Kryetari i Partisë Demokratike falenderon qytetarët që morën pjesë në marshimin më të madh të protestës në historinë tonë moderne, dënon faktin që kryeministri nuk dëgjon zërin e shqiptarëve por i fyen me arrogancë, dhe përsërit edhe një herë kërkesat ekonomike për të nxjerrë vendin nga mjerimi.
Dy ditë më parë, qytetarët shqiptarë nga të katër anët e vendit zhvilluan protestën më të madhe në historinë tonë moderne për kërkesat ekonomike dhe të drejtat shoqërore. Të rinj e të reja, burra e gra, të djathtë e të majtë e pa parti, u mblodhën dhe u bashkuan në protestën e halleve të përbashkëta. Qindra mijë qytetarë të tjerë i mbështetën shpirtërisht kërkesat tona.
Në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” doli Shqipëria e mashtruar, Shqipëria e zhgënjyer, Shqipëria e harruar, Shqipëria e lënduar nga dyshja Rama-Meta. Protestuan njerëzit e rrezikuar nga rënia e ekonomisë, nga buxheti i rrënimit, nga taksat dhe tarifat e ekzagjeruara, nga varfëria, papunësia dhe mungesa e shpresës. Në protestën e të shtunës ishte Shqipëria kundër taksave e tarifave të reja, kundër të thellimit të varfërisë, rritjes së çmimeve e karburanteve, Shqipëria kundër projektbuxhetit të ri të rrënimit të ekonomisë dhe pasurimit të oligarkisë qeveritare. Por, me ne në shesh ishte edhe Shqipëria e së ardhmes, Shqipëria e shpresës, e dinamizmit ekonomik dhe pasurive mendore e shpirtërore të shqiptarëve që kërkojnë liri dhe mundësi zhvillimi.
Protesta ishte edhe një manifestim i madh i vlerave dhe kulturës demokratike, moderne dhe europiane të qytetërimit perëndimor, i vlerave tona të vërteta.
Kam kënaqësinë dhe nderin e veçantë të falenderoj sot nga zemra, një për një të gjithë shqiptarët që erdhën, u mblodhën dhe protestuan të shtunën në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Dua të falenderoj sindikatat e pavarura, organizatat studentore dhe të shoqërisë civile, që dhanë kontributin e tyre të çmuar për evidentimin e problemeve reale të shqiptarëve.
Një falenderim i veçante iu shkon të gjitha mediave që pasqyruan me profesionalizëm këtë ngjarje të madhe të opozitarizmit dhe qytetarisë shqiptare. Ne besojmë se media e lirë do të vazhdojë të ruajë pavarësinë, profesionalizmin dhe do të jetë zëdhënësja e axhendës së qytetarit, e axhendës së Shqipërisë reale.
Protesta konfirmoi hendekun e thellë midis një Shqipërie që digjet nga hallet e shumta dhe një qeverie që krihet.
Për fat të keq, Edi Rama, kryeministri i vendit, nuk doli dot nga bunkeri i Enverit as pas mbarimit të protestës. Nuk dëgjoi çfarë i thamë. Nuk i pa si qytetarë të mbarë Shqipërisë ata qindramijë protestues në bulevard.
Revoltën e një populli e pa si një sulm i armiqve të brendshëm. Nuk flet për reflektim, për zgjidhje, por i hedh benzinë zjarrit me gjuhën e tij të fyerjeve dhe arrogancës dhe vazhdim në rrugën e të keqes.
Në emër të Shqipërisë së revoltuar nga keqqeverisja dënoj me forcë qëndrimet provokuese të kryeministrit dhe i kërkoj:
-Të kuptojë situatën eksplozive të vendit dhe të reagojë në mënyrë të përgjegjshme.
-Të tregojë ndjeshmëri për Shqipërinë që vuan nga papunësia e varfëria për shkak të politikave të gabuara, arrogante dhe të papërgjegjshme të qeverisë së tij.
-Të dëgjojë zërin e qytetarëve që folën në protestën e të shtunës, por dhe të qindramijë të tjerëve që flasin me protestën e tyre të përditshme.
Në emër të shumicës së shqiptarëve që lufton për mbijetesë i kërkoj kryeministrit:
·Të ndalë çdo tentativë për rritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe të anullojë menjëherë kërkesën që qeveria e tij ka çuar në këtë drejtim.
·Të heqë menjëherë TVSH e energjisë elektrike për të papunët, pensionistët, fermerët dhe kryefamiljarët që jetojnë në nivelin e varfërisë;
·Të rishqyrtojë paketën fiskale dhe buxhetin e vitit 2015 në konsultim me aktorët e rëndësishëm shoqërore, me sipërmarrjen, konsumatorët dhe shtresat në nevojë.
·Të heqë dorë nga rritja e çdo taksë, akcize apo tarife për vitin e ardhshëm.
·Të ulë në 10 për qind nivelin e taksimit maksimal.
·Të ndalë goditjen e paligjshme dhe selektive të pronave të shqiptarëve. Të mbajë premtimin për legalizim falas;
?·Të anullojë rritjen e tarifave të universiteteve dhe të mundësojë rikthimin në auditore pa kosto të të gjithë studentëve që u goditën nga pseudoreforma e arsimit të lartë;
·Të ulë shpenzimet e shfrenuara qeveritare dhe t’i kalojë këto fonde tërësisht në mbështetje sociale dhe investime publike;
·Të kthejë në detyrë Policinë e Shtetit. Vrasjet, vjedhjet, krimi dhe aksidentet po shtohen çdo ditë.
Askush, asnjë shqiptar, përveç ministrave, rrjetit të tyre e tarafeve të tyre me persona të inkriminuar, me dëftesa e diploma falso e të zhytur në korrupsion, nuk është i kënaqur me këtë qeverisje.
Respektimi i Kontratës me shqiptarët nuk është çështje dëshire por detyrim. Z.kryeministër, mbaj premtimet për të cilat je votuar. Mos e trash më zullumin, je kthyer në barrën më të padurueshme për qytetarët e këtij vendi. Reflekto ose largohu.
Nëse kryeministri është i vendosur në rrugën e tij pa krye të shpërfilljes, arrogancës, papërgjegjshmërisë dështimeve dhe zullumit, protestat popullore nuk do të ndalen, protestat popullore do të vazhdojnë akoma më të fuqishme deri në realizimin e objektivave të shpallura.