English

Rama: Dule kërkon qiqër në një lloj helli që nuk ekziston

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Kuvend gjatë interpelancës së kërkuar nga kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule:

Po e nis aty ku e nisi edhe miku ynë Vangjel Duke, tek këshilli Kombëtar i RTV.

Shqipëria nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk mund të ketë një problem real me minoritetet, por ka vullnet të plotë për të përsosur legjislacionin.

Në fakt, besoj që duke qenë një ndjekës i vëmendshëm i ecurisë së legjislacionit lidhur edhe me minoritetet, Vangjelit nuk i takonte ta bënte gabimin që bëri, sepse është pikërisht ndryshimi në legjislacion, që më parë ka qenë dhe më pas është hequr prania e një përfaqësuesi të minoritetit, që e ka bërë çështjen e përzgjedhjes së Këshillit tërësisht të hapur, tërësisht të depolitizuar dhe tërësisht të pavarur nga vullneti ynë, që nganjëherë duhet dhe t’i nënshtrohet kandidaturave, që mbase, po të ishte puna për t’i zgjedhur me dorë, nuk do t’i kishim zgjedhur me dorë, në tërësi flas, por që janë fluks i ardhur nga shprehja e interesit për të qenë anëtarë të këtij Këshilli.

Kështu që, ne mund të kishim pasur në Këshill jo një, por pesë minoritarë, në qoftëse do të kishin aplikuar, në qoftë se do të kishin përmbushur ato kritere dhe me konkurrencën që ka pasur për Këshillin nuk do ta kishim pasur tmerrësisht të vështirë.

Në këtë aspekt besoj që të kërkosh tani, apo të konsiderosh shkelje të të drejtave të minoritetit, Këshillin që sapo votuam, se nuk ka asnjë minoritar, është si të kërkosh një qiqër në një lloj helli që nuk ekziston.

Nga ana tjetër besoj që qëndrimi i Grupit në sallë është shprehja më kuptimplote e respektit për ty Vangjel, edhe për Partinë e të Drejtave të Njeriut, edhe për një marrëdhënie historike mes PS, LSI dhe Partisë që t’i drejton, pavarësisht ndonjë deviacioni historik në të shkuarën, nga ana e partisë tënde.

Përsa i përket Beogradit, unë e përsërit prapë, që nëse ka disa pak gjëra, për të cilat ne mund të krenohemi para botës, edhe para fqinjëve në veri dhe në jug, është sjellja jonë me minoritetet si shqiptarë, si shqiptarë në Shqipëri, si shqiptarë në Kosove, në këto dy shtete shqiptare ku nuk ka përsosmëri, - patjetër që do të ishte pretendim i madh që të flisnim për përsosmëri, - por ku ka një situatë dhe një marrëdhënie me minoritetet si askund tjetër në Ballkanin e vjetër dhe në Ballkanin e ri, si askund tjetër në vendet e rajonit, qofshin anëtare të BE-së, qofshin kandidatë të BE-së, qofshin pretendente për BE. Kjo është pak, mbase, për ty, por është 100 % e sigurt.

Është aq e sigurt, saqë, kur fqinjëve tanë të veriut i kërkojmë që shqiptarët e Preshevës të kenë as më shumë e as më pak, por aq sa kanë serbët e Kosovës, atyre ju duket sikur i kërkojmë që t’i çojnë shqiptarët në hënë. Në fakt, po t’ua shikosh dhe historinë nuk kanë dhe faj, sepse historia e tyre mëson se e kanë shumë të vështirë ta kuptojnë këtë gjë. Shpresojmë që me procesin e nisur, të fillojnë ta kuptojnë këtë gjë.

Përsa i përket situatës ekonomike dhe mundësisë që kjo situatë ekonomike të rëndoje mbi minoritetin, besoj se është një argument shumë i sforcuar për të mundur ta marrim seriozisht. Historia e shqiptarëve dhe përkatësisht e grekëve ka qenë një histori e mbushur me solidaritet, kur ka ardhur puna për t’ju dhënë bukë grekëve që braktisnin vendin e tyre në kushtet e një lufte të egër. Ashtu sikundër ka qenë e mbushur me solidaritet, edhe kur ka ardhur puna për të mikpritur shqiptarë, pavarësisht se e dinë të gjithë se çfarë procesi i vështirë që ishte për Greqinë të pranonte shqiptarët si njerëz me po ato të drejta dhe me po ato virtyte si dhe vetveten. Kështu që nuk ka asnjë rast dhe asnjë moment në historinë tonë të përbashkët, që në këtë anë të kufirit, minoriteti të jetë trajtuar si një problem, apo të jenë shkelur të drejtat si minoritet.

