Kryeministri Edi Rama është nisur sot, për një vizitë dyditore në Belgjikë.
Kryeministri është ftuar t’i drejtohet me një fjalë Samitit “Axhenda BE-Ballkani Perëndimor 2015-2020”, që organizohet nga “Miqtë e Europës” në Bruksel.
Ndërsa Beogradi shmang përplasjen me Tiranën (mbi Kosovën) në Bruksel. Ndërsa konfirmohet mbërritja e delegacionit shqiptar, mësohet se kryeministri serb Aleksandar Vuçiç ka anuluar pjesëmarrjen e tij për takimin vjetor mbi Ballkanin që organizohet të martën nga Miqtë e Europës.
Me të sapomandatuarit në institucionet europiane dhe përfaqësuesit e rajonit, paneli diskuton kësaj radhe temën “Rigjallërimi i Ballkanit: Goditja fillestare e politikave të ngecura” dhe impaktin për perspektivat e rajonit deri në 2020, ku sigurisht pritet të përmendet dhe Kosova, e cila gëzon gjithashtu një perspektivë europiane si vendet e tjera të rajonit.
Burime konfidenciale rrëfyen për Top Channel se shefi i qeverisë serbe preferoi të evitonte një përplasje të mundshme mbi Kosovën në këtë panel, duke ia përcjellë këtë përfaqësim fillimisht numrit dy të kabinetit të tij Ivica Daçiç, e më pas kryenegociatores së palës serbe.
Por në prag të takimit, të njëjtat burime argumentuan se Serbia pritet të luajë kartën e “karriges bosh” duke munguar për herë të parë në takimin vjetor të Miqve të Europës.