English

Tashmë zhdoganimi online. Për herë të parë në Shqipëri. Evitohet korrupsioni, rritet transparenca

Për herë të parë në historinë e saj, Dogana Shqiptare nisi aplikimin e procedurës së thjeshtuar të deklarimit, në kuadër të krijimit të lehtësirave për biznesin. Procedura e re i siguron biznesit lehtësi operacionale, shpejtësi dhe përfitim monetar.

Në ambientet e një kompanie në Tiranë u bë sot aplikimi i parë i kësaj procedure, ku ishte i pranishëm Kryeministri Edi Rama, Ministri i Financave Shkëlqim Cani, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Arben Ahmetaj dhe Drejtorja e Përgjithshme e Doganave Elisa Spiropali.

Në këtë demonstrim është parë nga afër sesi kryhet e gjithë procedura e zhdoganimit të mallit, i cili pas futjes në pikën kufitare tashmë nuk shkon më në ambientet e doganës, por drejt e në magazinat e kompanisë. Nga ky moment, personi i autorizuar i kompanisë përpilon deklaratën doganore, të cilën më parë e bënte një agjenci doganore dhe e dërgon atë elektronikisht në doganë, duke deklaruar mallin e mbërritur, me të gjitha elementët e tij. Më parë, kjo procedurë e kryer me aplikimin e ri vetëm në pak minuta, kërkonte pothuajse 1 ditë në doganë.

Administratorja e kompanisë shpjegoi përfitimet që ajo si biznes ka nga kjo procedure e thjeshtuar:

“Kjo krijon favore të mëdha, sidomos për produktet ushqimore, sepse ndalonin në kufi, vinin në doganën e Tiranës dhe e gjithë kjo procedurë sot eliminohet. Ka një rëndësi shumë të madhe edhe për eksportet, sidomos në Kosovë. Në çfarëdo ore që i kemi gati kontejnerët për në Kosovë, ne nisemi direkt, nuk ndalojmë në kufi, por shkojmë drejt në Kosovë. Edhe ky është një favor tjetër. Përveç se kemi facilitet, shpejtësi në kryerjen e operacioneve, ne kemi edhe përfitim monetar, sepse në kohën që maunet rrinin nëpër porte, nëpër dogana, të gjithë shoferët paguheshin me pagesa të ndryshme dhe kjo na ngarkonte me kosto të jashtëzakonshme. Por ndërkohë, edhe disa kosto operacionale i eliminojmë plotësisht. Me llogaritë që kemi bërë ne si kompani, arrijmë të kursejmë 4 - 5 mijë euro në muaj, një kursim shumë i rëndësishëm për kompaninë që shkon gati në 50- 60 mijë euro në vit.”

Elisa Spiropali, Drejtorja e Përgjithshme e Doganave u shpreh se synimi i administratës doganore është t’i krijojë lehtësira biznesit, të rrisë transparencën dhe të luftojë korrupsionin. Ajo sqaroi edhe si do të përfitohet statusi i operatorit ekonomik të autorizuar.

“Mbi të gjitha rrit transparencën, ul burokracinë, sepse eliminon kontaktin fizik mes biznesit dhe punonjësve të doganës, duke e bërë procesin elektronik, duke e bërë transparent dhe duke shkurtuar edhe kostot për të gjithë. Sa më shumë biznese respektojnë ligjin, janë të ndershme, nuk kanë detyrime ndaj doganave dhe tatimeve ta përfitojnë këtë status që na e mundëson edhe Kodi i ri Doganor që ka kaluar në parlament, por edhe përmirësimi i infrastrukturës IT dhe përmirësimi procedural që ne kemi bërë në doganë, për ta bërë të mundur. Synimi ynë është lufta ndaj korrupsionit, rritja e transparencës dhe lehtësimit i biznesit. Kanë mundësi aplikimi të gjitha kompanitë, së pari, për t’u bërë pjesë e procedurave të thjeshtuara dhe pastaj për të marrë statusin e operatorit ekonomik të autorizuar. Bizneset që do aplikojnë do kalojnë në këtë filtër, por ne kemi llogaritur që mbi 150 biznese që operojnë jo vetëm në Tiranë, por edhe biznese rajonalë do mund ta marrim atë dhe do mund të kryhet procedura deri në shkurt të vitit vjen. Pra, deri në shkurt të viti 2015, ne do kemi përmbyllur fazën e jo vetëm aplikimit, por edhe të përzgjedhjes së kompanive,” – u shpreh Spiropali.

Kjo ishte kompania e parë e autorizuar për të kryer procedurat e thjeshtuara në doganë për mallrat e importit. Ndërkohë, në vazhdim do të autorizohen edhe shumë kompani të tjera serioze, të cilat do të përfitojnë nga kjo lehtësi në deklarimin e mallit në doganë.

KOMENTE