Më tutje pastaj, po të lexojmë edhe se çfarë flitet për Shqipërinë në këtë marrëdhënie me minoritetet, nuk është merita e kësaj Qeverie, por është meritë e të gjithë qeverive shqiptare, që në këtë rast, si dhe në çështje të tjera shumë më madhore sesa problemet tona të brendshme kanë qenë konsekuente në respektin ndaj minoriteteve dhe në përpjekjen për të përmirësuar në vijimësi kuadrin ligjor në mbrojtje të minoriteteve. E kaq e vërtetë është kjo, sa që Shqipëria ka një balance jashtëzakonisht pozitive në përmbushjen e standardeve të të Drejtave të Njeriut, po të shikojmë se çfarë vlerëson OKB. Kaq e vërtetë është kjo, sa që sot, Shqipëria është anëtare që prej këtij viti e Këshillit për të Drejtat e Njeriut në Kombet e Bashkuara, duke marrë një votë shumë bindëse, e cila lidhet me faktin se shqiptarët e kësaj periudhe që ne kemi jetuar si tranzicion, apo si liri, apo si zhvillim i përgjithshëm i identitetit tonë, në kushtet e reja, të krijuara pas përmbysjes së komunizmit, janë botërisht të njohura dhe të vlerësuara për respektin ndaj minoriteteve.

Rol të madh këtu ka luajtur sigurisht, shteti i Kosovës. Kapërcimi i jashtëzakonshëm, shembullor, që shqiptarët në Kosovë i kanë bërë të shkuarës, duke krijuar kushte optimale për minoritetin serb në Kosovë. Por, pa dyshim, rol në këtë vlerësim luan edhe konsekuenca me të cilën Shqipëria e ka trajtuar këtë çështje.

Unë mbroj bindjen se në Shqipëria nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk mund të ketë një problem real me minoritetet. Përkundrazi, ka një vullnet të plotë për të përsosur legjislacionin. Sigurisht, edhe ajo që po ndodh tani, për herë të parë, shkollat e minoritetit janë pajisur me tekste në gjuhën greke përpara fillimit të shkollës, - gjë që, nëse unë nuk gabohem, e ke përshëndetur edhe ti, miku im, publikisht, - tregon që vullneti është dhe hapat janë aty, të njëpasnjëshme. Ashtu sikundër, krijimi i kushteve që asnjë fëmijë i minoritetit të mos privohet nga e drejta për t’u arsimuar në gjuhën amtare, rihapja e disa klasave të kërkuara drejtpërdrejtë nga disa zona të minoritetit, me fëmijë të riatdhesuar dhe jo vetëm, prapë është një shprehje e këtij vullneti. Po ashtu, futja e greqishtes si gjuhë e huaj në provimet e Maturës Shtetërore është shprehje e këtij vullneti. Dhe rishikimi i teksteve të historisë përmes një komisioni të përbashkët është po ashtu, shprehje e këtij vullneti. Është koha që ta rishohim historinë në raport me njërit-tjetrin dhe unë dua shumë të shpresoj që ana tjetër, Greqia, do të jetë serioze në rishikimin e teksteve të historisë së saj, kur jua mëson fëmijëve të vet dhe kur flet në to për marrëdhëniet me fqinjin shqiptar, sepse jemi të gjithë të vetëdijshëm që ka një stërmundim të madh dhe ka shumë vulgaritet në tekstet shkollore në tërësi, por në rastin e historisë, nëse jemi këtu, jemi sepse duam të bëjmë një rivlerësim me ekspertë të të dy palëve, objektiv, për të çmilitarizuar historinë në raport me njëri-tjetrin.

