English

Kush paguan të gjithë borxhin, ul 80% kamatvonesat

KUSH PAGUAN GJITHË BORXHIN UL 80% KAMATVONESAT

Ja mundësia e re dhe e papërsëritshme deri në 28 shkurt për këdo që do të paguajë të gjithë borxhin e energjisë elektrike. Më pas edhe mekanizmi i ri i pagesës së borxhit me këste mujore për kë nuk do ta paguajë menjëherë deri në 28 shkurt.
* * *
Duke falenderuar përulësisht të gjithë konsumatorët shqiptarë që paguajnë rregullisht energjinë elektrike dhe, duke përshëndetur të gjithë ata që, dita – ditës, po e braktisin kampin e abuzuesve e po lidhin kontratë me OSHEE-në, dua të komunikoj me ju për fillimin e fazës së dytë të operacionit.
Dhe dua ta nis me hyrjen sot në fuqi të një mekanizmi nxitës për kryerjen e pagesave që skadon në datën 28 shkurt.
Çdo konsumator familjar, e përsëris familjar, që ka borxhe të mbartura ndaj kompanisë dhe po ashtu kamat-vonesa që rriten muaj pas muaji, ka një mundësi të re dhe të papërsëritshme, deri në 28 shkurt:
Të paguajë borxhin të plotë dhe të përfitojë uljen e shumës së kamat-vonesave në masën 80%. Pra, kush paguan borxhin e plotë, fiton mbrapsht 80% të kamat – vonesës. Kjo mundësi skadon në 28 shkurt, dhe duhet të jetë e qartë për të gjithë se nuk bëhet fjalë për falje, po për një përfitim të dyanshëm përmes pagesës së plotë të borxhit. Kompania përfiton nga marrja mbrapsht menjëherë e borxhit me vetëm 20% kamat-vonesë, ndërsa konsumatori përfiton 80% të kamat-vonesës nga shlyerja e menjëhershme e borxhit.
Mundësia tjetër që u krijohet konsumatorëve që kanë borxhe ndaj kompanisë, është të lidhin menjëherë kontratën dhe përveç pagesës mujore të shlyejnë çdo muaj jo më pak se 2500 lekë të reja nga borxhi i tyre. Ky borxh shtrihet në kohë dhe ka brenda të plotë edhe kamat-vonesën e bartur, e cila nuk rritet për sa kohë konsumatori e paguan këstin mujor të borxhit. Eshtë e qartë që mospagesa e këstit qoftë edhe një herë, sjell ndërprerjen e menjëhershme të energjisë elektrike dhe rifillimin e llogaritjes së kamatë - vonesës.
Përjashtimisht, për familjet e kategorizuara në sistemin e ndihmës ekonomike apo personat me aftësi të kufizuar si edhe pensionistët kryefamiljarë (pra gjithë pjesa e mbrojtur deri sot nga fasha 300KW e që do të përfitojë para direkt nga buxheti i shtetit qysh në janar pas heqjes së fashës), vlera e këstit mujor për shlyerjen e borxhit, do të jetë jo më e vogël se 1,000 lekë në muaj. Por nuk do të ketë në asnjë rast lidhje të energjisë elektrike pa hyrë në sistemin e pagesave të rregullta korrente dhe pa e paguar këstin përkatës.
Lejomëni t’ju sqaroj se kjo skemë nxitëse e lehtësuese po ashtu, nuk ka lidhje as me politikën e vjetër të faljeve e të amnistive kriminale në kurriz të qytetarëve të ndershëm, as me pretendimet e paarsyeshme që janë shpalosur rëndom këto javë për të justifikuar të pajustifikueshmen: Vjedhjen e energjisë elektrike. Grabitjen e pasurisë sonë kombëtare. Gjendjen katastrofike që u krijua me vite nga papërgjegjshmëria e hajdutëria reciproke, e qeverisë së vendit dhe e vjedhësve të rëndomtë të energjisë elektrike.
Edhe diçka atyre që e groposën sistemin elektroenergjitik, në gropën e tmerrshme të 1.1 miliardë dollarë borxhe dhe sot shfaqen çdo ditë buzë një grope të hapur po nga vetë ata, për të nxitur pakënaqësi mes njerëzve. Madje derdhin edhe lotë krokodili, tamam vrit natën e qaj ditën – E vunë në gjumë me përralla këtë popull tetë vjet rresht e i hapën këtë gropë të madhe borxhesh ku për pak ra brenda Shqipëria e tērë, dhe tani që po del dita e po ngrihet perditë shteti i munguar kaq vite, i qajnë edhe hallin!
E drejta e tyre të bëjnë ç’të duan me lirinë që kanë. Detyra jonë është të bëjmë shtetin që duan shqiptarët.
Nuk do ndalemi, nuk do zmbrapsemi jo e jo, po do ta operojmë çdo ditë e më thellë organizmin e këtij vendi. Veshët tanë janë të shurdhër ndaj thirrjeve për falje krimesh, vjedhjesh, abuzimesh. Sytë tanë janë katër jo vetëm përtej nesh, po edhe brenda nesh. Dy drejtorë dhe një ish-drejtor i OSHEE-së, së bashku me rreth 50 punonjës janë sot prapa hekurave. Cilidoqoftë që do të kapet, do t’u shkojë pas.
Ne do të luftojmë çdo ditë e çdo natë, me mish e me shpirt, për ta nxjerrë Shqipërinë në dritën e të ardhmes dhe do ta nxjerrim së bashku me të gjithë ata që duan shtet e mirëqenie, jo pushtet e rrumpallë.

KOMENTE