English

Edi Rama në takimin me veteranë

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me veteranë, me rastin e 70 vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë:

Gëzuar 70 vjetorin e Çlirimit të atdheut!

Mire se keni ardhur!

Nuk kam shumë fjalë për t’i shtuar fjalëve që renditi Kryetari i Kuvendit. Dua vetëm të shpreh në emër të Qeverisë, mirënjohjen më të thellë për të gjithë ju dhe të gjithë ata që sot nuk janë këtu të pranishëm dhe po ashtu, të përulem me shumë respekt, bashkë me të gjithë ju, në nderim të kujtimit të lavdishëm të gjithë heronjve dhe dëshmitarëve të luftës antifashiste.

Nga ana tjetër dua të theksoj se jemi shumë krenarë që sot jemi këtu, në respekt dhe në përpjekje të vazhdueshme për të mishëruar përmes qeverisjes sonë dhe përmes betejave tona, ato ideale, ato ëndrra dhe ato shpresa që çuan shumë vajza e djem në rrugën e një luftë çlirimtare, e cila u kurorëzua në 29 nëntor të vitit 1944.

Dhe sigurisht është për të ardhur keq, që datën e çlirimit nuk e diskutojnë ata që bënë luftën dhe që çliruan vendin, por e diskutojnë ata që tradhtuan apo ata që nuk ishin fare atje.

Nga ana tjetër është e padyshimtë që përpjekja për të sulmuar vazhdimisht dhe për të vënë në diskutim datën, e përcaktuar nga ata që ishin në fushën e betejës, është një përpjekje për ta fshehur 29 nëntorin pas 28 nëntorit dhe për të mos i dhënë Luftës Antifashiste, atë vlerë të jashtëzakonshme që ka, sepse rreshtoi popullin shqiptar dhe Shqipërinë në krahun e fitimtarëve të një beteje për jetë a vdekje dhe bëri të mundur bashkë me të tjerët, që bota të shpëtonte nga një murtajë si ajo e nazizmit dhe fashizmit.

E pra, ne i shohim me keqardhje të gjithë ata që bëjnë përpjekjen e dëshpëruar për të cenuar 29 nëntorin dhe që e ngatërrojnë 29 nëntorin me gjithçka dita e madhe e çlirimit solli pas, si pasojë e vendosjes së një diktature. Janë dy gjëra që nuk mund të ngatërrohen me njëra-tjetrën, sepse ashtu si sot, edhe në 29 nëntor të vitit 1944 flamuri i Shqipërisë u ngrit dhe u valëvit i lirë, krahas me flamurin e Shteteve të Bashkuara, krahas me flamurin e Britanisë së Madhe, krahas me flamujt e gjithë botës së lirë. Se çfarë ndodhi midis dy 29 nëntorëve, atij të para 70 vjetëve dhe atij të sotmit, kjo është një histori krejt tjetër, që nuk i jep askujt të drejtën të godasë datën e madhe të çlirimit të atdheut tonë.

Faleminderit të gjithëve. Respekt dhe mirënjohje për të gjithë dhe ju siguroj se ne do të bëjmë gjithçka, për të qenë çdo ditë në lartësinë e ëndrrave dhe të shpresave të të gjithë atyre që luftuan, punuan, sakrifikuan, jetuan me dëshirën e madhe për ta parë Shqipërinë një vend të denjë për fëmijët tanë.

Faleminderit shumë!

KOMENTE