English

Stefanoviç : Pa pajtim mes serbëve dhe shqiptarëve s’ka paqe për Ballkanin

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë, vizitën e Kryeminitrit Rama në Beograd dhe qëndrimin e qeverisë serbe ndaj Kosovës, në një intervistë ekskluzive për “A1 Report”, janë komentuar nga Ish-kryenegociatori i Serbisë në bisedimet me Kosovën.



Z. Stefanoviç si do t’i përshkruanit marrëdhëniet Shqipëri-Serbi në këto momente?

Situata është ende plot me tension dhe goxha shqetësuese dhe ishte zhgënjyese mënyra se si përfundoi vizita e z.Rama. E di që ka një potencial të madh për marrëdhëniet tona që duhet ta shfrytëzojmë por këtë duhet ta bëjmë menjëherë sepse kemi çuar dëm shumë dekada në marrëdhënien tonë, pa mundur ti riparojmë lidhjet tona ndaj dhe duhet t'i rivendosim këto lidhje sa më shpejt. Por mendoj se këtë duhet ta bëjmë sepse duam vetë jo sepse dikush në Bruksel apo në Berlin na e kërkon këtë gjë. Dhe pikërisht kjo ndodhi në Beograd. Kjo vizitë ishte, nëse mund ta quajmë kështu-përmbushje e axhendës së integrimeve tona europiane, pra për të dyja palët, Tiranën dhe Beogradin. Ndaj ishte mëse e dukshme që ata duhej ta takonin njëri tjetrin por jo se dëshironin ta shihnin njëri tjetrin. Por unë besoj se ne duhet të duam të takohemi me njëri tjetrin sepse ka plot gjëra që na bashkojnë, jo vetëm nga ana gjeografike, dhe të gjitha këto gjëra duhet të vijnë të parat.

Ju thoni se jeni i zhgënjyer për mënyrën se si përfundoi vizita. Pse e thoni këtë?

Përfundoi në një atmosferë të keqe, në atë që ne këtu në Beograd e konsiderojmë si një incident. Ajo që deklaroi kryeministri Rama, është mëse e ditur për ne, nuk është se ishte ndonjë suprizë sepse ne e dimë që Shqipëria ishte ndër vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës si shtet i pavarur. Por surpriza ishte fakti që dy kryeministrat nuk arritën të koordinojnë me njëri tjetrin konferencën për shtyp dhe ndaj pati një problem. Nëse do ta kishin koordinuar, pra të kishin rënë dakord se çfarë do të deklaronin para medias, sepse zakonisht bie dakord se çfarë nuk duhet thënë apo cilat tema duhen evituar. Dhe nëse ata dështuan në këtë gjë atëherë vepruan si amatorë, e them këtë si diplomat. Nëse e koordinuan dhe ranë dakord që nuk do të flitet për atë çështje, atëherë z.Rama bëri një gabim të madh.

Mendoj se ka shumë mënyra për ta thënë një gjë, por mendoj se ai zgjodhi shembullin më të keq të asaj që është mëse e ditur, pra që Shqipëria mbështet pavarësinë e Kosovës dhe inkurajon vendet e tjera që të bëjnë të njëjtën gjë. Pra nëse më lejohet, z.Rama mund të kishte thënë "Qëndrimi ynë për Kosovën është i njohur dhe ne besojmë që Kosova është një shtet i pavarur"-dhe do të mjaftonte kaq. Por ai shkoi përtej duke thënë se Serbia duhet ta njohë Kosovën dhe këtë realitet që ajo është një shtet i pavarur. Pra pati disa skaje të vrazhda në këtë bashkëbisedim dhe kjo u pa qartë. Nga ana tjetër edhe kryeministri ynë u përgjigj me shumë emocione dhe në mënyrë të nervozuar, çka gjithashtu ishte e qartë. Pra e gjithë vizita praktikisht dështoi. Të mos harrojmë incidentin me dronin dhe atë flamurin qësharak, pasojat e së cilit ishin të pranishme edhe gjatë vizitës. Ndaj mendoj se kjo vizitë u bë në kohë të papërshtatshme.

