Presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë, Joachim Gauck ka uruar nëpërmjet një mesazhi Presidentin e Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani me rastin e Festës Kombëtare:
“Zoti President,
Me rastin e Festës Suaj Kombëtare, Ju përgëzoj Juve si dhe qytetareve dhe qytetarëve të vendit Tuaj përzemërsisht, edhe në emër të bashkatdhetarëve të mi.
Në qershor të këtij viti, vendi Juaj mori statusin e kandidatit për anëtarësim në BE. Kjo ka qenë një hap i rëndësishëm në rrugën e vendit Tuaj për në Bashkimin Evropian. Gjermania do të jetë një partner i besueshëm i Shqipërisë në këtë rrugë edhe në të ardhmen dhe do t’i përkrahë reformat e mëtejshme të vendit Tuaj me të gjitha mjetet që ka në dorë.
Ju uroj Juve dhe njerëzve në Shqipëri – edhe në emër të bashkatdhetarëve të mi – gjithë të mirat dhe një të ardhme paqësore në mirëqenie dhe liri.” – përfundon mesazhi i Presidentit Gauck drejtuar Kreut të Shtetit shqiptar.
Gjithashtu urim për festën Presidenti Nishani ka marrë dhe nga Presidenti i SHBA-ve Barak Obama.
“I dashur Zoti President,
Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dëshiroj t’i përcjell urimet e mia më të mira qeverisë dhe popullit shqiptar me rastin e 28 Nëntorit, Ditës suaj të Pavarësisë.
Duke festuar pavarësinë tuaj, ne përshëndesim përparimin e mrekullueshëm që keni shënuar në ndërtimin e demokracisë në vend si dhe kontributin ndaj sigurisë, qëndrueshmërisë dhe begatisë ndërkombëtare në rajon dhe anembanë botës. Ju përgëzojmë për marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian. Suksesi i vendit tuaj në përparimin përgjatë rrugëtimit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian e thellon qëndrueshmërinë në Ballkanin Perëndimor dhe shërben si shembull për aspiratat euro-atlantike të fqinjëve tuaj.
Shqipëria është një partnere e palëkundur dhe kontribuuese për sigurinë globale. Ne i jemi mirënjohës kontributeve të rëndësishme të Shqipërisë dhënë në misionin e NATO-s në Afganistan, në përpjekjet ndërkombëtare në Ukrainë, qëllimeve humanitare dhe stabilizuese në Irak si dhe në luftën kundër kërcënimit të terrorizmit ndërkombëtar dhe luftëtarëve të huaj.
Shtetet e Bashkuara janë krenare që e kanë Shqipërinë si aleate, mike dhe partnere të ngushtë. Urime për Ditën tuaj të Pavarësisë!” – përfundon mesazhi i Presidentit amerikan drejtuar Kreut të Shtetit shqiptar