English

Legalizime falas dhe tek dera e shtëpisë

Pas vitesh vajtje-ardhje në zyrën e legalizimit, disa deri në 10 vjet, sot mbajnë në duar certifikatat e legalizimit të shtëpive. Me qindra kanë qenë sot, qytetarët që kanë përfituar certifikatën e legalizimit në Fushë Krujë dhe Shkodër.

Një qytetar që ndodhej në zyrën e legalizimit në Fushë Krujë për të tërhequr certifikatën thotë se aplikimin e parë e kishte bërë para 10 vitesh, ndërsa tani shprehet i befasuar, kur 10 ditë pasi kishte ribërë aplikimin, e kishin telefonuar për t’i thënë se certifikata ishte gati.

Në këtë Zyrë ishte sot edhe Kryeministri Edi Rama, i cili vizitoi ambientet e reja të punës dhe pritjes së qytetarëve, si dhe asistoi në një moment të punës së ekipit të kësaj Zyre.

“Kam aplikuar që në 2006. Para dhjetë ditësh erdha u interesova dhe më morën në telefon që më ka dalë leja,” – iu përgjigj një qytetar interesimit të Kryeministrit, nëse ishte i kënaqur me shërbimin e Zyrës.

Një tjetër qytetar tha se kishte aplikuar gjithashtu në vitin 2006. “Edhe unë kam aplikuar në 2006. “Përpara nuk vinte askush, tani vjen punonjësi tek dera e shtëpisë me të legalizuar shtëpinë,“ – tha ai.

“Falas apo me lekë?” – ishte interesimi i Kryeministrit. Për të cilin, qytetari u përgjigj: “Nuk bëhet fjalë për lekë. Ju përgëzoj për premtimin që keni mbajt. Atë premtim që na dhatë, atë mbajtët.”

Një premtim i mbajtur u shpreh edhe një tjetër qytetar, i cili aplikimin fillestar e kishte bërë vite më parë. “Para dy javë e gjysmë u interesova sërish, erdhën bënë matjet, gjithçka falas dhe sot na ftuan për të marrë certifikatën,” – tha ai.

Drejtori i Zyrës tha se vetëm për muajin nëntor janë bërë 100 leje legalizimi që së bashku me lejet e dhëna këto 6 muaj shkon në 460 numri i certifikatave të lëshuara, e barabartë me lejet e dhëna në 8 vjet (450 leje), në qeverisjen e mëparshme.

***

Ky proces vijoi edhe në Pallatin e Sportit në Shkodër, ku në prani të Kryeministrit Rama u shpërndanë 700 leje të legalizimit. Edhe në Shkodër, ky proces u përshpejtua dhe në 7 muaj janë dhënë 1400 leje legalizimi, aq sa qeveria e mëparshme bëri në 8 vjet.

Drejtori i ALUIZNI-t, Artan Lame tha se për herë të parë, zyrat e legalizimit janë hapur edhe në Malësi të Madhe, Koplik dhe Pukë.

Lejen e parë të legalizimit e mori një qytetar i Shkodrës, me aftësi të kufizuara, i cili kishte dhjetë vjet që priste të kryente legalizimin.

“Doli një burrë në Shqipëri dhe e mbajti fjalën,” – iu drejtua Kryeministrit një qytetar nga Malësia e Madhe, ku deri pak kohë më parë nuk ka pasur një zyrë legalizimi.

Malësia e madhe, tha Kryeministri, ka pasur shumë pak legalizime, sepse kërkesat prej andej janë kryesisht për shtëpi dhe askush nuk ka dashur të merret me njerëzit për të ndërtuar shtëpi, por vetëm me bizneset, që kanë pasur mundësi të paguajnë ryshfet.

“Këtë moment e prisnim prej kohësh. 23 vjet rresht kanë premtuar, asgjë s’kanë bërë,” – tha një tjetër qytetar, ndërsa i dorëzohet certifikata e legalizimit.

“Faleminderit, më në fund po besoj,” – u shpreh një tjetër.

Kjo ditë është një ditë shënuar, tha Kryeministri, për qindra familje që kanë vite të tëra që presin legalizimin, pasi kanë bërë pagesa pas pagesash, mbi dorë e nën dorë.