Ka shumë gjëra që mund të bëjmë së bashku sepse jetojmë në të njëjtin rajon, ndaj duhet të jetojmë dhe punojmë së bashku. Pa pajtim dhe pa ndërtimin e urave lidhëse mes serbëve dhe shqiptarëve nuk ka paqe dhe prosperitet për Ballkanin. Është mëse e thjeshtë. Pra nëse nuk gjejmë objektivat e përbashkët dhe mirëkuptim të përbashkët dhe të njëjtën pikëpamje për të ardhmen tonë të përbashkët, atëherë ne të gjithë do të dështojmë në mënyrë të hidhur në këtë rajon. Ndaj mendoj se që të dy kryeministrat thellë në zemrat dhe mendjet e tyre e dinë këtë gjë por për hir të publikut të tyre luajtën një tjetër lojë nacionaliste që përfundoi si një farsë.

Patëm edhe anulimin e takimit nga presidenti i Serbisë.

Jo në fakt takimi u anulua përpara. Ne u informuam që përpara vizitës që presidenti nuk do të takohej me kryeministrin Rama. E di por nuk është kjo mënyra për të vepruar në të tilla raste. Pra dua të them që interesi ynë është që të kemi marrëdhënie të mira me Shqipërinë dhe të takohemi me Z.Rama. Pra nuk mund ta lësh kryeministrin "jashtë në të ftohtë" dhe thjesht të lash duart duke tentuar të hiqesh si një turbo-patriot më i madh se ai tjetri. Nuk bëhet kjo dhe mendoj se është qesharake, që të jem i sinqertë.

Mendoj se presidenti kishte një shans të mirë që të takohej me të dhe duhej ta kishte takuar z.Rama, mbase pa praninë e kamerave. Pra ne nuk e dimë nëse ata e diskutuan "tabunë" e madhe, elefantin në dhomë, pra Kosovën. Por jam i sigurt që nuk kanë diskutuar për problemet në Kosovë, edhe pse kishin shansin që ta evitonin atë që ndodhi, pra të ofendonin njëri tjetrin. Por nëse nuk e kanë përmendur fare në takim, atëherë nuk është aspak serioze por sjellje prej amatorësh.

Pavarësisht atmosferës që ju përshkruani, a mendoni se ishte një hap i mirë që një kryeministër i Shqipërisë erdhi në Serbi pas gati 70 vjetësh?

Po, padyshim që po. Ish-kryeministri juaj pati ardhur në vitin 2003 në një moment të vështirë, në ceremoninë e varrimit të kryeministrit Zoran Gjingjiç, ndaj dhe nuk ishte një vizitë zyrtare. Kështuqë 68 vjet është me të vërtet një periudhë e gjatë kohe dhe askush këtu në Beograd nuk e beson që na u desh kaq shumë kohë që të takonim fqinjin tonë dhe mendoj se në përqindje të madhe, kemi humbur shumë mundësi sërish por duhet të shfrytëzojmë mundësitë e reja. Së shpejti kemi një samit këtu në Beograd dhe z.Rama do të vijë sërish, çka është një mundësi e mirë për të diskutuar për problemet që kemi me Shqipërinë dhe praktikisht për të punuar për interesin tonë të përbashkët dhe jo sepse dikush na e kërkon ta bëjmë këtë gjë. Kjo është një prej gabimeve më të mëdha që bëjmë.

Pra çdo njeri në Tiranë që po sheh këtë intervistë tani apo që po shihte konferencën për shtyp e di që kjo nuk është e sinqertë, dhe nëse është kështu pse duhet ta bëjmë atëherë? Sepse do të na vënë nota të mira në shkollë? Ajo që duhet të bëjmë është që të kapim mundësitë për fëmijët tanë dhe të ardhmen. E di që tingëllon si një frazë klishe por nuk është kështu sepse unë besoj fort se kombi shqiptar, populli shqiptar që jeton në shumë vende, jo vetëm në Shqipëri dhe populli serb që jeton në disa vende dhe jo vetëm në Serbi duhet të gjejë mënyrën për një dialog të frytshëm që sjell rezultate. Sepse pa këtë, jo vetëm që gardhet e vjetra të Ballkanit do të vazhdojnë të ekzistojnë por do të vazhdojmë ta shohim njëri tjetrin si konkurentë të mëdhenj, një konkurencë që bazohet në urrejtje, keqkuptime dhe mungesë njohje, duke parë gjithnjë pas dhe nga historia. Edhe pse kemi të njëjtën histori, rrëfimi i saj ndryshon për dy vendet.

