Kërkesave për rritje të çmimit të energjisë, qeveria iu është përgjigjur se nuk do të lejojë një rritje të saj mbi mesataren e çmimit aktual. Kjo u bë e ditur dje nga zëvendësministri i Energjisë, Ilir Betja, në diskutimin e hapur mes Entit Rregullator të Energjisë dhe palëve të interesit. Subjektet që kanë kërkuar rritje te çmimit të energjisë për konsumatorët janë OSHEE, KESH dhe OST.
Fjala e mbajtur nga Zv.Ministri i Energjisë dhe Industrisë z.Ilir Bejtja në seancën dëgjimore të Entit Rregullator të Energjisë për përcaktimin e tarifave të reja për vitin 2015.
I nderuar z. Kryetar i Entit Rregullator të Energjisë,
Të nderuar pjesëmarrës,
I-Konteksti aktual i politikës së sektorit elektroenergjitik
Sektori i energjisë elektrike po përjeton prej 4 vitesh një krizë të rëndë financiare, e cila është pasojë e mungesës së vullnetit dhe kapaciteteve institucionale të qeverisë së kaluar për të aplikuar reforma të qarta ligjore dhe rregullatore, gjë e cila ka çuar në mungesë të disiplinës financiare në sektor, mos zbatim të rregullave të tregut të energjisë elektrike, nivele tarifash të papërshtatshme, mos garantim të pavarësisë së Entit Rregullator të Energjisë si dhe mos ndërmarrje e hapave të nevojshëm për normalizimin e situatës. Privatizimi i dështuar i OSSH-së thelloi hendekun financiar të sektorit në rekorde historike mbi 1 miliard dollar. Kjo çoi në falimentimin e shoqërisë, heqjen e njëanshme të licensës së CEZ-it dhe hapjen e një konflikti të menaxhuar qëllimisht shumë keq nga qeveria shqiptare duke mos kryer asnjë veprim në arbitrazh nga Prilli deri në Shtator 2013.
Ndërkaq, humbjet në Shpërndarje u rritën përtej çdo limiti dhe detyrimet e shpërndarjes ndaj KESH-it vazhduan të thellohen. Në këto kushte, zgjidhja e menjëhershme e këtij konflikti ishte opsioni i vetëm imediat për nxjerrjen e Shpërndarjes dhe të sistemit nga kolapsi total me kosto të paparashikueshme për ekonominë, por edhe sociale për vendin. Veprimi i zgjuar i qeverisë për ta zgjidhur konfliktin me marrëveshje shmangu rrezikun e humbjes së mundshme të arbitrazhit në favor të palës çeke dhe i dha rrugë investimeve në sistemin e shpërndarjes. Për informim të publikut, ky proces ndoqi rrugën më të favorshme të mundshme për palën tonë duke i rimarrë aksionet e palës çeke me 1 Euro, kundrejt pretendimit të tyre prej më shumë se 200 milion Euro. Pala shqiptare mori përsipër të shlyejë vetëm detyrimet për kreditë e marra në fund të periudhës së CEZ-it. Kjo situatë bllokuese për sistemin, më në fund mori zgjidhje në Gusht 2014 duke hapur mundësi që niveli i lartë i humbjeve në rrjetin e shpërndarjes dhe mungesa e investimeve për përmirësimin e infrastrukturës shpërndarëse të mbarojnë, për t’i hapur rrugë hapjes së tregut të energjisë elektrike. Ndërkaq, politikat e qeverisë së kaluar e lanë sistemin në vështirësi, në një situatë kur çmimet aktuale të energjisë elektrike nuk reflektojnë kostot reale të sistemit. Mosarkëtimi në kohë i detyrimeve të klientëve tariforë nga OSHEE sh.a. reflektohet në vonesat e likujdimit të detyrimeve që kjo e fundit ka ndaj dy operatorëve të tjerë KESH sh.a., OST sh.a. Ndërkaq, KESH sh.a. megjithëse një shoqëri prodhuese, është detyruar në funksionin e saj të furnizimit publik me shumicë, të rëndohet financiarisht nga kostot e blerjes së energjisë elektrike nga HEC-et me koncesion, kosto e cila nuk reflektohet në çmimin e shitjes së energjisë elektrike.
