Rreth 3000 nxënës të shkollave të mesme dhe 9-vjeçare nga mbarë Shqipëria kanë garuar në gjimnastradën e Tiranës. Për të tretin vit radhazi, Bashkia e Tiranës ka mbështetur kupën “Pavarësia" në dancin sportiv, në kuadër dhe të nxitjes së të rinjve, për t’u angazhuar në sport.
Nënkryetarja e Bashkisë Nevila Xhindi mori pjesë në shpërndarjen e çmimeve dhe medaljeve për talentet e reja.
“Është një kënaqësi që jam këtu, për t'ju përshëndetur në këtë aktivitet të mrekullueshëm. Bashkia e Tiranës, është kujdesur që ky aktivitet të zhvillohet për të tretin vit me radhë në qytetin e Tiranës. Tre mijë nxënës nga e gjithë Shqipëria shkëlqyen me performancën e tyre që na bën të gjithëve krenarë për këta talente që po rriten në vendin tonë. Gjimnastrada është vetëm nisja e gjithë aktiviteteve që do të përfshijnë nxënës dhe fëmijë të Tiranës. Nis me këtë gjimnastradë në festën e flamurit dhe do të pasojë me surpriza të tjera për Vitin e Ri. Të sigurt që Bashkinë e Tiranës do ta keni gjithmonë pranë!” – u shpreh nënkryetarja e Bashkisë, znj. Xhindi.