English

Gratë shtatzëna, a mund të konsumojnë kafeinë dhe sa? Pasojat

Kafeja është drogë e fuqishme dhe ushqim njëkohësisht, nëse është organike. Është pikërisht elementi i të qenit drogë, ai që përbën problem për gratë shtatzëna. Siç shkruan Neila, kafeina kalon lirisht tek placenta dhe, meqenëse deri më sot nuk është zbuluar të ketë ndonjë dobi, pra nuk ka nuk ka asnjë dobi, por vetëm rreziqe potenciale, Dr. Joseph Mercola këshillon që gratë shtatzëna apo ato që planifikojnë të mbeten shtatzënë, të shmangin të gjitha format e kafeinës.
Sipas një studimi në Norvegji me rreth 60 mijë gra, përdorimi i kafesë ose pijeve me kafeinë rrit gjasat e lindjes së foshnjës në peshë të ulët dhe/ose kohëzgjatje të periudhës së shtatzënisë. Kolegji Amerikan i Obstetërve dhe Gjinekologëve rekomandon se gratë shtatzëna këshillohen ta kufizojnë konsumin e kafes gjatë shtatzënisë deri në dy kafe në ditë, deri në 200 mg (miligramë) në ditë. Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon deri në 300 mg në ditë. Por Dr. Verena Sengpiel, obstetre/gjinekologe në Akademinë Sahlgrenska të Universitetit Sahlgrenska në Goteborg, Suedi, beson se edhe dy kafe në ditë janë të tepërta, ndonëse studimi i saj nuk provoi lidhjen shkak-pasojë midis kafeinës dhe nënpeshës në lindje. Por një konsum më i lartë i kafeinës vërtet u konstatua se rrit gjasat për nënpeshë të foshnjës në lindje. Nëse pesha mesatare e foshnjës në lindje pritej të ishte 3.6 kilogramë, për çdo 100 mg kafeinë të konsumuar nga nëna në ditë, rënia në peshë e foshnjës ishte 21-28 gramë në lindje. Jo vetëm kaq. Çdo 100 mg kafeinë rriste periudhën e shtatzënisë me deri në pesë orë. Më interesant ishte fakti se kur kafeina vinte nga kafeja, kjo e zgjaste shtatzëninë deri në TETË orë. Arsyeja për këtë ende nuk është zbuluar. Sipas Mayo Clinic, një kafe përmban 95 mg deri në 200 mg kafeinë. Një gotë çaj përmban shumë më pak kafeinë, ndërsa një katror çokollatë përmban rreth 35 mg. Sipas Dr. Jennifer Wu, obstetre/gjinekologe në Spitalin Lenox Hill në New York City, edhe studime të tjera kanë vërtetuar faktin e mësipërm, ndonëse nuk është e qartë përse kafeina duhet të ketë këtë pasojë.

Nga studimet me kafshë në vitin 2009, u vërejt se kafeina e dy kafeve në ditë gjatë shtatzënisë mund të shkaktojë dëmtim afatgjatë të zemrës së bebes. U vërejt gjithashtu se ky konsum kaq i vogël mund të shpjerë në rritjen e niveleve të dhjamit tek meshkujt, krahasuar me bebet që nuk iu ekspozuan kafeinës në mitër. Ky rrezik është konstatuar nga Scott Rivkees, Kryetar i Yale’s Associate i Pediatric Research, i cili kërkon të bëhen studime të mëtejshme për të vlerësuar sa e sigurt është kafeina gjatë shtatzënisë.

Në studimin me minj, kafeina gjatë shtatzënisë prodhoi embrione me “një shtresë më të hollë të indit që ndan disa nga dhomat e zemrës, se në grupin që nuk iu dha kafeinë.” Në kuptimin afatgjatë, kjo rezultoi në rritje 20 për qind të dhjamit tek meshkujt dhe 35 për qind rënie të funksionit kardiak. Sipas Gerald Weissman, M.D. dhe Kryeredaktor i Revistës FASEB: “Kafeina është kudo: në ato që pimë, në ato që hamë, në ilaçet që përdorim për të qetësuar ndonjë dhimbje, madje dhe në ëmbëlsirat…[prandaj] kafeina ndoshta nuk duhet të jetë e pranishme të paktën në një vend: në dietën e nënës shtatzënë.”
Këshilla më e mirë që gratë shtatzëna duhet t’i thonë vetes është kjo: pse të rrezikojmë me kafenë?
Por disa studime kanë vërejtur se konsumi me masë i KAKAOS organike ose i çokollatës së zezë. ndihmon në parandalimin e pre-eklampsias, që shkakton tension / presion të lartë të gjakut, lindje të parakohshme, deri në humbje të bebes.

Çokollata përmban theobromine, që, sipas Annals of Epidemiology dhe Yale University ndihmon në rregullimin e tensionit të gjakut dhe parandalimin e pre-eklampsias. Po kështu, disa studiues në Finlandë mendojnë se konsumi i çokollatës gjatë shtatzënisë ndikon në sjelljen e bebes, duke bërë që bebet të jenë më të gjalla dhe më të lumtura, dhe të kenë përshtatje më të mirë në situate të reja. Arsyeja është se çokollata përmban, midis të tjerash, phenylethylamine, që besohet se kalon nga mitra tek bebja. Mendohet se çokollata, sa më e zezë dhe me sa më pak sheqer, i ndihmon gratë shtatzëna në ruajtjen e peshës, kontrollin e kolesterolit dhe lehtësimin e stresit. Por, ju lutem, çdo gjë me masë. Edhe një herë: një katror çokollatë përmban rreth 35 mg kafeinë.

KOMENTE