Një ekspozitë e artit pamor që sjell luftën çlirimtare u çel dje, në hollin protokollar të Kryeministrisë.
E titulluar “Këndvështrime”, përmes imazheve dhe instilacioneve sillet lufta dhe kontributi i shqiptarëve, krah aleatëve në Luftën e Dytë Botërore. Imazhet e saj vijnë përmes pikturave, vizatimeve dhe grafikave të artistëve shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit të 20-të, që i përkasin fondit të Galerisë Kombëtare të Arteve.
Ekspozita sjell edhe një fond veprash të artistëve shqiptarë dhe të huaj të pas vitit 1990.
Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro në prezantimin e saj theksoi se historia në këtë ekspozitë përkthehet përmes gjuhës së artit.
“Këndvështrime” u çel në kremtim të 70 vjetorit të çlirimit me kontributin e GKA.
***
“Festivali i dritave”, një spektakël dritash e ngjyrash në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” startoi edhe “Natën e Bardhë” në Tiranë.
Në orën 18.00, ngjyrat dhe dritat ndriçuan qiellin e kryeqytetit.
Kujtesa historike dhe energjia e Shqipërisë së brezit tjetër!
Ndërkohë, godina e Kryeministrisë u hap për qytetarët dhe ashtu si ekspozita do të qëndrojë e hapur deri pas mesnate. Vizitorët kanë mundësinë të shohin Sallën e Hartave, Sallën e Mbledhjeve të Qeverisë dhe ambiente të tjera.