Në vitin 2012, Qeveria e asaj kohe urdhëroi uljen e tarifës me të cilën KESH-i i shiste CEZ Shpërndarjes energjinë elektrike, veprim që përkeqësoi gjendjen financiare të KESH-it. Mos kryerja e funksioneve për të cilat ishte licensuar CEZ, e përkuli qeverinë shqiptare para dështimit të plotë, e cila për të mos e pranuar atë publikisht, fundosi në kolaps me overdraft dhe kredi absurde KESH-in duke arritur në një borxh të pashlyeshëm prej 270 milion dollar. Njëkohësisht, kapaciteti gjenerues i disponueshëm i KESH sh.a. u ul me rreth 83 MW prej privatizimit abuziv të 4 HEC-eve Ulëz, Shkopet, Bistrica 1,2 dhe Lanabregas, të cilët u shitën baraz me vlerën e katër pallateve në Tiranë. Kjo uli prodhimin publik të energjisë elektrike me 6%, duke rritur artificialisht kostot e energjisë elektrike në tregun me tarifë të rregulluar. Mungesa e likuiditeteve e ka vendosur shoqërinë në një risk të lartë dhe pamundësi financiare për të përmbushur detyrimet e saj.
Operatori i Sistemit të Transmetimit, megjithëse duket se ka fleksibilitet në portofolin e të ardhurave të tij, si rrjedhojë e daljes nga skema e tarifave të rregulluara të konsumatorëve të mëdhenj të lidhur në rrjetin e transmetimit në vitin 2012, përseri për pjesën më të madhe të të ardhurave të tij mbetet i varur nga OSHEE. Në këtë mënyrë vihen në pikëpyetje investimet aktuale për rritjen e kapaciteteve të rrjetit të transmetimit, rrjedhimisht nuk mund të paguajnë shërbimin e borxhit për kreditë e investimeve dhe nuk do të mund të garantojë një furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike të vendit.
U bënë 3 vjet nga koha kur Enti Rregullator i Energjisë ka bërë miratimin e fundit të tarifave të energjisë elektrike të operatorëve që veprojnë në këtë sektor dhe të çmimeve me të cilën energjia elektrike u shitet konsumatorëve fundor. Sikurse jeni në dijeni, gjatë kësaj periudhe, në këtë sektor kanë ndodhur shumë ndryshime dhe ka patur zhvillime pothuajse çdo vit, prandaj ngrirja e çmimeve dhe tarifave kanë çuar në një deformim të tregut të energjisë elektrike.
Objektivi i Qeverisë shqiptare është zhvillimi i një tregu të energjisë elektrike që të sigurojë furnizim të qëndrueshëm, të sigurte dhe të përshtatshëm me energji elektrike me çmime të përballueshme, në një mënyrë të shëndetshme ekonomike dhe mjedisore, në përputhje me parimet e pranuara komerciale, të tregut dhe legjislacionin në fuqi. Për të përmbushur këtë qëllim, është e rëndësishme arritja e objektivave për liberalizimin e mëtejshëm të tregut të energjisë elektrike, duke e kthyer këtë sektor financiarisht dhe teknikisht të qëndrueshëm.
Nga ana e Komunitetit të Energjisë për Europën Juglindore, identifikohen dy aspekte të përpjekjeve që Shqipëria duhet të bëjë për të zvogëluar këtë hendek të krijuar në zbatimin e aquis communnitaire: (i) është adoptimi i Paketës së Tretë Legjislative në legjislacionin kombëtar, dhe (ii) ndërmarrja e veprimeve konkrete në drejtim të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike. Fokusi historik i Komunitetit të energjisë ka qenë rikonceptimi i organizimit të tregut të energjisë në linjë me qasjen Evropiane. Raportet e hartuara nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë tregojnë se, edhe pse Shqipëria është përpjekur të adoptojë formalisht Paketën e Dytë Legjislative, ka dështuar në termat e krijimit të një tregu realisht të hapur. Aktualisht vetem 12-13 % e tregut të brendshëm të energjisë është i parregulluar, i cili përfaqësohet nga konsumatorët e mëdhenj të lidhur në rrjetin e transmetimit.
II-Reformat Legjislative dhe Rregullatore
Ligji i ri për Sektorin e Energjisë Elektrike, i hartuar nën mbikqyrjen e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë është aktualisht në proçes përfundimtar të paraqitjes për miratim në Këshillin e Ministrave. Adoptimi i paketës së tretë legjislative nuk është qëllimi në vetvete, por zbatimi i këtyre parashikimeve bëhet i domosdoshëm nën kushtet aktuale. Qeveria Shqiptare është e ndërgjegjshme lidhur me rëndësinë që ka hapja graduale e tregut të energjisë elektrike dhe hartimi i strategjive të duhura për të arritur këtë qëllim.
Objektivat e qeverisë për vitet në vijim janë: (i) të garantojë sigurinë e furnizimit me energji elektrike për konsumatorët fundor, (ii) të mbajë çmimet e energjisë elektrike në nivele të qëndrueshme për konsumatorët fundor (iii) t’u përgjigjet ndryshimeve globale klimaterike, si dhe (iv) t’u përmbahet marrëveshjeve dhe aspiratave për krijimin e një tregu rajonal, për tu bërë pjesë e tregut europian të energjisë.
