English

Peleshi: kutia e shërbimeve publike, një instrument për ti kërkuar llogari qeverisë dhe zyrave të shtetit

Deklaratë e Zëvendëskryeministrit Niko Peleshi, pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Ministrave:

Duke filluar nga sot, qytetarët shqiptarë do të kenë në dispozicion kutinë e shërbimeve publike, një instrument më tepër për të kontrolluar dhe për ti kërkuar llogari qeverisë dhe çdo institucioni të zyrave të shtetit.

Më konkretisht, kutia e shërbimeve publike është një aplikim në faqet FB të ministrive, por edhe dhe të kryeministrit, ku qytetarët do të mund të regjistrojnë ankesat dhe denoncimet e tyre për çdo problem që hasin gjatë marrjes së një shërbimi në zyrat e shtetit.

Për ne, përmirësimi dhe modernizimi i shërbimeve publike është një prioritet. Ne jemi të vetëdijshëm se zvarritjet, paaftësia dhe korrupsioni që sigurisht nuk janë zhdukur do të mund të luftohen nëpërmjet modernizimit dhe inovacionit të shërbimeve publike.

Kutia e shërbimeve publike është një aplikacion që vetëm pararend reformën e shërbimeve publike që është duke u projektuar dhe do të fillojë të aplikohet dhe të implementohet në të gjithë zyrat e shtetit. Përtej modernizimit, ne kemi gjithashtu nevojë edhe për bashkëpunimin e qytetarëve. Ne kemi nevojë për qytetarë aktivë , kemi nevojë për qytetarë që nuk pajtohen me mentalitetin e vjetruar të zyrave të shtetit në shumë raste.

Ne jemi të vendosur të përmirësojmë cilësinë e shërbimeve publike, por këtë nuk mund ta bëjmë të vetëm. Ndaj ju ftojmë të bashkëpunoni me ne. Ju ftojmë të përdorni këtë instrument të ri, këtë aplikacion të ri, kutinë e shërbimeve publike si një mundësi për të ushtruar presionin e nevojshëm pozitiv, duke rritur transparencën, duke zbuluar për mirë apo për keq çdo rast të një reagimi jo të përshtatshëm, të një zyrtari, apo një zyre, apo një institucioni të shtetit, sepse në këtë mënyrë duke bashkëpunuar, nga njëra anë përmes modernizimit dhe nga ana tjetër përmes presionit që vjen nga ngritja e zëri qytetar, nga qytetarët tanë aktivë, ne do të mund të modernizojmë por dhe të rritim cilësisht shërbimet publike.

Reformat e qeverisë shqiptare natyrisht do të shkojnë paralel me rritjen e etikës së zyrtarëve tanë apo të punonjësve të çdo institucioni, do të shkojnë paralel me rritjen e transparencës, si dhe të cilësisë së ofrimit të një shërbimi.

Ju faleminderit!

KOMENTE