English

Xhindi: Do ta ndalim rikthimin e regjimit komunist sot e përgjithmonë

Xhindi: duke kujtuar të shkuarën e regjimit komunist, ne do ta ndalim rikthimin e tij sot e përgjithmonë

Tirana ka përkujtuar dje bijtë dhe bijat e saj që u vranë, burgosën dhe u internuan nga regjimi komunist në Shqipëri.

39 intelektualë akademikë, klerikë dhe oficerë të lartë u pushkatuan në harkun kohor 28 tetor-16 nëntor 1944 janë përkujtuar në një aktivitet të veçantë të organizuar ne Akademinë e Shkencave.

Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, znj. Nevila Xhindi, theksoi se duke kujtuar te shkuarën e regjimit komunist, ne do ta ndalim rikthimin e tij sot e përgjithmonë.

“E ndjeva përgjegjësi të jem prezent në këtë aktivitet, me respekt të kujtesës së Tiranës së përgjakur, nga gjaku i 105-së bijve të saj. Në respekt të atyre që menduan të lirë, e deshën Shqipërinë të lirë dhe menduan të jetonin në demokraci. I vrau terrori dhe terroristët komunistë, iu vrau idealet, iu vrau lirinë.

Me mijëra të tjerë i burgosi në 40 burgje dhe internoi në 50 kampet e pafund.

Të shkuarën nuk e ndreqim dot, por nuk e harrojmë dot dhe sot e kujtojmë me shumë respekt dhe për ta ndalur përgjithmonë rikthimin e saj. Sot ku jemi këtu, si një sfidë, një sfidë për lirinë, jemi një dëshmi e idealit të tyre. Jemi triumfi i së mirës ndaj së keqes, jemi shkëputja totale nga e keqja. Sot ne jemi garancia e një Shqipërie evropiane, larg terroristëve komunistë. I kristaltë qoftë kujtimi i tyre dhe dielli ndriftë aty ku ata i kanë shpirtrat sot”,- deklaroi zonja Xhindi.

Regjimi komunist ne Shqipëri është konsideruar më i egri dhe më i përgjakshmi ne Evropë. Nga të dhënat zyrtare, gjithsej të pushkatuar e të vdekur në burgjet e komunizmit numërohen 6535 viktima. Prej tyre numërohen klerikë katolikë 120 persona, myslimanë 60 persona, bektashinj 83 persona, ortodoksë 39 persona. U shkatërruan dhe u mbyllën 2169 institucione fetare, prej të cilave 740 xhami, 608 kisha e manastire ortodokse, 157 kisha e manastire katolike, 530 teqe e tyrbe.

Statistika të viktimave të sistemit komunist:

Të pushkatuar 5548, nga këta 91 gra
Të burgosur 14563, nga këta 445 gra
Të vdekur në burg 987, nga këta 7 gra
Të futur në psikiatri 308, nga këta 35 gra
Të internuar 21401, nga këta 322 gra

KOMENTE