Tregu shqiptar i energjisë është relativisht një treg i vogël, si përsa i përket prodhimit, po ashtu edhe konsumit, me një varësi të madhe nga importi i energjisë elektrike. Pjesën më të madhe të konsumatorëve e përbëjnë konsumatorët familjar, ku raporti i konsumit të konsumatorëve familjar dhe jo familjar është rreth 58 % me 42%.
Modeli aktual i tregut të energjisë përcakton prodhuesin publik (KESH sh.a.) si strukturën përgjegjëse për përmbushjen e kërkesës për furnizimin me energji të klientëve tariforë duke i ngarkuar njëkohësisht dhe funksionin e furnizuesit publik me shumicë. Ndërkohë, Operatorit të sistemit të Shpërndarjes (OSHEE sh.a.) i është ngarkuar njëkohësisht dhe funksioni i furnizuesit publik me pakicë.
Duke qenë se tarifat aktuale nuk pasqyrojnë incentivat e duhura që klientët jo familjare të dalin nga tregu i rregulluar, del si domosdoshmëri strukturimi i tarifave të furnizimit me energji elektrike drejt mbulimit total të kostove, në mënyrë që të stimulohet dalja e konsumatorëve industrial nga tregu i rregulluar. Kjo do të bënte të mundur çlirimin e OSHEE-së nga ky detyrim dhe rritje të konkurencës në shpërndarje në tregun e energjisë elektrike.
III-Vendosja e një regjimi të ri të tarifave të shërbimeve të energjisë elektrike
Tarifat e vitit 2015 duhet të japin sinjale të qarta të reformave strukturore në sektorin e energjisë elektrike që pritet të marrin jetë në vitet në vijim. Viti 2015 konsiderohet si viti i fillimit të rimëkëmbjes së sektorit të energjisë, i cilit sot rezulton një barrë për ekonominë shqiptare. Tarifat e vitit 2015 duhet të sigurojnë:
- Mbrojtjen e konsumatorit, duke i garantuar furnizimin me energji elektrike me çmim të arsyeshëm, transparent, që reflekton koston e shërbimit dhe të qëndrueshëm në kohë.
- Mbrojtjen e shtresave në nevojë (vulnerabel) në kuadër të ofrimit të shërbimit publik apo universal.
- Përdorimin me eficencë të energjisë elektrike.
- Mënjanimin e ndërsubvencionimit të tarifave ndërmjet grupeve të konsumatorëve për të incentivuar daljen e konsumatorëve jo-familjarë nga tregu i rregulluar, si dhe dhënien e aksesit për pjesëmarrës të tjerë në tregun shqiptar të energjisë elektrike.
- Krijimin e një tregu konkurrues në mënyrë që të jepen incentivat e duhura për prodhuesit e pavarur të energjisë për të dalë nga tregu i rregulluar.
- Ndarja e funksionit të gjenerimit nga ai i furnizimit publik me shumicë.
- Ndarja e funksionit të operatorit të shpërndarjes nga ai i furnizimit publik me pakicë
- Garantimin e likuiditetit të nevojshëm në sektorin e energjisë elektrike dhe pavarësisë financiare të operatorëve.
Në përcaktimin e tarifave të furnizimit me energji elektrike të këtij viti duhet të mbahen parasysh elementet si më poshtë:
Për të treja kompanitë, të merren në konsideratë investimet më të domosdoshme për garantimin e sigurisë së sistemit dhe të furnizimit me energji elektrike të konsumatorëve. Gjithashtu, duhet të merren në konsiderate kostot lokale dhe shlyerja e kredive të marra nga shoqëritë për realizimin e projekteve.
Përfshirjen në tarifën e shpërndarjes vetëm të humbjeve teknike dhe jo të vjedhjes së energjisë apo borxhi i keq siç u aplikua gjatë kohës së privatizimit.
Konsiderimi i TEC Vlorës si pjesë e portofolit të gjenerimit publik (për rrjedhojë dhe kostot e tij të përfshihen në tarifën e gjenerimit).
Llogaritjen e çmimit të PVE-ve dhe PPE-ve bazuar në parimin e reflektimit të kostos reale.
Ky veprim mbështetet në parimin e kostove reale, të cilat përfaqësohen nga çmimi i tregut. Tregu referencë për vendin tonë është bursa e Hungarisë (HUPX.com). Për formulën dhe metodologjinë e përllogaritjes së çmimit të energjisë elektrike për HEC-et private ekzistues, duhet të merret në konsideratë vendimi i Autoritetit të Konkurrencës për të patur çmim të bazuar në metodologji të njëjtë në përllogaritje, si edhe duke garantuar bazë konsistente përllogaritje, duke mos shkaktuar kështu shtrembërim të konkurrencës.
