English

Grupi i Miqësisë Shqipëri-Itali, takim në Kryesinë e Kuvendit

Grupi i Miqësisë Shqipëri-Itali zhvillon një takim në Kryesinë e Kuvendit. Deputetët e Grupit të Miqësisë Shqiptar dhe atij Italian zhvilluan një takim në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.
Të pranishëm në këtë takim ishin Kryetarja e Komisionit të Jashtëm, znj. Arta Dade, z. Artan Gaçi, znj.Mimoza Hafizi, z. Fatmir Topi si dhe znj. Ledi Shamku. Nga pala italiane të pranishëm ishin Senatori Salvatore Margiotta, z. Gea Schiro, dhe z. Gianluca Castaldi.

Duke iu përgjigjur interesimit të mediave pas takimit, Kryetarja e Komisionit parlamentar për Politikën e Jashtme, Znj. Arta Dade tha se vizitat dhe shkëmbimet midis dy vendeve kanë arritur nivelet më të larta edhe politike si me vizitën e Presidentit Napoletano në Shqipëri, por dhe të Kryetarit të Senatit italian.
“Unë shpreh kënaqësinë e veçantë që në cilësinë time si Kryetare e Komisionit të Politikës së Jashtme të pres senatorët e nderuar me të cilët shkëmbyem mendime se si ta rrisim nivelin e bashkëpunimit parlamentar, por ta shtyrë atë jo vetëm brenda grupit të miqësisë midis dy parlamenteve, por edhe midis komisioneve që ndjekin dhe diskutojnë dhe shqyrtojë përafërsisht ligje të një natyre të përafërt”, tha znj. Dade.
Duke falënderuar Italinë për atë çka ka bërë për vendin tonë, për integrimet euroatlantike dhe për statusin e vendit kandidat, znj. Arta Dade vlerësoi klimën e bashkëpunimit midis dy vendeve.
“Italia është një partner strategjik i Shqipërisë dhe sidomos në klimën më të përmirësuar të bashkëpunimit, ne do të dëshironim që të kishin më shumë investime dhe një bashkëpunim ekonomik të shkëlqyer por gjithashtu është e domosdoshme për ti sjell popujt më pranë. Ne do të dëshironim një bashkëpunim të jashtëzakonshëm dhe shkëmbime midis grupeve të të rinjve, midis grupeve të shoqërisë civile në të gjitha drejtimet. Dua të falënderoj dhe t’ju uroj qëndrim të këndshëm Kryetarit të Grupit të Miqësisë nga Parlamenti Italian por gjithashtu dua të falënderoj kolegët e mi të grupit parlamentar por edhe nga parlamenti për këtë vizitë që e kanë organizuar të senatorëve të nderuar, në mënyrë të veçantë kolegun tim zotin Artan Gaçi i cili është tejet i angazhuar për ti dhënë një impuls të ri marrëdhënieve midis dy parlamenteve”, theksoi znj. Dade.

Ndërsa Kryetari i Shoqatës së Miqësisë Itali-Shqipërisë, Salvatore Margiotta, vlerësoi mikpritjen e shkëlqyer në vendin tonë, ndërsa shprehu dëshirën për intensifikim të marrëdhënieve dhe të investimeve midis dy vendeve. “Jam vërtet i lumtur që patën rastin të takojmë Kryetaren e Komisionit të Jashtëm të Parlamenti shqiptar dhe gjithashtu ne jo pa qëllim kemi krijuar Shoqatën e Parlamentarëve të Miqësisë Itali-Shqipëri, jo vetëm duke vijuar në vazhdën e traditës së shkëlqyer mes vendeve dhe popujve tanë, por sigurisht qëllimi ynë është që të rrisim më tej këtë nivel bashkëpunimi siç përmendi edhe zonja Kryetare e Komisionit të Jashtëm. Këtë e dëshmon dhe e thekson edhe më tej fakti i vizitave të nivelit të lartë që kanë vijuar në kuadër të këtyre muajve të fundit, si kundër është vizita e presidenti Napoletano e me radhë. Dhe gjithashtu ne dëshirojmë që faktori italian dhe sipërmarrjet italiane të shndërrohen në një faktor vendimtar dhe në mënyrë që ato të mund të investojnë në Shqipëri duke realizuar kështu edhe synimet e tyre”, tha z. Margiotta.

Senatori Salvatore Margiotta tha se mbetet shumë për të bërë dhe duhet shumë për të bërë për të rritur bashkëpunimin në fusha të ndryshme midis Shqipërisë dhe Italisë.
“Do të doja të përmendja edhe fjalët e kolegut tim Gaçi i cili theksoi ndër të tjera se detit që ndan Shqipërinë me Italinë, që shpesh herë është konsideruar edhe si një oqean që ka ndarë dy vendet tona, të mos jetë më një oqean apo një det, por të jetë vetëm një liqen. Pra të ngushtohet hapësira dhe kjo për të bërë të mundur intensifikimin e marrëdhënieve. Kjo edhe për faktin se marrëdhëniet e ndërsjella ku secila prej palëve përfiton, dhe ka mundësi të jap në mënyrë të ndërsjellë, janë edhe më të drejta dhe në mënyrë demokratike. Sepse sigurisht Italia mund të japë ndihmesë Shqipërisë ashtu sikur Shqipëria të ndihmojë Italinë dhe këto marrëdhënie të intensifikohen edhe më tej”, tha z. Salvatore Margiotta.

KOMENTE