“Ditë e shënuar për banorët që më në fund të marrin legalizimin dhe e marrin falas, siç jemi zotuar, në një zonë ku në 8 vjet janë bërë 1400 legalizime. 1400 nga 21 000 vetëdeklarime që janë grumbulluar dhe në një zonë ku ne, vetëm këtë vit, duke dhënë sot edhe 700 leje të tjera, bëjmë aq sa është bërë në 8 vjet të marra sëbashku për legalizimet. Operacioni ka 7 muaj që ka filluar, se në fillim është bërë inventari në zyra që nuk gjendeshin dokumentet e qytetarëve dhe në 7 muaj unë besoj që kemi bërë një punë kolosale. Sot marrin legalizimin familje që kanë vite të tëra që i presin, pasi kanë bërë pagesa pas pagesash, mbi dorë e nën dorë.”

Kryeministri theksoi se prioritet është legalizimi i shtëpive.

“Ka edhe një shifër që tregon dallimin midis 2 kohëve. Nëse në 8 vjet janë bërë 1400 legalizime, ato janë 75% lokale dhe legalizime me qëllim përfitimi, në dëm të taksapaguesve, pasi në të shumtën e herës janë legalizimeve abuzive që sot, për t’u rivënë në diskutim duhen shpronësuar. Në këto 7 muaj janë po aq legalizime sa në 8 vjet, por janë të gjithë për shtëpitë e njerëzve. Ky është ndryshim shumë i madh. Nuk duhet të dëgjojnë ‘kukuvajkat’ që thonë se do ju prishën shtëpitë, se do bëhen selektive. Por jo, ne procesin do ta çojmë deri në fund, siç jemi zotuar, falas dhe jo më që njerëzit në radhë, me vite te dera, po ALUIZNI-n te dera juaj, që bën matjet, ju shërben, ju ndihmon për dokumentet dhe në fund keni në dorë letrën që vërteton se jeni pronar të asaj shtëpie.”

Artan Lame solli edhe një tjetër rast absurd në Pukë, që ka shoqëruar këtë proces deri pak kohë më parë. “E vetmja leje që është dhënë në Pukë ka një arsye pse u dha. U dha se aty do të kalonte rruga dhe donin të merrnin lekët e rrugës. U shpronësua 1 javë pasi u dha leja, për 100 milionë lekë. Asnjë objekt tjetër në gjithë Pukën nuk është legalizuar.”

Në Shkodër Kryeministri Rama shoqërohej nga deputetët e Qarkut.

***

Në Shkodër, Kryeministri Rama u takua edhe me një grup qytetarësh, banorë të zonës përreth stadiumit të qytetit.

Kryeministri bisedoi me ta në lidhje me projektin për rikonstruksionin dhe zgjerimin e stadiumit dhe i garantoi se banesat që preken nga ky projekt, fillimisht do të shpronësohen.

“E para, kjo s’ka lidhje me zemrën time. Kjo ka lidhje me standardet e UEFA-s. Stadiumin do ta bëjmë stadium për ndeshje ndërkombëtare dhe siç bëmë me stadiumin e Elbasanit, duhet të marrim nga UEFA gjithë parametrat, se përndryshe UEFA nuk të lejon të bësh ndeshje. Në bazë atyre parametrave duhen krijuar hapësirat përkatëse, qoftë jashtë stadiumit, qoftë brenda stadiumit. Në momentin që projekti përmbush parametrat, mbi bazën e parametrave bëhen pastaj edhe shpronësimet. Kështu që nuk ka asnjë lloj tendence për të prishur kot, por vetëm do prishet çfarë duhet për të përmbushur parametrat e UEFA-s. Nga ana tjetër, stadiumi do të plotësohet, nuk do të jetë siç është sot, me një krah të këputur. Ju duhet të jeni shumë të qetë në një pikë, që procesi i shpronësimit do të fillojë dhe do të kryhet dhe pastaj do të bëhet prishja për ato pjesë që do të duhet të prishen për të krijuar hapësira. Nuk ka lidhje me çfarë dua unë, por ka lidhje me çfarë duhet të bëjmë që stadiumi të transformohet dhe të bëhet me parametrat e UEFA-s, ndryshe këtu nuk bëhen ndeshje ndërkombëtare.”

KOMENTE