Përfshirja në tarifë e një norme fitimi të njëjtë për të tre operatorët për të garantuar vetëm mbulim kostosh dhe zhvlerësimin e të ardhurave nga inflacioni.
Për sa i takon Operatorit të Sistemit të Transmetimit, mendojmë që tarifa e këtij sektori të analizohet duke patur në konsideratë shpenzimet operative të veprimtarisë së shoqërisë, si dhe kostot lokale dhe detyrimet për kreditë e marra për fuqizimin dhe zgjerimin e rrjetit të transmetimit.
Strukturimi i tarifave të shpërndarjes bazuar në kosto, në mënyrë që të stimulohet dalja e konsumatorëve të lidhur në tension të mesëm nga tregu i rregulluar dhe të rritet konkurrenca e lirë në shpërndarje.
Për jo-familjarët të ndërtohet tarifa sipas aksesit në rrjet dhe furnizimit të saj, dhe jo mbi bazë sektoriale apo natyrë industrie. Për këtë qëllim sugjerojmë tre nivele tarife; (a) tarifë për konsumatorët e lidhur në 35 kV, (b) tarifë për konsumatorët e lidhur në 20/10/6 kV dhe (c) tarifë për konsumatorët e lidhur në 0.4 kV. Kjo është e drejtë sepse pasqyron, si kostot e shpërndarjes dhe ato të furnizimit për çdo nivel tensioni.
Lidhur me liberalizimin e tregut të energjisë, mendojmë se hapja e tij do të sjellë rritje të cilësisë së shpërndarjes dhe furnizimit. Për këtë arsye kërkojmë që të dalin nga sistemi i furnizimit me tarifë të rregulluar të gjithë konsumatorët e lidhur në rrjetin 35 kV brenda viti 2015, dhe ky proces të vazhdojë të thellohet edhe për konsumatorët e tjerë jo-familjare. Kjo kërkon miratim të tarifave të aksesit dhe shpërndarjes për secilin nivel tensioni, me qëllim garantimin e hapjes së tregut dhe furnizimit të rregullt me energji të tyre. Gjithashtu, kjo do të ulte varësinë e tregut të rregulluar nga çmimet e importit të energjisë.
Për furrat e bukës dhe fabrikat e miellit të ketë një tarifë më vete, e pandryshuar nga ajo që kemi aktualisht. Ky përjashtim propozohet për të mbajtur në këtë nivel shpenzimet e konsumatorit familjar për ushqimin bazë.
Heqja e fashës prej 300 kWh/muaj për konsumatorët familjarë.
Një nga parashikimet e Traktatit të Komunitetit të Energjisë, është eliminimi i subvencionit të shtresave në nevojë nëpërmjet shërbimeve të energjisë elektrike. Blloku prej 300 kWh, i cili tarifohet aktualisht me një çmim nën koston mesatare të furnizimit me energji elektrike e ka humbur qëllimin e mbështetjes së konsumatorëve në nevojë, sepse nga kjo skemë faturimi përfitojnë të gjithë konsumatorët pavarësisht nëse janë në nevojë apo jo. Heqja e bllokut të konsumit prej 300 kWh, te faturuar me çmim më të ulët do të orientojë drejt veprimet e Qeverisë për të hartuar skema të drejtpërdrejta të mbështetjes për konsumatorët në nevojë.
Tarifa me një nivel duhet të synojë të jetë sa më pranë kostove të furnizimit deri tek konsumatori fundor. Kjo do të eliminojë shtrembërimin në konsum që ka shkaktuar versioni me dy nivele duke rritur abuzimin dhe manipulimin e sistemit për të paguar me tarifën më të ulët. Në vitin 2008 nga ana juaj ka qenë përllogaritur një nivel mesatar konsumi prej 365 kWh/familje/muaj ndërsa sot, edhe pse konsumohet afërsisht 13-15% më shumë energji, dhe niveli i përdorimit të saj në familje është rritur, konsumi mesatar është 192 kWh/familje/muaj. Ky është një shtrembërim i shkaktuar vetëm nga prania e fashës me tarifë të ulët. Po kështu, shpërdorimi i energjisë dhe abuzimi e manipulimi i rrjetit të furnizimit ka çuar në një disproporcion të rëndë në strukturën e konsumit midis familjarëve dhe jo-familjarëve, ku të parët konsumojnë më shumë se 58% të energjisë së hedhur në sistem.
Qeveria shpreh qëndrimin e saj për mostejkalim të kostos mesatare aktuale pas ristrukturimit të tarifës nga heqja e fashës. Ndërkohë, për kategoritë e konsumatorëve në nevojë, të përcaktuar nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, qeveria do të kompensojë të gjithë efektin e ndryshimeve të mundshme që mund të rezultojnë pas vendimit të Entit Rregullator të Energjisë dhe ristrukturimit të tarifës.