English

Rusia do të ndalojë importet e perimeve nga Shqipëria pas datës 8 dhjetor

Rusia do të ndalojë importet e perimeve nga Shqipëria pas datës 8 dhjetor. Lajmin e ka bërë të ditur agjencia e lajmeve Itar Tass, e cila citon shefin e Zyrës ruse të Mbikëqyrjes Fitosanitare.

Sipas Sergei Dankvert, ky vendim është marrë pasi Shqipëria është përdorur si mbulesë për hyrjen e eksporteve nga vendet e BE-së, të cilat Rusia i ka ndaluar me embargo. Pala ruse pretendon se vendimi për ndalimin e importeve të perimeve nga Shqipëria është marrë pas një pune të përbashkët me autoritetet shqiptare.

Sipas tyre, përmes nje hetimi u zbulua një rast, ku një kompani, me zyrë ne Çeki falsifikonte certifikatat fitosanitare dhe ato të origjinës së produkteve, të cilat vinin nga vendet e tjera por eksportoheshin në Rusi si produkte shqiptare për t'i shpëtuar embargos.

Agjencia ruse e Mbikëqyrjes Fitosanitare pretendon se pala shqiptare nuk i ka dhënë informacionin e nevojshme me qëllim që të krahasoheshin importet e rritura shqiptare me prodhimin e perimeve në vend.

Por duket se së shpejti autoritetet ruse transmeton Top Channel, do të marrin vendim edhe për Maqedonine, Bosnjen dhe Zvicrën. Autoritetet ruse kishin paralajmëruar që më parë se do të shqyrtonin mundësinë e shtrirjes së embargos edhe në vendet e Ballkanit, veçanërisht për mishin dhe disa produkte të tjera bujqësore, nën pretendimin se përmes tyre ne Rusi po eksportohej nga vendet e BE-së që ishin nën embargo.

Rusia pretendon se këto vende tani janë shndërruar në trampolina për të eksportuar edhe produktet e vendeve të BE-së që janë nën embargo.

KOMENTE