English

Procedurat e reja tatimore lehtësojnë biznesin

Ministri i Financave, z. Shkëlqim Cani prezantoi sot para deputetëve të Komisionit për Ekonominë dhe Financat projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr 9920/2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.

Ndryshimet krijojnë lehtësira në procedurat tatimore dhe synojnë të përmirësojnë klimën e biznesit, të qartësojnë dhe thjeshtojnë procedurat tatimore për tatimpaguesin. Në të njëjtën kohë ky projektligj synon ruajtjen e integritetit fiskal duke vendosur kushte të barabarta dhe konkurrencë të ndershme nëpërmjet luftës së informalitetit.

“Tre janë synimet bazë, pjesë e paketës së lehtësirave që i kërkohen procedurave tatimore. Detyrohet administrata tatimore të publikojë aktet që kanë të bëjnë me vendimet e gjykatave që biznesi të njihet me to. Vendoset afat i shkurtuar për garancitë financiare. Kemi shkurtuar kohën e përgjigjeve të apelimit në 16 ditë ka qenë 3 muaj më parë. TVSH do rimbursohet mbi bazë të analizës së riskut”, u shpreh ministri Cani.

Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr 9920/2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar” u miratua me unanimitet nga deputetët e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave.



Më konkretisht

Miratimi i këtij projektligji do të sjell disa ndryshime të rëndësishme përsa i përket procedurave tatimore. Propozimet e këtij projektligji fokusohen në këto drejtime kryesore:

1. Në lehtësimin, thjeshtimin dhe qartësimin e procedurave tatimore për tatimpaguesin, projektligji reflekton kërkesat e dhomave të tregtisë si më poshtë:

1.2. Vendosjen e detyrimit të administratës tatimore për të publikuar vendimet e gjykatave lidhur me çështjet tatimore;

1.3. Vendosjen e një afati minimal për garancinë bankare të vendosur nga subjekti tatimpagues me qëllim apelimin e vendimit të Drejtorisë së Apelimit, etj.

1.4. Ky projektligj shkurton afatin ligjor të vendimit të Drejtorisë së Apelimit tatimor, në 60 ditë nga 90 ditë që është afati i parashikuar në këtë ligj për dhënien e vendimit nga Drejtoria e Apelimit.

2. Gjithashtu përsa i përket mirëadministrimit, luftës ndaj informalitetit dhe vendosjes së kushteve të barabarta të konkurrencës, projektligji propozon një sërë masash të rëndësishme në drejtim të shkëmbimit të informacionit, menaxhimit të regjistrit të tatimpaguesve, trajtimit të shmangies apo evazionit tatimor të mosdeklaruesve, si dhe marrëdhënieve mes administratës tatimore dhe bankave apo administratës tatimore dhe personave të tretë debitor të tatimpaguesve.

3. Uljen e gjobave administrative në kuadër të parimit të eficiencës së aplikimit të gjobës.

KOMENTE