Duhet të mësojmë që ta kuptojmë njëri tjetrin. S'kemi pse ta duam njëri tjetrin, por ta kuptojmë njëri tjetrin si fqinj. Unë e di që jam shumë i izoluar këtu në skenën politike të Serbisë por besoj vërtet që nëse ne të gjithë do të shkojmë drejt BE-së, dhe atje po shkojmë sepse kjo është ajo çka ne të gjithë duam të bëjmë, nuk do të gjykohemi thjesht për rezultatet tona më vete, por të gjithë bashkë si një rajon. Ndaj dhe duhet të bëhemi bashkë.

A janë Shqipëria dhe Serbia rivale për pozicionin e tyre në rajon. Shqipëria është vlerësuar shpesh si faktor stabiliteti në Ballkan. A është Serbia xheloze për faktin se ka humbur rolin e saj të dikurshëm në rajon??

Së pari, mendoj se është një iluzion sepse ne kemi qënë faktor stabiliteti për shumë kohë, çka tregon se vëmendja nga fuqitë perëndimore shkon nga një partner tek tjetri dhe është i ndryshëm në kohë të ndryshme. Ndaj besoj se kushdo që ndjek këtë iluzion "ne jemi shumë të rëndësishëm dhe të tjerët janë kot" ai bën një gabim të madh për të ardhmen e vendit të tij. Sa më shpejt ta mësojmë dhe kuptojmë që ata, pra komuniteti ndërkombëtar na sheh neve si një e tërë, si një rrugë. Ka njerëz në Serbi që besojnë se duhet ti afrohemi më shumë Moskës sepse besojnë se Brukseli nuk na kupton ne ashtu siç duhet, apo sepse Uashingtoni preferon Shqipërinë në vend të Serbisë.

Dhe kjo gjë vazhdon, e vazhdon, dhe ne jemi të gjithë fatkeqë në Ballkan. Jemi të gjithë të varfër, infrastruktura jonë është e tmerrshme, investimet janë të vogla, njerëzit punojnë për rroga të ulëta, këtu është papunësia më e lartë në Europë, ne nuk jemi të aftë as të ndërtojmë një hekurudhë për të lidhur Nishin me Tiranën apo një autostradë që do të na lidhte neve të gjithë bashkë. E di që ka plot plane por na duhet të punojmë sëbashku si një bllok drejt perëndimit. Ndaj dhe kam idenë që duhet të përqëndrohemi tek mundësia për të krijuar një strukturë të re politike të Ballkanit Perëndimor, në baza konfederate. Keq apo mirë perëndimi na sheh si një bllok, atëherë pse të mos bëhemi të tillë. Pse të mos i japim Ballkanin popullit të këtij rajoni?

Pas incidenteve gjatë ndeshjes, këtu u fol shumë për të ashtuquajturën Shqipëria e Madhe. A i druhet vërtet politika dhe populli serb këtij projekti?

Ka disa që e besojnë dhe ata janë kryesisht në krahun e djathtë të spektrit politik. Ka edhe njerëz zi z.Koço Danaj por janë figura të margjinalizuara. Di që ka edhe një parti në Shqipëri që ushqen këtë ide. Siç kemi edhe në Serbi një parti që ushqen idenë e Serbisë së madhe. Por jam shumë i kënaqur të thëm që këto parti nuk kanë peshë. Partia Radikale Serbe nuk e kaloi pragun elektoral, çka mendoj se është shumë mirë për Serbinë dhe Ballkanin që ata nuk janë të aftë që të tërheqin mbështetës. Të gjitha këto janë ëndrra të rrezikshme dhe iluzione sepse nuk mund ti ndryshosh kufijtë në Ballkan pa luftë dhe askush nuk e do këtë gjë dhe askush nuk është i aftë për këtë. Pra partitë e mëdha në Serbi dhe Shqipëri luftojnë për integrimin në BE.

