English

Thesari arkeologjik i Durrësit zbulohet nga errësira

Muzeu Arkeologjik i Durrësit, do të ofrohet së shpejti për vizitorët vendas dhe të huaj, si një thesar tërësisht i rehabilituar. Kryeministri Rama, pa nga afër mjediset e Muzeut, si dhe ecurinë e punës që po bëhet aktualisht për muzealizimin e tij.

Prej katër vitesh Muzeu arkeologjik i Durrësit qëndron i mbyllur, ndonëse në vitin 2010, për rikonstruksionin e tij u akordua një fond prej 1 milion e 200 mijë dollarësh, më të cilin nuk u bë asgjë.



Me iniciativën e Ministrisë së Kulturës, në fund të vitit të kaluar, në koordinim dhe bashkëpunim me Institutin e Monumenteve të Kulturës, drejtorinë rajonale, si dhe Bashkinë e Durrësit, u bë e mundur mbyllja e punimeve të rikosntruksionit dhe nisja e punimeve për muzealizimin, i cili përfshin restaurimin e objekteve arkeologjike dhe ekspozimin e tyre.

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro tha se me një fond tepër modest ka filluar restaurimi i të gjitha objekteve që nuk ishin prekur që nga vitet 1950, kur është bërë gërmimi i tyre, të cilat do të paraqiten për publikun në kushtet më optimale të ekspozimit. “Më shumë se 2400 objekte do të ekspozohen në ndriçim modern, me ekspozitorë krejt të rinj, punuar dhe drejtuar nga specialistët tanë,” tha Kumbaro.

Ndërsa Drejtoresha e muzealizimit Edlira Çaushi, informoi se Laboratori për konservimin e objekteve arkeologjike është zhvendosur që prej muajit mars në mjediset e Muzeut dhe se shumë shpjet pritet të hapet kati i parë i Muzeut “Puna ka qenë vërtetë intensive. Ne kemi ardhur këtu që në muajin mars, jemi zhvendosur këtu dhe kemi konservuar të gjitha objektet që do të ekspozohen në katin e parë të ndërtesës. Kemi përfunduar me konservimin e objekteve dhe do të procedojmë me vendosjen nëpër vitrina. Pjesa e madhe e punës ka përfunduar, një pjesë e vogël mbetet për ta mbyllur sa më shpejt.” - u shpreh zonja Çaushi.

Ministrja bëri të ditur se vënia në funksionim e muzeut arkeologjik do të ecë paralelisht me punimet për amfiteatrin e Durrësit, i cili gjithashtu i është nënshtruar restaurimit. “Muzeu do të jetë një nga atraksionet e rëndësishme sepse do të jetë pjesë e një itinerari që po ndërtojmë me amfiteatrin e Durrësit, i cili dhe ai i është nënshtruar një restaurimi dhe ndriçimi të ri dhe do të vazhdojmë me rehabilitimin e arenës së brendshme,” sqaroi ministrja Kumbaro.

Drejtoresha Çaushi shpjegoi se gjendja e mëparshme e konservimit të objekteve ishte shumë e rëndë, pasi kishin pësuar dëmtime të shumta edhe nga punimet e rikonstruksionit të kryera më parë.

Në bashkëpunim me Bashkinë e Durrësit, është bërë rikualifikimi i hapësirës së jashtme të Muzeut, përsa i përket kanalizimeve, drenazhimit dhe ndriçimit të saj.

Duke e vlerësuar Muzeun, si një prej aseteve më të mëdha të qytetit të Durrësit, Kryetari i Bashkisë Vangjel Dako, tha se Bashkia ka ofruar angazhimin maksimal për ta shndërruar atë një destinacion të rëndësishëm kulturor për turistët e vizitorët.

“Po presim me padurim përfundimin e punimeve, pasi Muzeu është aseti më i madh që qyteti i Durrësit ka. Është një pikë shumë e rëndësishme, pasi kushdo që viziton Durrësin, viziton edhe këtë Muze, bën pjesë në atraksionin turistik të qytetit të Durrësit. Prandaj jemi shumë të motivuar që punimet të përfundojnë sa më shpejt. Kemi dhënë edhe kontributin tonë si Bashki për rikualifikimin e hapësirës jashtë Muzeut. Për pothuajse 20 vite nuk kishte vënë dorë askush,” tha Kryetari i Bashkisë Durrës.

Dako tha se nga dita në ditë, Durrësi po ofron një panoramë krejt të re, një transformim në të gjitha aspektet. “Unë i ftoj të gjithë qytetarët që të vijnë ta vizitojnë këtë qytet. Jam i bindur se do të shohin një qytet të transformuar jo vetëm Muzeun, por edhe për punët publike që ne jemi duke kryer në qytet dhe sidomos vizitorët nga Kosova dhe Maqedonia që kanë ardhur dhe vitet e tjera , do të shikojnë këtë vit një qytet tjetër të transformuar.”

KOMENTE