Përsa i përket asaj që ju pyetët në fund, që çfarë konkretisht ka ndodhur me nismat e lidhura me procesin e integrimit, prioriteti i pestë, që vazhdon të jetë një prioritet themelor për ne, jo thjesht për integrimin, por për forcimin e shtetit të së drejtës, ka qenë pikërisht respektimi i të Drejtave të Njeriut, përfshirë edhe minoritetet. Dhe kemi arritur në një fazë të historisë sonë, kur edhe Pandeli Majko pranon diçka që quhej e papranueshme për shumëkënd deri dje dhe është një fazë e historisë që tregon një evoluim të madh shoqëror. Domethënë, jo më që me minoritetin grek s’kemi asnjë lloj problemi, por tani jemi në kushte krejt, krejt të tjera dhe këtë e them me shumë krenari dhe aspak për humor.

Kështu që besoj i dashur Vangjel, se është koha për të parë sëbashku se çfarë mund të bëjmë më shumë, që shembullin rrezatues të Shqipërisë dhe të shqiptarëve për rajonin, në veri dhe në jug, e përsëris dhe për botën ku jetojmë, si një shembull i respektit për minoritetet ta bëjmë edhe më të ndritshëm, ta bëjmë edhe më përçues, ta bëjmë edhe më kuptimplotë si forcë e shembullit me të cilin ne pastaj duam t’u imponohemi edhe të tjerëve për liritë dhe për të drejtat e shqiptarëve kudo ku ata jetojnë.

Jemi shumë rehat, të them të drejtën, kur flasim me gjithë fqinjët tanë, sepse në këtë pikë, për arsye të një historie shumë të mundimshme, por edhe me shumë sukses për shqiptarët në këto 20 vite, kemi mundësinë të jemi kryelartë që në këtë aspekt, askush nuk mund të na japë asnjë leksion. Përkundrazi, nëse i dëshirojnë, ne mund t’u japim leksione. Është një nga të paktat, në mos e vetmja fushë bashkë me atë të bashkëjetesës fetare, ku ne mund të qëndrojmë qetësisht përballë kujtdo, sepse askush nuk mund të na japë asnjë leksion.

Thënë kjo, sigurisht Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut është një vlerë e shtuar në një koalicion që synon që këtij shembulli t’i japi akoma më shumë forcë dhe kur thua ku janë iniciativat, unë nuk di se çfarë tjetër mund të bësh më mirë me Partinë tënde, sesa t’i çosh përpara këto iniciativa. E di që pozicioni i kërkimit të llogarisë pa bërë asgjë është shumë komod, por besoj që, nëse t’i do të avancosh propozime konkrete, bazuar në një eksperiencë të gjatë dhe bazuar dhe në konventat, dokumentet dhe ambiciet tona, me siguri do të bëjmë ende më shumë akoma. Por në këtë vit mund të themi se shkojmë drejt mbylljes së vitit me një bilanc shumë pozitiv, konkret, në raport me minoritetin grek në mënyrë të veçantë dhe me të tjerët pastaj, rast pas rasti.

Duke e mbyllur do të doja që vetëm një pike t’i mëshoja, nisur jo nga çfarë u tha përpara, se fatmirësisht nuk ishte rasti, por nga çfarë është thënë në ditët drejt kësaj interpelance, që çështjen e Himarës ta lëmë jashtë, sepse çështja e Himarës është jashtë dhe nuk ka lidhje fare me problemin e minoriteteve dhe me problemet që sëbashku duhet të trajtojmë për të zgjidhur. Himara është tërësisht si Kukësi dhe si Tropoja. Aq sa ju intereson Tropoja, aq duhet t’ju interesojë edhe Himara, në këtë aspekt. Në aspekte të tjera, pastaj, unë e di që Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut votohet edhe në Tropojë dhe në Kukës, edhe në Himarë, padyshim.

Ju faleminderit!

***

Replikë e Kryeministrit Edi Rama, në interpelancën me kryetarin e PBDNJ-së, Vangjel Dule:

Duke ndjekur nga mbrapa replikën, po shikoja që në sallë ka përfaqësues të minoritetit edhe në Partinë Socialiste edhe në Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe jo vetëm në Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Edhe kjo, unikale në Ballkan. Më tregoni një parlament tjetër në Ballkan, në veri apo në jug, ku partitë e mëdha apo partitë në Parlament të kenë përfaqësues të komshinjve.