Shqipëria është anëtare krenare e NATO-s dhe si e tillë nuk lejohet të ndryshosh kufijtë veçanërisht karshqi fqinjëve që janë apo do të bëhen së shpejti anëtare të NATO-s siç është Maqedonia. Ndaj mendoj që duhet ti lëmë këto, jo ëndrra por do t'i quaja makthe nëpër muze, aty ku e kanë vendin ashtu si politikanët që i promovojnë këto ide. Ka shumë gabime në historinë tonë të përbashkët. Kombi serb ka bërë shumë gabime veçanërisht karshi faktorit shqiptar. Edhe politikanët shqiptarë kanë bërë gabime karshi popullit serb por duhet të mësojmë prej këtyre gabimeve dhe ti kapërcejmë.

E besoj vërtet që duhet të shohim nga e ardhmja dhe jam i kënaqur që z.Rama e tha këtu në Beograd që duhet të shohim drejt të ardhmes dhe shpresoj ta ketë me të vërtetë. Por veprimet do ta vërtetojnë këtë dhe jo fjalët, sepse fjalët janë të lira, veçanërisht në Ballkan. Por nëse janë thjesht fraza tërheqëse për Brukselin, që përsëriten vazhdimisht atëherë nuk kanë asnjë vlerë. Si përshembull, kur thua se beson në në të ardhmen dhe më pas ndalon në Merdarë dhe përshendet një grup njerëzish që kanë po të njëjtin flamur të Shqipërisë së Madhe dhe kjo pamje transmetohet këtu në televizionet serbe, njerëzve nuk u pëlqen kjo gjë.

Më falni por nuk ka ndodhur kështu, të paktën siç thonë njerëzit që kanë shoqëruar z.Rama atë ditë. Ai ndaloi për të ecur në këmbë drejt kufirit dhe përshëndeti njerëzit, jo pikërisht këtë grup që mbantë flamurin që ju thoni.

E kuptoj, por e shihni pra, që askush nuk u shqetësua që ta sqaronte këtë gjë. Duhet ta kuptoni që perceptimi këtu në Serbi është me të vërtet negativ karshi z.Rama, vizitës dhe për rrjedhojë edhe karshi Shqipërisë. Sepse një pjesë e mirë e qytetarëve në Serbi beson se z.Rama është një figurë e re kombëtare shqiptare që po lufton për Shqipërinë e Madhe, por kjo nuk është e vërtetë. Pra kemi shumë për të bërë sëbashku. Na duhet të shpjegojmë, të korigjojmë gabimet tona dhe duhet të jemi më të guximshëm për ta bërë këtë. Por duhet të jemi shumë të kujdesshëm sepse në Ballkan, fjala vret më shumë se plumbi. Dhe ajo që kam mësuar nga ajo që ndodhi në Kosovë është se njerëzit lëndohen më shumë nga fjalët dhe informacionet false se sa nga plumbat e vërtetë.

Le të mbetemi këtu, tek informacionet e pasakta apo keqinformimi. A nuk mendoni se media serbe pati një rol për mënyrën e njëanshme se si raportoi për të dyja ngjarjet qoftë për ndeshjen apo edhe për vizitën e z.Rama ku madje përkthimi u ndërpre ndërsa ai fliste.

Jo në fakt nuk kishte fare përkthim, çka është edhe më e rëndë. Por më pas media e transmetoi sërish konferencën me përkthim, dhe ata e shpejguan si një problem teknik, kështu thanë të paktën. Nga ana tjetër, më duhet të jem i sinqertë me ju, ne si Parti Demokratike të cilët jemi praktikisht e vetmja opozitë e vërtetë këtu në Serbi, ishim shumë të pakënaqur me mënyrën se si media pasqyroi ngjarjet. Nuk e di se si reagoi media në Shqipëri por jam i sigurt që ekziston i njëjti nivel influence nga qeveria tek media, si në Tiranë dhe në Beograd. Kështu që rezultati ishte i shëmtuar dhe pak a shumë një histori e njëanshme në të dyja vendet tona.

Këtu në Serbi të gjithë raportuan për incidentin me dron por nuk pati thuajse fare shpejgim për thirrjet ofenduese të tifozëve serbë në pankinat e stadiumit. Pra e kuptoni, i gjithë theksi u vu tek droni, ndërsa në Shqipëri theksi iu vu tifozëve që ofenduan jo vetëm futbollistët por edhe kombin shqiptar. Nëse më lejohet që të nxjerr një konkluzion do të thosha se është një histori e vjetër në Ballkan. Të gjithë që sjellin rrotull këndvështrimet e tyre që nga historia, kultura, marrëdhëniet, urrejtja dhe kështu kemi një rreth vicioz të vazhdueshëm dështimi total që sjell keqkuptim dhe urrejtje mes dy kombeve tona, i cili do të vazhdojë sepse askush nuk po shqetësohet që të dëgjojë palën tjetër, që të zvogëlojë muret mes nesh, askush nuk po shqetësohet realisht për të na afruar. Po çfarë na bashkon realisht bashkë?

