English

Shqipëria merr Presidencën e Shoqatës së Drejtuesve të Policisë së Europës Juglindore

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Shqiptare, Z. Artan DIDI, ditën e djeshme, mori pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Shoqatës së Shefave të Policisë të Europës Juglindore (Southeast Europe Police Chiefs Association – SEPCA), të zhvilluar në Beograd, pasi Serbia është edhe vendi, që mbante presidencën e radhës të kësaj Shoqate. Në këtë takim, krahas drejtuesve më të lartë të policive të vëndeve anëtare të kësaj inisiative, morën pjesë edhe përfaqësues të nivelit të lartë të vëndeve dhe organizatave me të cilat kjo shoqatë ka një bashkëpunim të ngushtë, siç ishte përfaqësuesi i Austrisë, Gjenerali Franz Lang, i cili është Nëndrejtor i Përgjithshëm i Policisë për Sigurinë Publike, përfaqësues të nivelit të lartë të Italisë, Zvicrës, Europolit, Interpolit, ICITAP-it etj. Po ashtu i pranishëm në këtë takim ishte dhe Ministri i Brëndshëm i Republikës së Serbisë, i cili mbajti dhe fjalën e hapjes së këtij takimi.

Ky takim ishte i një rëndësie të veçantë, pasi përkonte edhe me marrjen e presidencës së radhës të kësaj Shoqate nga ana e vëndit tonë, për 12 muajt e ardhshëm. President i Shoqatës u zgjodh Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Shqiptare Z. Artan DIDI. Ky moment u shoqërua edhe me një ceremoni solemne gjatë së cilës u bë kalimi i flamurit zyrtar të SEPCA’s nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Serbe për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Shqiptare.

Gjatë ceremonisë solemne të rastit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Z. Artan DIDI, në fjalën e tij, vuri në dukje përpjekjet intensive që po bëjnë qeveritë dhe organizatat policore të rajonit, për forcimin dhe konsolidimin e sistemit demokratik në vendet respektive, duke u përballur me sfidat e rritjes, sfida këto që lidhen ngushtë me luftën ndaj sëmundjeve të ngjashme, që kanë kapur shoqëritë tona si korrupsioni, krimi i organizuar, trafiku i qenieve njerëzore, fenomenet e migracionit të paligjshëm etj.

Po ashtu, Z. Didi, gjatë fjalës së tij, evidentoi zhvillimet e jashtme dhe të vazhdueshme në hartën e BE-së, raportet e reja, që janë krijuar nga shtetet e rajonit tonë me BE-së, si dhe zhvillimet në arenën ndërkombëtare, të cilave u është shtuar edhe konflikti Sirian dhe dalja në skenë e ISIS në këtë rajon, që është shumë pranë nesh.

“Këto zhvillime kanë qenë të paparashikuara nga vendet tona dhe rrjedhimisht, nuk ishin parashikuar as masat e nevojshme, duke na vënë në vështirësi për të përballuar kostot e këtyre krizave dhe sidomos me probleme të mprehta për sa i përket flukseve migratore nga vendet e përfshira në këtë konflikt drejt vendeve të BE, duke kaluar nëpërmjet rajonit tonë, si dhe importimit të tendencave terroriste, duke rritur rrezikun e këtij fenomeni në rajon".

Pra, ne nuk jemi më ata të një viti më parë, pasi situata nuk është më ajo e një viti më parë. Dhe për rrjedhojë, edhe Shoqata jonë nuk mund të jetë ajo e një viti më parë. Ne duhet ti përgjigjemi zhvillimeve brënda vendeve tona dhe atyre rajonale, ndaj organizata jonë duhet të na ndihmojë për t’ju përgjigjur sfidave rajonale me një strategji rajonale dhe ne tashmë e kemi identifikuar këtë nevojë.

SEPCA tashmë ka mbushur 12 vjet nga krijimi i saj, periudhë kjo e mëse e mjaftueshme për të vlerësuar domosdoshmërinë e kësaj shoqate, për të krijuar dhe siguruar një bashkëpunim permanent ndërmjet policive të vëndeve të rajonit tonë, të Europës Juglindore, si dhe për të gjykuar mbi perspektivën e saj të zhvillimit për të qenë e aftë të identifikojë dhe tu paraprijë problemeve që ndeshin organizatat policore që ne përfaqësojmë në përballjen e përditshme me sfidat e brëndshme dhe ato rajonale në fushën e sigurisë, të cilat janë një shqetësim i përbashkët i popujve tanë dhe që lidhen me kushtet gjeografike dhe socio-ekonomike të këtij rajoni.

"Ekzistenca e problemeve të përbashkëta të vëndeve të këtij rajoni, ndonëse pjesë natyrore e Europës por, njëkohësisht edhe i veçantë, e bën të domosdoshme zhvillimin e strategjive të përbashkëta rajonale, për zgjidhjen e problemeve, dhe gjithashtu zhvillimin e standardeve të njëllojta të policimit për ti përafruar me standardet e BE-së.” - u shpreh Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit gjatë fjalës së tij.

Po ashtu Z. Didi theksoi se kjo gjë do të shpejtonte afrimin e vëndeve tona në BE, si dhe do të ulte kostot e këtij afrimi, si dhe theksoi faktin se luftën kundër fluksit të lartë të migracionit të paligjshëm që vjen nga rajone në konflikt, nuk mund ta trajtojmë më si një problem të brendshëm, po kështu edhe luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.

Ne jemi të ndërgjegjshëm, për vështirësitë që e ardhmja do të na rezervojë, vuri në dukje Z. Didi, por ky është një proces që e kërkon nevoja e zhvillimit të vëndeve tona, dhe dialektika na mëson se zhvillimi nuk mund të ndalet, ai vetëm mund te vonohet. Ecuria e këtij procesi në të ardhmen është dhe mbetet në dorën tonë.

Në mbyllje të fjalës së tij, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Shqiptare, theksoi rëndësinë që organizatat policore mund të kenë si pararojë e këtyre zhvillimeve lokale dhe rajonale, duke mbështetur me kapacitetet dhe ecurinë e tyre, konsolidimin e reformave në fushën e sigurisë si një faktor i rëndësishëm në ecurinë e reformave demokratike, reforma që do hapnin dyert e Europës për popujt tanë.

Në përfundim të ceremonisë së marrjes së presidencës së radhës, pjesëmarrësit në këtë takim si dhe të gjithë partnerët ndërkombëtar nga Interpol BK Austria, Europol, DECAF, SELEC etj., i uruan Zotit Didi një drejtim të suksesshëm për periudhën 1 vjeçare, si dhe gadishmërinë e tyre për të mbështetur çdo ide, inisiativë apo projekt që do të ndërmerret nga Policia e Shtetit në të ardhmen.

Në mënyrë të veçantë, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Shqiptare, e përgëzoi në emër të Policisë Zvicerane edhe përfaqësuesi i Policisë Federale Zvicerane në këtë takim, i cili i garantoi atij mbështetjen e Policisë Zvicerane gjatë Presidencës së radhës së SEPCA’s, si dhe në çdo hap që Policia e Shtetit do të ndërmarrë për sa i përket nismave dhe bashkëpunimit policor në rajon e më gjerë.

KOMENTE