisë thirrjen:

“Mos e bëj akoma më të vështirë jetën e qytetarëve! Mos e rrit çmimin e energjisë elektrike! Mos i rrit taksat e karburanteve dhe mallrave të konsumit të gjerë! Mos i rrit tatimet mbi të ardhurat dhe kursimet e qytetarëve! Mos i rrit po uli shpenzimet qeveritare! Mos i ul investimet publike! Mos i jep oligarkisë paratë e taksapaguesve të ndershëm të këtij vendi! Boll se nuk mban më. Hiqni dorë”.

Basha i kujtoi Edi Ramës se sipas kontratës së qershorit 2013 me qytetarët keni obligimin: të hapni 300 mijë vende pune; të legalizoni falas shtëpitë dhe pronat; të ulni taksat për 95% të shqiptarëve; të ulni cmimin e energjisë; të siguroni shëndetësi falas për të gjithë.

“Kur merr të gjithë pushtetin do mbash edhe të gjitha përgjegjësitë. Kontrata me Shqipërinë është e shenjtë. Nuk mund të luani. Ka një rregull në botën demokratike. Kur nuk përmbush kontratën, nuk dhunohet qytetari, por jepet dorëheqja. Nëse nuk do përmbushni detyrimet, do largoheni. Koha po kalon, njerëzve po ju mbaron durimi. Ju nuk po përmbushni detyrimet tuaja. Tërhiquni dhe sprapsuni nga rruga e zullumit, përndryshe ju paralajmëroj jo vetëm në emër të 200 mijë shqiptarëve sot, por në emër të të gjithë të zhgënjyerve, të braktisurve, se ne nuk do të pranojmë qeverinë e mashtrimit. Ne do t’u largojmë”, u shpreh kryetari i opozitës, Lulzim Basha.

KOMENTE