Kur pyet një djalë në Vlorë, në Shkodër apo në Tiranë, apo në Nish apo Kragujevac, do të thotë "Ata nuk na pëlqejnë neve, ata na urrejnë". Ata mund të thonë që Edi Rama është një “djall” që erdhi këtu në Beograd për të na provokuar. Ky është pra perceptimi dhe në politikë për fat të keq perceptimi është gjithçka. Pra Rama kishte mundësinë që të tregohej më i madh, se sa ç'është me të vërtetë duke thënë disa gjëra që do të kishin qënë të shquara por nuk ia doli dot. Ai tha ato gjëra që të gjithë prisnin prej tij në këtë situatë, edhe kryeministri jonë gjithashtu. Pra ata nuk e kaluan dot këtë provim, sipas meje. Pra është si një pasqyrë e vjetër dhe e pisët ballkanike ku ne gjithmonë bëjmë atë çka pritet prej nesh duke ndjekur gjithmonë rrugët e vjetra që janë të mbushura me viktima, gjak, përleshje, keqkuptime, krime lufte, urrejtje dhe këto nuk janë rrugë të shtruara por të mbuluara me baltë.

Dhe që të dy kryeministrat vendosën të përdorin rrugën e vjetër sepse ndjehen më mirë dhe publiku i mbështet. Nacionalizmi është padyshim sheqeri më i ëmbël por është kaq i lirë dhe i thjeshtë për tu shitur. Ajo që është e vështirë të bëhet është pikërisht e kundërta e tij, të krijosh rrugë të reja. Ndaj dhe jam i sigurt që dy kryeministrat gabuan, por ishte Rama ai që provokoi. Siç edhe duhet të dënojmë shumë gjëra që ndodhën në stadium gjatë ndeshjes me ekipin kombëtar shqiptar si ofendimet e tifozëve apo droni me flamurin e Shqipërisë së Madhe. Jam krenar të them që ekipi jonë veproi në mënyrë pozitive. Në mënyrë disi qesharake ata ishin heronjtë e kësaj mundësie të dështuar për të patur një ndeshje normale futbolli, sepse ata nuk provokuan, ata morrën flamurin thjesht për tja dhënë shqiptarëve. Pati shumë provokime nga pankinat por jo në fushë deri kur disa prej tifozëve hynë me dhunë në fushë.

Pra duhet ti japim fund çdo gjëje negative për të ardhmen tonë. Sepse është shumë e lehtë të ofendosh tjetrin. Psh, sikur tju thosha që Skënderbeu ishte serb dhe kjo është ajo çka lidh shqiptarët dhe serbët, çfarë do të thoshit? A është kjo e këndshme? Padyshim që jo, por njerëzit këtu në Serbi besojnë se ai ishte serb dhe në fakt ka prova për këtë. Ka më shumë prova që Skënderbeu ishte serb se sa që Kosova ka qënë ndonjëherë shtet. Pra e shihni, nëse vazhdojmë të masim gjëra të tilla, ka gjithmonë tulla për ti shtuar murit që ekziston mes nesh, gjithmonë dhe ju garantoj që ne jemi shumë të talentuar për të vendosur këto tulla, siç jeni edhe ju. Ky është një prej talenteve të përbashkëta që kemi në Ballkan.

Po përse mendoni që është kaq e vështirë të pranojmë që nuk biem dakord me njëri tjetrin?

