Partia Demokratike denoncon skandalin që po ndodh me aksionin policesk ndaj qytetarëve që nuk shlyejnë dot faturat e larta dhe abuzive të energjisë. Salianji: “Akt në kundërshtim me ligjin e Konventat Ndërkombëtare Për të Drejtat e Njeriut dhe të Mbrojtjes së të Drejtave të Fëmijëve”.
Partia Demokratike ka denoncuar sot një rast skandaloz të arbitraritetit dhe aksionit policor të qeverisë ndaj qytetarëve të pamundur për të shlyer energjinë. Dy ditë më parë, policia ka mbajtur të shoqëruar në komisariatin numër 3 në Tiranë, një fëmijë 5 vjec. Fëmija është marrë bashkë me nënën e saj, e cila është arrestuar pasi nuk përballon dot faturat e larta të energjisë, teksa është pa punë dhe pa mbështetje ekonomike.
Drejtori i Departamentit për të Drejtat e Njeriut në Partinë Demokratike, Ervin Salianji ishte sot para ambjenteve të komisariatit numër 3 ku denoncoi rastin.
“Marrëzia, papërgjegjshmëria dhe pashpirtësia e kësaj qeverie nuk ka fund. Tek ky komisariat, Komisariati nr 3 në Tiranë, është shoqëruar dhe mbajtur e izoluar kjo fëmijë 5 vjeç, çka duket nga fotot që vajza është mbajtur për një kohë të gjatë në qelinë e izolimit, në kundërshtim me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, Deklaratën për Mbrotjen e të Drejtave të Fëmijëve dhe Deklaratën e Pekinit. Shoqërimi i fëmijës është bërë për shkak se nëna e saj nuk ka mundësi të paguajë energjinë elektrike”, u shpreh Salianji.
Përfaqësuesi i Partisë Demokratike nënvizoi dy standardet që manifeston qeveria.
“Qeveria po arreston dhe po shoqëron njerëzit e pamundur dhe të varfër, fukarenj, dhe po promovon kriminelët, personat me precedent penal, vjedhësit e energjisë, duke i bërë drejtorë. Qeveria po lejon në rrugë kriminelët dhe po izolon si persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore fëmijët. Identitetin e vajzës nuk e bëjmë të ditur për shkak se është minorene por në datën 30 nëntor, sipas dëshmisë së nënës së vajzës së ndaluar me inicialet N.N, janë izoluar në komisiariat”, tha Salianji.