English

500 mijë pemë për të frenuar degradimin mjedisor

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministri i Mjedisit Lefter Koka iu bashkuan sot, në Krastë të rrethit të Krujës, aksionit kombëtar të mbjelljes së fidanëve pyjorë që do të shtrihet në gjithë vendin.

Kjo zonë ndodhet me pamje ballore me aeroportin “Nënë Tereza” dhe është e degraduar si pasojë e veprimtarisë së karerave gurore dhe shfrytëzimit pa kriter të saj. Pyllëzimi do të garantojë rehabilitimin dhe rikthimin e peizazhit natyror.

Degradimi i mjedisit ndër vite, theksoi Kryeministri, është një plagë e turpshme për shoqërinë. Plagë, së cilës duhet t’i jepet fund, duke nisur nga mali i Skënderbeut ku ndodhet edhe kjo zonë.

“Janë 500 mijë fidanë që mbillen në këtë sezon. Është projekti i parë, masiv, rehabilitues i gjelbërimit në Shqipëri. Por, rikthimin në normalitet të malit të Skënderbeut e kemi detyrim kombëtar dhe do ta bëjmë patjetër. Pas fazës së mbjelljes së fidanëve në rrafshina, duhet të bëjmë edhe hidrombjelljen, në mënyrë që të mbyllim këtë plagë që na e sheh gjithë bota sa zbret në aeroportin “Nënë Tereza”. Është një turp kombëtar i paimagjinueshëm.”

Ndërkohë në bisedë me specialistë Kryeministri tha se “Ka 20 vjet që hanë malin e Skënderbeut dhe as nuk kanë dashur të dinë as për detyrime, as për kushte, as për kritere kontrate vetëm barbarë që kanë shkatërruar totalisht këtë mal këtu. Kjo është një plagë e turpshme për të gjithë në. Është plagë e turpshme për shoqërinë dhe për kombin tonë. Duhet ta mbyllim një orë e më parë.”

Ministri Koka tha me projektin e nisur do të rehabilitohen 30.6 hektarë, veçanërisht në ato pika që kanë qenë karera gurore, por problem sërish mbeten subjektet që i rihapin ato.

“Janë rreth 76 mijë fidanë pishë mesdhetare që mbillen. Kjo është një nga zonat nga më të shfrytëzuarat përsa i përket gurit dhe gëlqeres, kryesisht. Problemin më të madh kemi me gropat e gëlqeres. Ne i mbyllim dhe i rihapin sërish.”

Kryeministri garantoi se krimi mjedisor nuk do të tolerohet dhe paralajmëroi masa të reja në Kodin Penal kundër këtij krimi.

“Do të vazhdojmë me mbylljen e të gjithë guroreve, absolutisht. Asnjë gurore nuk duhet më, të nxjerrë gurë nga ky mal. Do të marrim masa të reja në Kodin Penal për këtë. Është e pamundur ndryshe. Nuk marrin vesh ndryshe, njerëz që janë mësuar të spekulojnë, të abuzojnë dhe të korruptojnë për vite të tëra. Dëmi që bëjnë, në radhë të parë është dëmi më i tmerrshëm për gjithë këtë territor, që është djepi i historisë së vendit tonë, djepi i shqiptarisë në kuptimin më të shëndetshëm të fjalës. Sigurisht që, frenimi po realizohet, por duhet të mbyllim plagën, patjetër. Është tamam një plagë e hapur mu në zemër të Shqipërisë, kur e sheh nga lart. Është një plagë që na turpëron të gjithëve, pavarësisht se nuk është përgjegjësia jonë e drejtpërdrejtë, por nuk mund t’i mbyllim sytë përpara kësaj plage.”

***

Me një investim prej 56,5 milionë lekë, në Krujë ka nisur edhe rikonstruksioni dhe zgjerimi i shkollës 9-vjeçare numër 4. Në këtë shkollë aktualisht mësojnë 484 nxënës, por për shkak të gjendjes tejet të amortizuar dhe kapacitetit të saj të pamjaftueshme, mësimi zhvillohet me dy turne.

Për të inspektuar punimet ishte në këtë shkollë, Kryeministri Rama së bashku me Ministren e Arsimit Lindita Nikolla. Gjatë bisedës me trupën mësimore Kryeministri ka mësuar më shumë për nevojat e komunitetit të nxënësve dhe mësuesve. Mësueset treguan për një godinë disa kate, ngjitur me shkollën, e cila është ndërtuar dhe është tërësisht jo funksionale.

“Është nisur si konvikt për shkollën profesionale. Në fakt, shkollën e hapën në Thumanë, konviktin e bënë në Krujë. Paguhen edhe dy roje, por funksioni aktual është zero. Amortizohet në heshtje ajo godinë,” – tha një mësuese.

Trupa mësimore kërkoi që kjo godinë fare pranë shkollës t’i bashkohet ambienteve të mësimdhënies. Po ashtu, mungesë për mësueset e shkollës numër 4 të Krujës ishin dhe ambientet sportive.

“Na i kanë prishur terrenet sportive. Më dhemb shpirti se kam mësuese këtu, 33 vjet dhe nuk ka asnjë terren sportiv. Këtë terrenin këtu na e prishën dhe fëmijët nuk kanë ku të luajnë,” – ishte shqetësimi që ngriti një tjetër mësuese.

Kryeministri është angazhuar për ndryshimin rrënjësor të projektit dhe shndërrimin e shkollës në një kompleks arsimor, që do t’u shërbejë nxënësve, por edhe komunitetit.

***

Kryeministri Rama inspektoi edhe rrugën Krujë–Qafështamë, 18 kilometra, e përfshirë në rikonstruksion të plotë.

Me një fond prej rreth 499 milionë lekë po kryhet zgjerimi i rrugës, ndërtimi i mureve të gurit, ndërtimi i mureve mbajtës dhe sinjalistika horizontale dhe vertikale. Rehabilitimi i rrugës lehtëson lidhjen e 4 mijë banorëve të zonës me Krujën, por bën edhe më lehtësisht të arritshëm për turistët dhe vizitorët, parkun natyror të Qafështamës.

KOMENTE