Në fakt nuk është e vështirë fare, duhet thjesht të ulemi bashkë dhe të themi "Ju e njihni Kosovën, është e drejta juaj dhe askush nuk do të ndërhyjë se jeni shtet sovran por të lutem, të paktën kur të jemi bashkë përpara kamerave në një eveniment publik le të përpiqemi të mos e provokojmë njëri tjetrin. Po i jap edhe një tjetër këshillë falas z. Rama që mund të kishte thënë thjesht "Qëndrimi ynë për Kosovën është i ditur që ne besojmë se është një shtet i pavarur". Pse duhet të shkosh përtej kësaj? Përse për herë të parë pas 68 vjetësh vjen në Beograd dhe i jep vetes të drejtën për ti dhënë leksione serbëve? “Më lini tju mësoj se çfarë është në interesin tuaj". Sikur unë të vij në Tiranë një ditë kur të kemi ndryshuar këtë qeveri, a do të prisnit që unë tju provokoj apo prisni që të bëj dicka të mirë për vendet tona.

Po ju si mendoni, ka vërtet kaq shumë urrejtje mes nesh?

Së pari mendoj se ne nuk e njohim shumë njëri tjetrin për ta urryer. Por ne dimë shumë pak. Kemi vetëm pak studentë të gjuhës shqiptare në universitetin tonë, çka është për të ardhur keq. Duhet të ketë më shumë të rinj që mësojnë gjuhën shqipe sepse është gjuha e Ballkanit, po bëhet një gjuhë dominuese në disa vende. Pra pse të ikim nga një kulturë që është kaq afër me tonën? Shumë shkrimtarë serbë kanë shkruar për Shqipërinë por shumë pak njerëz e njohin Kadarenë këtu.

Pra na duhet të mësojmë më shumë për njëri tjetrin. Ka një ndjesi që shqiptarët në Kosovë kanë më shumë antagonizëm ndaj Serbisë se sa shqiptarët e Shqipërisë, sepse ata ndjejnë që kanë pësuar nga shteti serb ndërsa shqiptarët e Shqipërisë jo. Por nga ana tjetër kur shkon në Prishtinë ka shumë gjëra që na lidhin përtej politikës, literatura, muzika. E kuptoni ata nuk shohin gjithnjë e më shumë drejt Tiranës por nga Beogradi sepse është diçka e natyrshme. Pra lidhjet skanë pse të jenë vetëm etnike, por edhe ekonomike, tregtare dhe kulturore, çka është më e rëndësishmja por më e neglizhuara në këtë pjesë të Europës.

Po politika serbe a po përpiqet ta ushqejë këtë keqperceptim ?

Tradicionalisht politika serbe e ushqen këtë keqperceptim madje për dekada do të thosha edhe për shekuj me radhë. Shumë njerëz që prej familjeve më të vjetra të dinastisë serbe kishin perceptimin e keq të fiseve shqiptare në kufijtë jugorë që ishin ushtarë të mirë të Sulltanit. Por shqiptarët ishin edhe rebelë ndaj otomanëve por kjo pjesë e historisë është lënë mënjanë. Mbase jo në mënyrë të qëllimshme sepse unë nuk besoj tek teoritë e konspiracionit. Shumë herë në Kosovë njerëzit më thoshin se akademia serbe bashkë me Kishën shpiku planin djallëzor ndaj kombit shqiptar. Por për mua këto janë gjepura. Mungesa e dijes dhe paragjykimet janë si motra binjake dhe ecin së bashku për breza me radhë.

Dhe fatkeqësisht në arsim s'ka shumë për të mësuar. Unë besoj që edhe në tekstet shqiptare thuhen gjithashtu gjëra të këqia ndaj serbëve por po flas për sistemin tonë arsimor ku mund të mësosh gjëra si psh. shqiptarët iu kundërvunë ushtrisë serbe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por ka edhe shembuj pozitivë të disa prej liderëve shqiptarë që e ndihmuan ushtrinë serbe. Por këto gjëra janë lënë si shënim në fund. Pastaj, ajo çka mësojnë nxënësit këtu është që Shqipëria ka qënë e izoluar gjatë regjimit të Enver Hoxhës, që ka mbështetur protestat e studentëve në Kosovë dhe që ishte ndër vendet e para që njohu pavarësinë e saj dhe kemi dhe Kadarenë. Dhe kjo është e gjitha. Kjo është shumë pak për të ardhmen dhe stabilitetin e Ballkanit.

Le të flasim për atë që ju e quajtët "tabuja e madhe", Kosovën. Pavarësisht politikës a është e vërtet që Kosova është gjithnjë e më pak e rëndësishme për serbët, kemi parë madje edhe në fushata elektorale nuk po përdoret më si një kauzë. Kur mendoni që serbët, qytetarët dhe politika do ta pranojë ekzistencën e saj si shtet, pasi e di që publikisht askush nuk do që të njohë pavarësinë e saj.

