English

Zhvillimi urban. Komunikimi në publik i projekteve dhe nismave të Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit

Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit organizuan më datë 2 dhjetor, në hotel “Tirana International”, takimin e hapur me temë “Komunikimi në publik i projekteve dhe nismave të Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit, lidhur me zhvillimin urban dhe planifikimin”. Duke i uruar mirëseardhjen të ftuarve të saj Ministrja Gjermeni tha: “dëshirojmë të prezantojmë një dimesion të ri të punës së Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit, ku planifikimi dhe zhvillimi urban si pjesë e fushave që kjo Ministri mbulon, të jenë procese në të cilat qytetarët jo vetëm të ndihen të përfshirë, por edhe të japin kontributin e tyre, duke kuptuar çdo nismë që ne marrim në këtë drejtim ”.

Znj. Gjermeni shtoi se për Planin e Përgjithshëm Kombëtar të Territorit është hartuar një platformë diskutimi dhe përfshirje e publikut.

Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë së Planifikimit të Territorit, Adelina Greca u ndal tek rëndësia e proceseve të planifikimit dhe përmendi projektet pilote të kësaj agjencie, ku përfshirja e komunitetit ka luajtur një rol thelbësor. “Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit luan një rol koordinues në proceset e planifikimit. Rezultatet e këtyre proceseve dalin gjithmonë nga bashkëpunimi mes të gjithë aktorëve të interesuar, përfshirë këtu edhe komunitetin”, - tha ajo.

Përfaqësues të shoqërisë civile, botës akademike dhe medias u bënë gjithashtu, pjesë e këtij bashkëbisedimi të hapur me pyetje dhe komente. Aktivisti i shoqërisë civile dhe gazetari Mentor Kikia përmendi rëndësinë e informimit të vazhdueshëm të publikut përmes medias si pjesë e këtij procesi. Analisti Lutfi Dervishi dhe pedagogia e Departamentit të Gazetarisë , Iris Luarasi sollën shembuj, komente dhe sugjerime për t’i bërë projektet në fushën e planifikimit urban më të prekshme për qytetarët. Edhe të pranishmit e tjerë diskutuan mbi planifikimin urban dhe rëndësinë e përfshirjes së qytetarëve në këtë proces.

Në takim morën pjesë përfaqësues të grupeve të ndryshme të interesit, planifikues urbanë, ekspertë të zhvillimit të territorit, mësues të shkollave të mesme, gazetarë, profesorë të shkencave sociale, studentë dhe qytetarë. Ky takim do të pasohet nga të tjerë, sipas një kalendari të përcaktuar. Përmes tyre synohet jo vetëm të merren opinione, por edhe të shpjegohet rëndësia e planifikimit dhe zhvillimit urban në jetën e përditshme të gjithsecilit, duke vënë theksin te nevoja për të ndërtuar një komunikim dhe ndërveprim të vazhdueshëm mes Ministrisë dhe qytetarëve, për nismat dhe projektet në fushën e Planifikimit Urban.

KOMENTE