Një ndër ndërtesat e trashëgimisë kulturore të Tiranës, vendosur në sheshin “Nënë Tereza”, një prej komplekseve më të bukur të kryeqytetit, i ndërtuar në vitet ’30-të, nga sot është godina e re e Ministrisë së Integrimit Europian.
Përurimi i zyrave të reja u bë në prani të Kryetarit të Kuvendit Ilir Meta, Kryeministrit Edi Rama, Zëvendëskryeministrit Niko Peleshi, Ministres së Integrimit Klajda Gjosha dhe Ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati.
Fjala e Kryeministrit Edi Rama në inaugurimin e zyrave të reja të Ministrisë së Integrimit:
Vij me shumë kënaqësi sot në këtë ditë të shënuar, edhe për faktin se në këtë ditë të shënuar ashtu si kundër kishim vendosur, çelim dyert e godinës së re të Ministrisë së Integrimit. Një godinë në fakt e vjetër pjesë e trashëgimisë kulturore të Kryeqytetit, pjesë e një prej komplekseve më të bukur të ndërtuar në vitet ’30 në këtë rajon ku jetojmë. Që, si shumëçka tjetër, ishte katandisur në një magazinë mbeturinash dhe me një fushë plehrash përpara.
Jam shumë i kënaqur që ia dolëm. Sepse, jo vetëm në këtë 29 nëntor përkujtojmë, nderojmë dhe përulemi me mirënjohje me sytë nga e shkuara, por besoj se falenderimi më i madh që i bëjmë të shkuarës së një Lufte historike për Shqipërinë dhe shqiptarët, është që në emër të së ardhmes të çelim dyert e këtij institucioni që është qendra e gravitetit të punëve tona për të ndërtuar të ardhmen europiane të vendit tonë.
Besoj që në kushte shumë më të mira, por edhe në një pozicion shumë më të denjë për këtë institucion dhe të gjithë ju, gra dhe burra, vajza dhe djem të këtij institucioni, të ndjeheni jo vetëm më mirë, por edhe më të motivuar, duke kuptuar se qoftë nga pozicioni dhe rëndësia që i jepet kësaj ministrie për një rol të dorës së parë dhe për një proces që bëhet gjithnjë e më i vështirë, dhe jo gjithmonë e më i lehtë.
Gëzuar festën kombëtare të Çlirimit, këtë 70 vjetor! Urime, suksese dhe sa më shumë energji pozitive, dhe sa më shumë sadisfaksione nga puna në këtë godinë të re.
Faleminderit të gjithëve!