Nga ana tjetër, e përsëris, te Këshilli Drejtues i Radiotelevizionit, edhe pak më parë kur votuam, ne vetë nuk kemi bërë zgjedhjen më të bukur për ne, por kemi bërë zgjedhjen e bazuar tek shprehja e interesit në bazë të ligjit të të gjithë atyre që pretenduan të bëhen anëtarë të Këshillit Drejtues. Dhe nuk ka në ligj, ka pasur por nuk ka, përcaktimin e detyrimit për të pasur përfaqësues të minoritetit. Ndërkohë që, për shembull, në kabinetin e Ministrit të Shëndetësisë nga 4 vetë, 3 janë minoritarë. Me këtë logjikë duhet t’i themi hiq, ndrysho raportin, sepse i ke rënë në qafë shumicës.

Sa i përket Komitetit, Komiteti Shtetëror për Minoritetet drejtohet nga Kostandina, që e njohim të gjithë si një përfaqësuese ekspresive të minoritetit. Dhe për këtë, unë vetë, drejtpërdrejtë, kam marrë edhe përgëzime për faktin që ne kemi respektuar zgjedhjen e saj aty dhe nuk e kemi lëvizur, nga fqinjët tanë. Përgëzime të drejtpërdrejta.

Nëqoftëse tani, ju keni problem me Kostandinën, atëherë gjeni “Doruntinin” dhe ndryshojeni. Problemi është që nuk mund të na thuash ne dhe s’mund të na kërkosh llogari ne, pse në krye të Komitetit është një përfaqësuese e minoritetit që nuk ka, nuk gëzon gjithë admiratën e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Duhet t’i ndajmë disi këto gjëra, në parim.

Sikundër, unë di që në Itali ka një minoritet të përfaqësuar në Dhomën e Ulët, të përfaqësuar në Senat, që është pakica austriake, por nuk kam parë në televizionin kombëtar italian ndonjë rubrikë lajmesh në gjuhën austriake. Nuk kam parë. Megjithatë, për t’iu përgjigjur pyetjes tuaj, pikërisht për të përmbushur rekomandimet e Këshillit të Europës, për të vazhduar ne të përsosim shembullin tonë, - se po t’i referohemi po Këshillit të Europës për fqinjët tanë, atëherë ne duhet menjëherë të mbyllim dyer e dritare, se kë kemi rreth e rrotull në raport me minoritetet, po t’i referohemi pedantizmit me të cilin Këshilli i Europës e nënvizon, por është puna e këshillit të Europës ta bëjë këtë gjë, - dhe për të përmirësuar kuadrin ligjor dhe politikat për mbrojtjen e pakicave që ju i nënvizuat këtu, ne kemi ngritur një grup të posaçëm pune ku merrni pjesë edhe ju. Pra, marrin pjesë edhe përfaqësues të pakicave dhe ku ju jeni i dëshiruar të jeni i pranishëm sa herë mblidhet grupi, për të mos e lënë grupin që të na pengojë të përsosim më tutje, shembullin tonë rrezatues për minoritetin.

Ka një pikë ku ne biem dakord bashkë, plotësisht, në sa thatë; Regjistrimi i popullsisë. Edhe unë jam absolutisht i bindur se ai regjistrim nuk ka qenë, nuk ka përfaqësuar ashtu si duhet, me integritet dhe me profesionalizëm, përmbajtjen e sotme të popullsisë në Shqipëri. Unë besoj që numri i shqiptarëve është shprehur më i ulët se ç’është në realitet. Dhe më vjen keq ta them, do të dëshiroja shumë të isha gabim, do të dëshiroja shumë që një regjistrim i ardhshëm të provojë të kundërtën, që ka një prirje historike të vazhdueshme, të lexueshme, për ta ulur numrin tonë. Për më shumë, do duhej një diskutim më vete.

Ashtu sikundër, unë besoj që ka një paraqitje tërësisht të deformuar edhe në aspekte të tjera, përshirë edhe aspektin fetar, sepse ai regjistrim është bërë në kushte të pafavorshme, nga njëra anë, me një rezistencë shumë të madhe për një tjetër aspekt që na bën përsëri ne, kamionë në Ballkan, apo jo, për deklarimin e kombësisë. Dhe aty ka pasur përsëri shumë rezistencë, siç ka pasur rezistencë në shumë aspekte të tjera.