Në fakt unë mendoj që kemi bërë mjaft për të arritur në këtë pozicionin "le të pranojmë që nuk biem dakord" dhe mendoj se qëndrimi ynë aktual është rezultat i negociatave të ashpra me Prishtinën që përfunduan me 7 marrëveshje edhe pse shumë prej tyrë nuk janë bërë realitet, por që i hapën rrugë marrëveshjeve në Bruksel, që padyshim janë një sukses. Por duhet ti jetësojmë ato që kemi rënë dakord. Por ju keni të drejtë, njerëzit këtu nuk shqetësohen më për Kosovën, nuk është më një temë diskutimi. Por kur Edi Rama vjen në Beograd dhe e përmend Kosovën atëherë ata rinisin të shqetësohen. Kur ndodhin incidente kundër serbëve në veri të Kosovës, apo shkrimi të ISIS në manastirin e Deçanit, atëherë njerëzit reagojnë. Por kjo ndodh me raste, jo se serbët mendojnë gjithë kohës për Kosovën. Ka thjesht solidaritet dhe lidhje emocionale me serbët në Kosovë dhe trashëgiminë tonë kulturore, apo me serbët e shpërngulur.

Pra gjithë këto probleme të pazgjidhura i lënë plagët e hapura të cilat nuk mund ti shërojmë thjesht me fjalë. Por natyrisht që është e vërtetë që duhet të mendojmë për ekonominë, dhe gjëra të tjera që na shqetësojnë. Por të njëjtën gjë do ti thosha edhe z. Rama. "Kujt i bëhet vonë për Kosovën, le të flasim për ekonominë, hekurudhën, fluturimet ajrore nga Tirana në Beograd, e shumë çështje të tjera”. Pra ne serbët duhet të harrojmë Kosovën ndërsa Rama duhet të na e kujtojë Kosovën??. Ka diçka që nuk shkon këtu. Mendoj se duhet të jemi më të sinqertë dhe të pranojmë që ka një hendek të madh mes nesh por le të bëjmë gjithçka është e mundur për ta evituar. Ka ende shumë çështje të pazgjidhura për serbët në Kosovë por ajo që është pozitive është që ne treguam se ne mund të punojmë sëbashku pavarësisht mosmarrëveshjet mes nesh.

Më besoni nuk ishte aspak e lehtë të negocioja me zonjën Tahiri, ishin negociata vërtet të ashpra. Unë e kuptova që ditën e parë që s'mund të bëja asgjë për ti ndryshuar asaj mendjen, ndërsa asaj ju desh pak kohë që ta kuptonte se nuk mund të bënte asgjë për të ndryshuar mendjen time për mënyrën se si e shoh Kosovën. Do të jem i sinqertë me ju, unë nuk e shoh si një shtet të pavarur por mbase për herë të parë në historinë e Serbisë ka një njohje të plotë për ekzistencën e Kosovës dhe institucioneve të saj.

Pra mendoni që brenda 5 apo 10 vjetësh, Serbia do të pranojë pavarësinë e Kosovës?

Cili është ndryshimi mes pranimit dhe njohjes? Shikoni unë besoj se pjesa më e madhe e njerëzve në Serbi veçanërisht qeveria e pranojnë që Kosova ekziston, që shqiptarët atje kanë institucionet e tyre dhe që ato janë të pavarur nga institucionet tona, e pranojnë faktin që ne nuk e kontrollojmë Kosovën dhe që nuk kemi se çfarë të bëjmë si shtet brenda Kosovës por nuk duan ta njohin zyrtarisht. Pra kjo është situata në Serbi. Ne po negociojmë më përfaqësues të zgjedhur në mënyrë demokratike nga Kosova dhe mendoj se nga këndvështrimi historik, ky është një hap i madh përpara sepse përpara ne nuk pranonim as faktin që Kosova ekzistonte.

