Asambleja Botërore e Rinisë çeli sot, për herë të parë në Shqipëri, punimet e saj me temë “Lidershipi i të Rinjve në Progres: E Shkuara dhe e Ardhmja”, e cila përkoi edhe me Ditën Kombëtare të Rinisë në vendin tonë. Në këtë ngjarje të rëndësishme për rininë në botë, ku morën pjesë të rinj nga më shumë se 50 vende, ishin të pranishëm Kryeministri z. Edi Rama, Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj, si dhe Datuk Seri Ir. Idris Haron, Presidenti i Asamblesë Botërore të Rinisë, e njëkohësisht Kryeministër i Melakës, Malajzi.
Në fjalën e tij, ministri Veliaj u shpreh se 8 dhjetori është një ditë e shënuar, pasi 24 vjet më parë, kjo datë mbahet mend si dita e përmbysjes së regjimit komunist diktatorial në Shqipëri. Ai tha se të rinjtë e viteve ‘90 u bashkuan për t’i dhënë fund diktaturës më të egër të kohës. Por duke u kthyer në konktekstin aktual, z. Veliaj nënvizoi se duhet që të rinjtë e sotëm të frymëzohen nga modelet e suksesit e të rinjve që spikasin në profesionet e tyre.
“Çështja e lidershipit fillon në momentin që nuk ke tituj, fillon kur frymëzohesh nga njerëz të suksesshëm dhe shërben për ata si një model për t’u ndjekur, nuk fillon nga pushteti”, nënvizoi Veliaj. Gjithashtu, ai tha se “shpresojmë që të gjenden copëza frymëzimi sot, për të gjithë ata të rinj që synojnë të jenë modele suksesi në profesionet e tyre, bashkë me dëshirat dhe ëndrrat e tyre”.
Aktiviteti ai Asamblesë Botërore të Rinisë u mbështet nga qeveria e Melakës, Malajzi, si dhe nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë në Shqipëri. Asambleja Botërore e Rinisë është organizata ndërkombëtare më e madhe e rinisë në botë, lider në mbështetjen dhe promovimin e tyre. Posti më i lartë zyrtar në Asamblenë e Përgjithshme të Asamblesë është ai i Sekretarit të Përgjithshëm, që për herë të parë në historinë e saj drejtohet nga një femër, shqiptarja, Ediola Pashollari, e cila mban këtë post prej katër vitesh.
Kjo organizatë ka 130 shtete anëtare nga e gjithë bota. Asambleja Botërore e Rinisë është krijuar në gusht të vitit 1949 në Londër, Angli. Objektivat kryesore të organizatës janë të koordinojë dhe të ndihmojë Këshillat Kombëtarë të Rinisë dhe Organizatën Kombëtare të Rinisë në të gjithë botën. Asambleja Botërore e Rinisë punon për zhvillimin e organizatave rinore, të drejtave të tyre, trajton të gjitha çështjet që prekin të rinjtë, si droga, HIV/AIDS, shëndeti, punësimi, globalizimi, demokracia, mjedisi, pjesëmarrja e rinisë në vendimarrje, të drejtat e njeriut etj.