Kështuqë tek regjistrimi i popullsisë, ne jemi absolutisht dakord bashkë, që do të na duhej një mekanizëm rishikimi larg politikës, larg politizimeve, për të nxjerrë njëherë, në radhë të parë, numrin real të shqiptarëve. Pastaj, patjetër, për të nxjerrë numrin real edhe të të gjithë të tjerëve dhe të të gjithë atyre aspekteve të tjera që ka regjistrimi i popullsisë.

Sa për kampionin nga fundi, mos më provoko. Se fole për ekonominë dhe për pensionet. Dhe është e vetmja arsye që më ka bërë seriozisht të them që për ne, ndër shumë të këqija që pati kriza ekonomike në vendin fqinj, pati këtë të mirë, që shumë nga ato pensionet abuzive ranë. Kjo është arritje, besoj, për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe!

Për sa i përket pastaj, e përsëris, gjithë pjesës tjetër, jemi absolutisht në një gjatësi vale, thjesht do të na duhet të ulemi të punojmë konkretisht, për të adresuar problemet.

Ndërkohë që as dje, as sot, as nesër dhe unë besoj, as sa të ketë Parti Socialiste të Shqipërisë në këtë vend, Himara nuk do të jetë një çështje për diskutim! Sepse nuk ka qenë një çështje për diskutim më parë. Sot, ende më pak mund të pranohet si çështje për diskutim dhe nesër jam i bindur që nuk mund të jetë kurrë çështje për diskutim.

Himara nuk është minoritet!

Himara nuk është një zonë që duhet trajtuar, apo duhet parë si një zonë ku qenkan prekur të drejtat e minoriteteve. Dhe në rast se ju keni pretendim për Himarën, unë do t’ju ftoja t’i bashkëngjitni Tropojën, Kukësin, Dibrën, Shkodrën, Elbasan dhe të gjitha me radhë, t’i bëni paketë, siç i kanë bërë paketë ata që sot mungojnë këtu. Sepse kemi jetuar situata shumë më të papëlqyeshme reciprokisht dhe e kemi parë Himarën të përdoret, të keqpërdoret, të abuzohet më shumë se një herë. Dhe, pikërisht, një nga arsyet pse na duhet pastaj të ndeshemi dhe me sjellje në të kundërt, që janë të dënueshme, është edhe ky lloj abuzimi.

Kështu që bashkë ndajmë dhe një bindje, që në Shqipëri nacionalizmi është gjëja e fundit që do të dëshironim të ndodhte dhe kurrë mos qoftë Shqipëria, pre e etheve të nacionalizmit, por nga ana tjetër duhet të jemi dakord edhe që s’duhet të japim asnjëherë shkak, për të ushqyer makinerinë e urrejtjes nacionaliste.

Thënë kjo, me shumë sinqeritet besoj që siç juve më ftoni mua, ftoni Qeverinë tonë të përbashkët dhe ftoni gjithë Aleancën tonë të përbashkët të reflektojë mbi sa ju thatë, më lind edhe mua e drejta t’ju ftoj të reflektoni për ta çuar partinë tuaj në një fazë të re të historisë, sepse në përpjekjen e vazhdueshme për të krijuar arsye që janë sa alibi dhe sa nevojë për të identifikuar partinë, keni edhe ju përgjegjësinë tuaj për shfaqet, pastaj, të padëshiruara të nacionalizmit, në krahun e kundërt.

Kështu që, ne duam me patjetër që gjithë pakicat të kenë një përfaqësim sa më fortë, sa më dinjitoz. Unë vetë mendoj që Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim i përfaqësojnë pakicat dhe do t’i përfaqësonin rehat, edhe pa qenë fare partia juaj, në kuptimin sikur të mos ekzistonte, por fakti që ekziston është një aset jashtëzakonisht i çmuar. Ne e konsiderojmë pjesë të rëndësishme të këtij Koalicioni dhe dëshirojmë që bashkërisht të çojmë përpara një axhendë modernizimi, shembullore, edhe për fqinjët tanë, se në këtë aspekt, sido që ta rrotullojmë bisedën, nuk ka as në veri dhe as në jug, njeri, shtet, shoqëri që të na ofrohet të paktën në këtë aspekt. Që të mos shkoj pastaj më larg, me hebrenjtë dhe me të tjera histori, që flasin ende më fort se kush jemi ne shqiptarët në raport me pakicat dhe në raport me tjetrin, kur shfaqet në formën e pakicës.

Faleminderit!

KOMENTE