Për ne, për vite me radhë lumi Ibër ishte "fundi i botës", nuk kishte asgjë më përtej tij, e kam fjalën politikisht. Nuk ekzistonte Prishtina, ajo ishte qyteti i braktisur i separatistëve për të cilët ne thjesht nuk e pranonim faktin që ata ekzistojnë. Ndërsa tani e pranojmë. Ata njerëz kanë të drejta, votojnë, kanë një identitet dhe besojnë që janë të pavarur dhe ne respektojmë këndvështrimin e tyre por ne nuk do ta njohim Kosovën si një shtet të pavarur në mënyrë zyrtare. Por besoj se shteti serb do të bëjë gjithçka përveçse njohjes së pavarësisë, mbase të nënshkruajë marrëveshje të rëndësishme me Prishtinën apo edhe të lejojë që Kosova të bëhet pjesë e institucioneve më të rëndësishme ndërkombëtare.

Pra gjithë këto gjëra besoj se po shkojnë në drejtimin e duhur. Por nga ana tjetër, serbët në Kosovë dhe trashëgimia e tyre duhet të mbrohet plotësisht dhe kjo është diçka për të cilën do të vazhdojmë të insistojmë që të na pyesin. Nuk lejojmë që disa zyrtarë në Prishtinë të thonë se kjo nuk ka asnjë lidhje me ne. Ajo që dua të them, është se ne nuk ëndërrojmë që ti këpusim një copë Kosovës apo të ndryshojmë kufijtë siç pati përpjekje për të ndryshuar kufijtë tanë, që disa i quajnë të suksesshme sepse këto gjëra do ta kthenin Serbinë pas, por serbët në Kosovë do të jenë matësi më i mirë i normalizimit të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës.

Nëse ju thoni që Serbia duhet të pyetet për serbët në Kosovë, atëherë edhe Shqipëria duhet të pyetet për shqiptarët në Luginën e Preshevës apo jo?

Sigurisht, përse jo? Mendoj se është legjitime që Shqipëria të thotë qëndrimin e saj për shqiptarët dhe të drejtat e tyre në jug të Serbisë, dhe kjo nuk është aspak e ndaluar madje mendoj se është pozitive. Por çdo gjë është shpatë me dy tehe në ballkan. Sepse kur shqiptarët në Preshevë thonë se duan të kenë të njëjtat të drejta me serbët në Kosovë, jemi ne që themi, ej po edhe ne duam të njëjta të drejta për serbët në Shqipëri që tani as nuk njihen se ekzistojnë. Pra rrethi vicioz vazhdon të rrotullohet.

Kjo do të ishte mbase një prej çështjeve që unë do të insistoja që të flisja me z. Rama mbase jo publikisht por padyshim privatisht. Sepse janë gati 30 mijë serbë që jetojnë në Shqipëri për të cilët ne mendojmë se nuk kanë të drejta të mjaftueshme. Të drejtat e tyre janë milje larg të drejtave që kanë shqiptarët në jug të Serbisë dhe kushdo me pikëpamje objektive do ta konfirmonte këtë gjë. Së pari, të drejtën për të ekzistuar si serbë, për të patur emra serbë, për tu organizuar apo për të patur partinë e tyre apo për tu përfaqësuar në parlament e shumë të tjera. Por asgjë prej këtyre nuk ekziston. Pra e shihni, problemi i pakicave duhet të jetë një çështje ku ne sëbashku do ti zgjidhim problemet dhe duke bërë kështu, do të bëjmë më shumë për marrëdhënien mes dy vendeve tona sesa duke kuajtur futboll apo duke dhënë konferenca për shtyp.

Futboll jo, po mbase basketboll. Do tju pëlqente të vinit në Tiranë dhe të luanit një ndeshje basketbolli me z.Rama?

A është ai i mirë?

Po mesa di është shumë.

Por unë nuk mendoj se është më i mirë se unë. A e dini që Edi Rama ishte mbase i vetmi politikan shqiptar që ne e pëlqenim këtu përpara këtyre ngjarjeve, sepse ai shkonte mirë më Gjingjiç, ai konsiderohej si një artist, i majtë, si një social-demokrat, pra ishte si një frymë e re që vinte nga Tirana sepse Berisha ishte gjithnjë i ashpër, antagonist dhe nacionalist por Rama konsiderohej si shumë më modern dhe politikan shumë më pajtues. Por tani kemi këtë dushin e ftohtë, për fat të keq. Pra kjo vizitë e ndryshoi këtë pikëpamje, por është thjesht një episod, dhe tani na duhet të bëjmë një tjetër më të mirë.

KOMENTE