English

Shahistja e vogël Klean Shuqja, krenari e kombit

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla ka zhvilluar sot, një vizitë të papritur në shkollën “Protagonistët”, për të përshëndetur shahisten 8 vjeçare Klean Shuqja, e cila ka përfaqësuar Shqipërinë në dy kampionate ndërkombëtare të shahut.

Ministrja Nikolla e uroi nga afër nxënësen e vogël për rezultatet e arritura në kampionatet ndërkombëtare ku ka marrë pjesë dhe i shprehu asaj mbështetjen e vazhdueshme në të ardhmen.

“Klean ashtu siç ka bërë krenare shkollën më ka bërë edhe mua krenare. Sa herë që lëviz gurët e shahut dhe fiton na ka të gjithëve mbështetje dhe fansa të fortë të suksesit të saj”, u shpreh Nikolla.

Ministrja Nikolla shtoi se shahistja e vogël Klean ka prekur majat e botës në sportin e saj, ndërkohë që në të ardhmen ajo do të bëhet një kampione e madhe bote që do të na bëjë krenarë të gjithëve.

Gjatë muajve shtator-tetor, shahistja 8 vjeçare Klean Shuqja ka përfaqësuar Shqipërinë në dy kampionate ndërkombëtare, atë të botërorit mbajtur në Durban, Afrikë e Jugut gjatë datave 19-30 shtator dhe në Kampionatin Europian të zhvilluar në Batumi, Gjeorgji, 18-29 tetor.

Talentja 8-vjeçare spikati për rezultatet e saj të larta dhe mbresëlënëse në të dy kampionatet. Në Kapionatin Botëror ajo u rendit e 17-ta me pikë të barabarta me vendin e 10 në botë. Në 11 ndeshje në Kampionatin Botëror Klean Shuqja ka grumbulluar 6.5 pike (5 fitore , 3 barazime).

Ndërsa pas dy javësh shahistja Shuqja vazhdoi të shkëlqente në Kampionatin Europian zhvilluar në Batumi të Gjergjisë. Pas katër fitoreve Kleana vazhdoi me dy barazime, të dyja me lojtaret përfaqësuese të Rusisë, madje njëra prej tyre Kampione e Rusisë.

KOMENTE